2016, Fshati dhe Planeti
Në pikturën globale të Planetit, Shqipëria, Fshati ynë pra, është një pëllëmbë tokë, me tre gisht det dhe me pak bar përsipër dhe aq. Kjo Pëllëmbë Tokë, është, për mbrapshti t’vet, në mes një Autostrade të Madhe që lidh dhe zgjidh Perëndimin me Lindjen. Kjo “Autostradë” strategjike ka qenë që në kohërat e Perandorisë Romake e tëhu, një korridor i vyer. Kryesisht ushtarak dhe jotregtar. Në ditët e sotme, në këtë korsi do të kalojë edhe Gazsjellësi i Madh, TAP, furnizues me funksion të përllogaritur 100-vjeçar, për Italinë dhe Mitteleuropën. Parakusht i përzgjedhur për kalimin e këtij tubi të stërmadh energjidhënës, është për investitorët dhe sponsorët politikë dhe gjeopolitikë, stabiliteti, kontrolli dhe paqja e qëndrueshme rajonale.
Rrotull nesh, duke llogaritur brenda nesh edhe Kosovën, pavarësisht se çfarë mendojnë dhe çfarë duan ca oligarkë t’Shqipërisë apo t’Kosovës së sotme, rrotull nesh pra, Autostrada e Madhe Lindje-Perëndim, është e pasigurt dhe e sulmueshme.
Në veriun tonë, Serbia, ndonëse përpiqet të mos e deklamojë, është gjeopolitikisht, 70% me Moskën e Putinit dhe 30% me Brukselin e Baroneshës Ashton. Vuçiçi, një “nipçe” i zgjuar i Sllobodan Milosheviçit, gjithsesi e ka nxjerrë në njëfarë “ankandi” vendimin se me kë, Serbia do të jetë. Duke ndjekur kësisoj shkollën, tashmë të vjetër të Titos, që mundësoi lulëzimin e Jugosllavisë,në vitet ’50-’80 të shekullit të kaluar.
Mali i Zi, që të gjitha të mirat i vijnë nga mençuria e trajtimit të Vijës së vet Detare, nga portet e jahteve, nga kazinotë bregdetare dhe nga “elasticiteti” i doganave, edhe ay pra, është në një dilemë dhe i tunduar, nga Polet e Lindjes. Por ka një Gjukanoviç t’rafinuar dhe të kamur, që mban timonin e influencave me kurriz nga Moska dhe me fytyrë nga Brukseli. Pavarësisht shënjestrimit të tij, në lidhje me pasurinë e tij të diskutueshme, Gjukanoviçi ka bërë që Mali i Zi të begatohet në mënyrë eksponenciale, duke u shndërruar në një shkollë të lulëzimit të vendeve të vogla të Rajonit tonë dhe përtej tij.
Në lindje kemi Maqedoninë, që është pa “fqinj të dashur” dhe që të gjithë i duan nga një thelë, simbas interpretimeve apo fakteve reale historike. Por shqiptarët dhe bullgarët e maqedonizuar aty, po mbajnë për absurd dhe për 25 vite në këmbë një shtet të krijuar në tavolinë, sepse nuk dinë dhe nuk munden të bëjnë më mirë diçka tjetër. Dhe “Perëndimi”, nga frika e arsyeshme që fqinjët “thelakërkonjës” të këtij shteti –beeftek, nëse lihen të lirë të shqyejnë Maqedoninë, në rrugë e sipër mund të shqyejnë edhe njëri-tjetrin, Perëndimziu pra, po e ruan Shtetin Beeftek, qoftë edhe duke mbyllur sy e veshë, ndaj marrëzive të klasës së tij politike, që nuk kanë të sosur.
Në Jug kemi Greqinë. E cila edhe ajo, prej disa vitesh tashmë, nuk po di se nga t’ia mbajë. Nga njëra anë populli i saj, ka perceptimin se “Perëndimi” e mashtroi, e theri dhe e grabiti, përmes makutërisë së klasës së vet “politike të shitur”, porse gjithsesi, Lindja e ftohtë dhe Moska e Putinit, duket se e tremb edhe ajo, jo pak. E pra, gjithnjë e më e mbyllur në vetvete e me Tsiprasin në krye, duket se në përgjithësi, grekët kanë rralluar kafenetë dhe buzuqet, dhe i janë kthyer turizmit dhe “minierave të arit”, që ishujt e vet të panumërt bartin dhe ndoshta do t’ia dalë të rikthehet ku ishte.
