25 prilli sjell rotacion të pashmangshëm qeverisje
Nga Rexhina Leka –
Është traditë e qeverisjes dhe politikës shqiptare që një qeveri largohet pas dy mandatesh. Megjithatë, përpos kësaj tradite të arsyeshme, e cila bazohet mbi të vërtetën se pas tetë vitesh në pushtet qeveria bëhet e lodhshme dhe e shteruar nga idetë, në rastin e “Rilindjes” bëhet edhe më sigurt, pasi qeverisja Rama mbart bilancin më të keq të drejtimit të vendit në 30 vitet e fundit. Kësisoj, natyrshëm dhe arsyeshëm largohet më 25 prill.
Bilanci i dështimit përfshin të gjithë sektorët e vendit. Borxhi publik u rrit nga 63% në vitin 2013, në 97.4% që është sot. Shpopullimi i vendit arriti nivel ekstrem me 600 mijë shqiptarë të larguar, pjesa më e madhe të rinj. Sipas Gallup, 79% e të rinjve në vend duan të largohen për të mos u kthyer më. Gjatë tetë viteve nuk pati asnjë rritje page, pensionesh, por rritje të papunësisë.
450 milionë euro është fatura që taksapaguesit shqiptarë do duhet të paguajnë për arbitrazhet ndërkombëtare vetëm prej papërgjegjshmërisë së kësaj qeverie. 7.2 miliardë euro u janë shkaktuar si dëm buxhetit të shtetit, sipas raporteve të KLSH. 400 milionë euro për inceneratorë që nuk kanë funksionuar as edhe një ditë. Ndërkohë, 1.2 milionë euro kanë kushtuar koncesionet dhe PPP vetëm gjatë pandemisë, duke e bërë qeverinë Rama të vetmen në botë që ka shpenzuar paratë publike për sektorë joprioritarë teksa vendi përballej me pandeminë e Covid-19.
Ekonomia e vendit dhe ajo e familjeve të thjeshta është më e vështira prej dekadash. 40% e shqiptarëve jetojnë me 5 dollarë në ditë dhe 40% e bizneseve në vend falimentuan.
Shëndetësia rezultoi një ndër dështimet më të mëdha. Qeveria jo vetëm nuk përmbushi premtimit e shëndetësisë falas, por nuk arriti të formonte një strategji për menaxhimin e pandemisë: nuk siguroi teste dhe vaksina; spitalet dhe stafi mjekësor nuk përballojnë fluksin e të infektuarve dhe kostot financiare për trajtimin individual të prekurve arriti në miliona lekë për familje, të cilat u përballuan nga vetë qytetarët pa asnjë mbështetje nga shteti.
Procesi i rindërtimit nxori në pah jo vetëm paaftësinë totale të shtetit, por edhe natyrën e saj propagandistike të ekzagjeruar, pasi teksa 8 mijë banorë jetojnë ende sot në çadra e kontejnerë, pas dy dimrave të ftohtë, qeveria bën cirk në ekrane televizive e premton aeroporte, trena, porte e projekte 3D, të cilat jo vetëm duken haptas si mashtrime elektorale, por edhe fyese për mijëra familjet e pastreha.
Edhe në procesin e integrimit të vendit, qeveria e “Rilindjes” ka penguar të ardhmen europiane të shqiptarëve. Me ardhjen e saj në pushtet në vitin 2013, Shqipëria duhet të përmbushte vetëm 5 kushte, të cilat ishin më se të realizueshme, ndërkohe sot kemi 15 kushte, e madje 16, pasi së fundmi u shtua edhe kushti i zgjedhjeve të ndershme dhe demokratike më 25 prill.
Indikatorët e dështimeve të kësaj qeverie janë të shumtë. Ato shtrihen edhe në nivelin e pushtetit vendor me masakrat urbane, kullat dhe betonizimin ekstrem, shpërdorimin e parave me projekte dhe tendera korruptivë. Por, mbi të gjitha, dështimin e qeverisë dhe nivelin e varfërisë e matin vetë qytetarët e thjeshtë, të cilët sot janë më të varfër se dje, më të pashpresë se dje dhe me shtysë më të madhe për t’u larguar nga vendi. Mjafton të pyesësh miqtë dhe të afërmit e dëgjon prej tyre se pothuajse të gjithë duan të largohen nga vendi. Ky është treguesi më i qartë se në çfarë gjendje tragjike ndodhet vendi. Dhe pa dyshim fajtore për këtë është qeveria, e cila jo vetëm nuk bëri asgjë për përmirësimin e standardeve të jetesës, por është autore e kësaj gjendje të mjerueshme.
Pasi përjetuan tetë vite të vështira, shqiptarët nuk duan kurrsesi të vuajnë edhe katër vite të tjera. Vendi ka nevojë për ndryshim, dhe këtë e di fare mirë edhe vetë “Rilindja”, e cila përpiqet të tregojë vetëbesim në media për të minimizuar humbjen dhe rrotacioni në qeverisje është i pashmangshëm, i nevojshëm dhe i drejtë.
Shqiptarët janë të zemëruar si kurrë më parë, ndaj edhe zemërimin e tyre të drejtë do ta shprehin më 25 prill kundër kësaj qeverie. Ky do jetë fillimi i mirë i një të ardhmeje të re për të rikthyer shpresën e vrarë prej shumë vitesh.