3 arsye sepse Rama u dorëzua te PD

Arsyeja e Tretë, Ndërkombëtarët dhe sidomos zonja Nuland, kuptuan se situata nuk ishte aq rozë dhe aq lehtësisht e kapërcyeshme. Se nuk ishte PD dhe vetëm ajo, pengesa apo ndjellësja e frikërave dhe lodrave të pushtetit, por një sferë mjaft më e gjerë dhe rezistente, e shoqërisë shqiptare, me argument dhe bindje”…

Nga Artur Zheji

A është kjo një fitore e Opozitës, apo një dorëzim i Ramës? Ndoshta kemi të bëjmë me pak nga të dyja. Në fazën e parë stafi kryeministruar, që kishte punuar shkëlqyeshëm me ndërkombëtarët dhe janë padyshim një model i admirueshëm, kishin një epërsi të dukshme dhe të ndjeshme.

Mirëpo, megjithëse me vonesë dhe paqartësi fillestare, Opozita dhe një pjesë e rëndësishme e shoqërisë civile, dhanë alarmin e duhur dhe me forcën e duhur, se kjo Reformë fshihte një Hile te Madhe, si pasojë e një tundimi të natyrshëm politik,

Kapjen e një pjese të rëndësishme të Pushtetit Gjyqësor, nga kryeministri dhe kupola e tij politike. Rama është një politikan shqiptar i rritur dhe i fuqizuar në Xhunglën shqiptare dhe një tundimi të tillë, që në të vërtetë nuk i ka shpëtuar askush, përpara tij, nuk mund ti shpëtonte as ai.

Por ndoshta sot Shqipëria ka ndryshuar disi.

Falë edhe vetë Ramës, që është veçanërisht acarues, në vetëpëlqimin e vetes dhe në mos respektimin e kodeve njerëzore dhe personale. Falë pra, ambicies së madhe dhe të lexueshme për pushtet gjithmonë e më të madh personal, vullnetit të fortë, këmbënguljes dhe etjes së lexueshme për nënshtrim të të tjerëve.

Arsyeja e Parë, është se pikërisht këto muaj të fundit rrezikshmëria e ambicieve të Ramës, që luante mjeshtërisht rolin e reformatorit të pakuptuar nga populli dhe nga “bataku i inteligjencës shqiptare” (shprehje e tij e preferuar), me rastin e Reformës në Drejtësi, u bë më e qartë.

Arsyeja e Dytë lidhet me, krijimin e një Fronti të natyrshëm laraman, 360gradë, ndaj këtij turri dhe pasioni për të rrokur të gjitha pushtetet me një dorë.

Ky Front, si në rastin e armëve kimike, u mblodh vetiu dhe krijoi një rezonancë, ku politika, parapolitika, gazetaria dhe mendjet e pakta të lira të këtij vendi, u bashkuan në Ide, në Reagim Publik, në Alarm dhe në Denoncim të hapur.

Rama dhe këshilltarët e tij të talentuar, të përpunimit të Opinionit Publik, janë habitur jo pak, për mënyrën spontane, se si u krijua kjo Rezonancë e Mrekullueshme!

Mes burrash dhe grash, të mirë, pak të mirë, hiçfare të mirë, të zgjuar dhe mediokër njëherësh, por të vendosur për të pasur një kuotë Lirie më të lartë se racioni që kryeministri donte të na linte në pjesë.

Arsyeja e Tretë, Ndërkombëtarët dhe sidomos zonja Nuland, kuptuan se situata nuk ishte aq rozë dhe aq lehtësisht e kapërcyeshme.

Se nuk ishte PD dhe vetëm ajo, pengesa apo ndjellësja e frikërave dhe lodrave të pushtetit, por një sferë mjaft më e gjerë dhe rezistente, e shoqërisë shqiptare, me argument dhe bindje. 360gradë.al

SHKARKO APP