2016 e përgjakur, 15 të vdekur në 9 ditë
Viti 2016 ka nisur me një rritje të frikshme të krimeve të rënda. Në 9 ditët e para të vitit numërohen 9 vrasje. Mesatarisht nga një vrasje në ditë. Vrasja e fundit ndodhi dje në Mbrostar të Fierit, ku një person u ekzekutua dhe dy të tjerë mbetën të plagosur. Ndërkohë që, veç ngjarjeve kriminale, ditët e para të vitit ka pasur jo pak viktima dhe nga aksidentet rrugore. Në rrugët e vendit kanë humbur jetën gjashtë persona, si pasojë e aksidenteve automobilistike. Ditët e para të vitit kanë sjellë gjithsej 15 të vdekur.
Ndërsa shkaqet e aksidenteve kanë motive të ndryshme që lidhen me alkoolin dhe gjendjen e rrugëve, motivet e vrasjeve janë më shqetësuese. Krimi në familje, ekzekutime për konflikte banale dhe vrasjet e karakterit mafioz janë tre motivet kryesore të vrasjeve të ndodhura këto ditë. Janë nga ato raste që dëshmojnë se institucionet e sigurisë duhet të kenë strategji më efikase. Me shqetësuese janë krimet me autor të pazbuluar ende në Durrës, Vlorë dhe e fundit në Fier.
Mbrëmjen e së mërkurës në qytetin e Vlorës, persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar për vdekje një 36-vjeçar. Vrasja ndodhi në lagjen “Rilindja” të qytetit bregdetar, ku viktimë ka mbetur Andrea Billa, 36 vjeç. Nga hetimet e para dyshohet se vrasja mund të ketë ndodhur për prishjen e pazareve të drogës. Më datën 6 janar katër persona të veshur me uniforma policie rrëmbejnë në Durrës 40-vjeçarin, Gazmend Çollaku. Pasi e kanë futur me forcë në një makinë me targa të huaja, pengmarrësit kanë arritur t’i shpëtojnë policisë. 12 orë më pas, trupi i pajetë i 40-vjeçarit, i qëlluar më armë në kokë, është gjetur në anë të rrugës në fshatit Murqian të Krujës. Policia dyshon se, Sollaku ka qenë i përfshirë në një vrasje të dyfishtë të ndodhur më parë në Durrës. Ndërkohë nuk ka asnjë të arrestuar lidhur me ekzekutimin e tij. Një tipologji të ngjashme ka dhe ngjarje e mbrëmjes së djeshme në Fier.
Janë ekzekutime të kryera nga vrasës profesionistë që përdorin si maskim dhe uniformat e Policisë së Shtetit, siç ndodhi në Durrës. Janë grupe kriminale që duket se kanë studiuar dhe lëvizjet e policisë gjatë ditëve të fundit. Vrasja në Vlorë dhe ajo në Durrës ndodhën kur forcat e policisë ishin angazhuar përballimin e situatës së përmbytjeve në gjithë vendin. Ky shpërqendrim i policisë ka bërë që grupet kriminale të godasin edhe në qendër të qyteteve, madje, duke përdorur dhe uniformat e forcave të rendit. Ministria e Brendshme e cilësoi vitin që lamë si më pozitivin në parandalimin dhe zbulimin e krimeve. Më 2015-ën policia raporton se pati vetëm 56 vrasje. Por shifrat e viktimave të ditëve të para të 2016 nuk flasin pozitivisht.
Veç vrasjeve për prishje pazare dhe hakmarrje, shqetësuese janë dhe krimet brenda familjes dhe ato për motive të dobëta. Mëngjesin e 1 janarit, një vrasje e dyfishtë tronditi qytetin e Sarandës. Afrim Uzo ekzekutoi me breshëri automatiku gruan. Shkak i vrasjes kanë qenë konfliktet e shpeshta në çift. Për viktimën, Liljana Uzo, gjykata kishte lëshuar dhe një urdhër mbrojteje pas denoncimeve që kishte bërë më parë për dhunë nga bashkëshorti. Pasi ka ekzekutuar bashkëshorten dhe nënën e fëmijëve të tij, 50-vjeçari Afrim Uzo ka vrarë dhe veten.
Po në 1 janar, në Qarkun e Shkodrës do të ndodhte një tjetër vrasje makabre. Në fshatin Drisht të Postribës, Aleksandër Dushaj ekzekutoi dy vëllezër Abdulla dhe Skënder Shkami, 50 dhe 40 vjeç. Shkak i vrasjes është bërë refuzimi i një prej vëllezërve për t’i dhënë vajzën për nuse Aleksandër Dushaj. Më datën 4 janar një i ri u vra në fshatin Luz i Madh në Kavajë pas konfliktit që pati me fqinjin e tij. Viktima është Ismet Xhani, 30 vjeç, i cili u ekzekutua nga bashkëfshatari i tij, Xhevdet Saraçi. Shkak i vrasjes është bërë një konflikt për prerjen e një plepi.
Këto lloj vrasjesh nuk mund të zgjidhen vetëm me ndërhyrjen e policisë. Janë krime që lidhen me institucionet të tjera që nga drejtësia, shkolla, familja. Derisa njerëzit vriten për një plep, kjo tregon se këto institucione tradicionale janë në krizë. Shmangien e vrasjeve të tilla e ka të pamundur ta bëjë vetëm policia, pa shoqërinë. Kjo tregon se krejt shoqëria është në një krizë jo vetëm ekonomike, porse edhe sociale, kulturore etj..