Edi Rama: 104 vjetori i themelimit të forcave të armatosura
Nga Edi Rama.
AMARCORD
Në ditët kur përkujtohet 104 vjetori i themelimit të forcave tona të armatosura, një homazh të veçantë meriton padyshim orkestra frymore, më mirë e njohur nën emrin gati familjar si ‘banda e ushtrisë”.
E themeluar njëherazi me shtetin shqiptar me ndihmën dhe përvojën e shqiptarëve të diasporës, ajo kryen një rol ceremonial të dorës së parë.
Kjo foto e shkrepur nga Dhimiter Vangjeli në Kolonjë 1920, shfaq krahas autoriteteve civile dhe ushtarake lokale, bandën e shoqërisë “Vatra”, e cila pasi u dha zemër patriotëve në luftën e Vlorës, shërbeu si bërthama e parë e krijimit të bandës frymore të forcave të armatosura. Në qendër të saj, i madhi kompozitor Thoma Nasi, mban në dorë shkopin misterioz të tambur-majorit, i cili me një koreografi të veçantë, drejton ecjen ceremoniale dhe njëherazi luajtjen e instrumentave në marshim.