2019, viti sizmik!

Nga: Lutfi Dervishi

2019 në Shqipëri është një vit i mbushur me ngjarje të mëdha të parashikueshme dhe të paparashikueshme; një vit me tërmete që nuk janë në dorë të njeriut dhe me “tërmete” të shkaktuar me dëshirën dhe vullnetin e njeriut.
Nga dhjetori në dhjetor në Shqipëri u regjistruan jo vetëm tërmete, por edhe 10 ngjarje të tjera të mëdha me efekte sizmike, jo vetëm në politikë, por edhe në jetën e gjithkujt.

2019 nuk ishte një vit i qetë, mjaft të kujtojmë që vjet Babagjyshi vitit të Ri la si dhuratë për qeverinë, protestën e studentëve. Nën presionin e kërkesave të tyre në janar u ndryshua gjysma e qeverisë.

Në shkurt opozita dogji mandatet parlamentare dhe për 5 muaj protestoi herë paqësisht e herë me koktejl molotovi.

Në qershor, u zhvilluan zgjedhjet lokale pa pjesëmarrje të opozitës dhe pothuaj gjithë bashkitë i përkasin shumicës.

Për zgjedhjet pati një dekret për shtyrjen e tyre, por shumica jo vetëm injoroi dekretin, por nisi dhe procedurat për shkarkimin e Presidentit.

Edhe këtë vit, nuk pati lajmi të mira nga Fronti Perëndimit. Shqipëria nuk mori hapjen e negociatave, por ka marrë kushte shtesë, 9 prej të cilave nga Bundestagu!

Plagët e tragjedisë së shkaktuar nga tërmeti 26 nëntorit janë ende të hapura dhe fatura për rindërtim ende nuk dihet. Fajtorët dihen, përgjegjësit ende jo.

Por 2019 shënoi edhe disa lajme të mira. Strukturat e reja të Drejtësisë po ngrihen. KLP, KLGJ, SPAK, Prokurori i Përgjithshëm dhe Inspektori Lartë i Drejtësisë më në fund janë ngritur. Fillimi i fundit të pandëshkueshmërisë është në horizont. 2019 për median është viti i protestës, sidomos ndaj disa ndryshimeve ligjore të paraqitura nën etiketën: paketa antishpifje.

Viti i Ri nis me një ngjarje të madhe për vendin. Shqipëria merr drejtimin e OSBE-së. Rast unik për përmirësim imazhi dhe për të dëshmuar kapacitete si vend kampion i lirisë, demokracisë, shtetit ligjor dhe respektimit të të drejtave të njeriut. Prej Shqipërisë pritet të japë kontribut në zgjidhjen e konfilikte e në të njëjtën kohë vendi ende është në kthetrat e krizës politike dhe sfidës së rindërtimit.

SHKARKO APP