E pra, në këtë vit 2016, të gjitha vendet që përbëjnë Rajonin tonë, janë futur në një spirale sfidash, të cilat Washingtoni dhe Brukseli i ndjekin dhe i përjetojnë me ankth të dukshëm. Në ndërkohë këtë vit, në 8 nëntor thuhet se është vendosur, Shtetet e Bashkuara të Amerikës do t’i thonë lamtumirë Obamës, për të zgjedhur një President të ri. Simbas të gjitha gjasave, një të Djathtë tashmë. Dhe shumë gjëra do të ndryshojnë, përfshirë edhe në ekuilibrat e vockla rajonalë ballkanikë paskëtaj. Në përshtatje me një platformë të re, që do të zërë fill nga Washingtoni i banuar nga një administratë e re.
Po Shqipëria 2016?
Si një Republikë 25-vjeçare bananesh, që banane nuk prodhon, kampione e përhershme e varfërisë në Europë, që herë ngjan si shtet i pamvarur dhe herë ngjan si një Gubernë e mvarun n’xhengela, ku ambasadorët dhe të tjerët mbajnë hapur “kurset kundër analfabetizmit politik” për ata që na drejtojnë. Si qëmoti, Partia e Punës në zonat e thella, ku u mësonte shqiptarëve, mbi 90% katundas, si të shkruanin e të këndonin rrjedhshëm e pa gabime:
“ Nëna jonë Parti” apo “Parti-Enver, jemi gati kurdoherë!”.
E pra, meqë Republika jonë është në mes të Autostradës së Madhe, ku edhe do të kalojë edhe Gazsjellësi i Madh, që lyp me domosdo, stabilitet dhe kontroll 100-vjeçar, duhet të reformohet më në fund.
Dhe pikësëpari duhet, thuhet ngado korridoreve të Gubernës, të Reformojmë Gjykatoret, si edhe të ndërtojmë Burgje të reja, më cilësore, për të burgosur më cilësorë dhe më me emër, që pritet pas “Reforme”, të shkojnë e të banojnë aty për shumë vite.
Po të gjykosh se sa kohë kemi që psherëtijmë për një drejtësi më të Drejtë, ofiqarët e lartë të Perëndimit, në krye të kurseve të analfabetizmit në Gubernën tonë, kanë të drejtë.
Porse vetëm një Detaj, që Detaj duket se nuk është, shqetëson shumëkënd.
Kush do të përzgjidhet dhe si do të përzgjidhet Detashmenti krejt i posaçëm Drejtësi Vënës?!
Kush dhe si, do të gjykojnë ndër gjykatoret e “rindërtuara” nga “Gjykatësit e Rinj”?
Kush dhe si do të jenë këta “Prokurorët e Rinj” të Detashmentit të Posaçëm, që do të hetojnë ndër “prokuroritë e ripërtëritura” (nuk dihet se si dhe me ç’metodë), Klasën tonë Politike?
Nga cili brumë pa viruse dhe bakterie tradicionale shqiptare apo ballkanase korruptive, do të përzgjidhen këta Komisarë të Rinj të Dritës?
Që të jenë kaq të ndershëm, e të mos mbajnë as krah e të mos pranojnë as zarfet e fryra që do të vërshojnë si shatërvan sapo të hyjnë në zyrat e reja? Apo mos vallë, do të jenë ca Kalorës DrejtësiVënës, nga ata që fusin në burg edhe vëllanë edhe babanë në emër të Ligjit?
Dhe nëse do të bëhet, si edhe thuhet, që ky “Detashmenti i Ri Drejtësi Vënës”, për të realizuar këtë “Mision Shpëtimi”, do të jetë i paprekshëm, kush do të na mbrojë prej tyre, nëse rroisin edhe ata dhe vendosin, në emër të Ligjit, një GjobëVënie të Re Kombëtare?
Ku do të mund të ankohemi më pas? Sepse ata nuk mund t’i ndëshkojnë dot votat tona, simbas kushtetutës që sot e nesër mund të kemi. Nuk do të kemi as Juri Popullore dhe as zgjedhje popullore të Gjykatësve.
Po sikur të biem nga shiu në breshër?! – thonë e pëshpërisin ca dhe ca.
Sepse kësaj që po i themi Reformë, nga emërtesa e Misionit që po vendoset, ngjan shumë e më shumë me një Revolucion, që ka si qëllim rrëzimin e një Republike për të themeluar një Republikë të Re, të ngjashme me një Gubernë, ku të gjithë do të nxjerrim bukën tonë të përditshme, duke u bërë rojtarë të Gazsjellësit të Madh dhe rojtarë të njëri-tjetrit.
Apo kemi qenë dhe mbetemi Vendi i 1001 eksperimenteve shoqërore dhe le ta bëjmë edhe këtë!
Kjo është 2016-ta, me sa duket. (Mapo)