25 vjet më pas, 2 prilli ndëshkimi i pazbardhur

Placeholder Image

Ka zënë pak ndryshk shigjeta që thotë rruga e Katalinës, po ajo dhe troshitja e makinës në urën mbi Drin të ndërmendin se po hyn në Shkodër. Tabela e madhe në të majtë ku shkruhet Lubjane, Zagreb, Vjene, Berlin, është pak më shumë se një orientim për shoferët, është si një vulë përkatësie, kaq shumë ky qytet ka gjakuar kah Europa.

Po sot është 2 prilli tragjik, një datë që ka ndalur humorin e shpotitë që prodhon paprere ky truall, atë ditë gri 25 vite më parë.

Ka një protestë në sheshin që mban këtë emër, përballë ish-komitetit të partisë. Mijëra qytetarë janë mbledhur, pritet të vijë Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. 4 të rinjtë 20 vjeçarë që u vranë atë ditë, Arben Broci, Bujar Beshanaku, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka janë krenaria e padyshimtë e shkodranëve, ndjenjë që dallohet në fytyra njerëzish e në ajri.

Zijai, 65 vjeç, lidh biçikletën në një copë hekur ngjitur me nje shkurre dekorative ku ra pa jete Arben Broci. “Këtu kam qenë, nuk e prisnim se skena ba gja. Ishim tu protestu në paqe. Si nji natë ma parë, veç kur krisën armët. U ba si luftë”, kujton ai.

snajpeti 2 prill

Dritarja ku u qëllua me snajper në 2 prill 1991

Agimi ka qenë 20 vjeç atë kohë. Të tregon me gisht ndërtesën e vjetër pas memorialit ku feks një dritare e lënë pas dore.

“Prej atje gjujti snajperi, tek plumb”, thotë ai. Sot është degë e universitetit të Shkodrës godina përballë që ishte zyra e Partisë së Punës, që mori 4 jetë të pafajshme.

“Te Fillimet” e Preç Zogajt, shkruhet gjatë për 2 prillin. Shkodranët ishin ngritur në këmbë një ditë ndërmjet, pas zgjedhjeve të 31 marsit, kur PD kish fituar bindshëm aty e po prapë komunistët duket se vononin rezultatin e donin të tregonin se ata ishin sërish në pushtet, pasi kishin marrë shumicën e votave në rang vendi.

Ahmet Kryeziu është vëllai i njërit prej dëshmorëve. Ngjitet në podium me emocion e flet shkurt. “Duam të vërtetën, pse ndodhi. Kush e dha urdhrin. Duam drejtësi”. Ai përmend dhe emrin e Gramoz Ruçit, atëbote Ministër i Brendshëm. “Mos të bëjë si engjëll në televizor, të flasë, të tregojë”.

Vita është sot 32 vjec. Ka ardhur me shumë shokë e shoqe të lagjes ku jeton në Xhabie. “Duam të dimë më shumë, kam qenë në fillore atë ditë, e morëm vesh se një ngjarje e rëndë ndodhi, erdhën prindërit më morrën në klasë”. Në pedonalen veneciane të Shkodrës ka pak lëvizje. Qyteti është në shesh dhe thirrjet mbërrijnë aty prej megafonëve.

Jetmiri, 19 vjeç punon kamerier në një bar të lezetshëm. Ai s’di shumë për 2 prillin. Thotë se ka një shok me të mençur për këto punë. Po ka dëgjuar nga prindërit se është bërë një masakër nga komunistët dhe ka parë dhe një dokumentar.

Kryetari i Partisë Demokratike ngre ovacionet kur shpall se 4 dëshmorët na kanë lënë një sprovë të përjetshme. Sprovën për të treguar të njëjtën vendosmëri e kurajë në përballje me të keqen që njësoj sot ka zënë rrugën e lirisë dhe mirëqenies. Basha angazhohet para qytetarëve se projekti i atyre që

Vendi ku u vra Arben Broci

Vendi ku u vra Arben Broci

sakrifikuan më të shtrenjtën gjë, nuk do të ndryshket.

Në këtë marshim merr pjesë dhe historiani Romeo Gurakuqi. Ka qenë me 1 prill të 1991 deri në orën 10 të natës, me mijëra të tjerë para komitetit. Ishte gjithë qyteti, kujton ai. Romeo të nesërmen iku në Gruemirë ku punonte. Kur u kthye në mesditë gjëma kishte ndodhur.

“Ishte padyshim ndëshkim për anti-komunizmin e Shkodrës, i urdhëruar nga Tirana”, thotë Gurakuqi.

Ky qytet e ka tëhuajtur regjimin që në fillesë. Kryengritjet e para anti-komuniste pas luftës aty u zhvilluan. Dhe demonstrata e parë në vitin 90 për të hedhur bustin e Stalinit. Aty në Shkodër kanë lindur ëndrrat për liri e Europë, që fluturuan më tej në qiejt e gjithë vendit. Në kthim, nuk mund të mos vësh re tabelën e madhe që thotë Lubjanë, Zagreb, Vjenë, Berlin. Më poshtë sikur vigjëlon mbi Dri, shigjeta me pak ndryshk, Rruga e Katalinës.

 Edi Lesi

 

 

 

SHKARKO APP