57 minorenë janë shoqëruar dhe dhunuar në komisariate

Nga Ermir Sina*
Në protestat e këtyre ditëve janë shoqëruar forcërisht 57 minorenë, një pjesë prej tyre nën 14 vjeç. Ka dëshmi që disa prej tyre janë rrahur edhe brenda komisariateve, ngjarje sa e paligjshme aq edhe skandaloze.
Qindra prej tyre mbinin nga çdo anë në grupe të vogla shoqërore duke u bashkuar me protestuesit e tjerë. Pavarësisht diferencës së moshës, vrulli, energjia dhe shkathtësia ua tejkalonin dilemat e të rriturve për të reaguar. Ndryshe nga të rriturit që organizoheshim tek-tuk, ata e kishin të natyrshëm sensin e organizimit dhe solidaritetin me njëri-tjetrin.
Këto ditë ka pasur opinionistë e “intelektualë” që jepnin mend nga televizori, ndërkohë që komisariatet po mbusheshin me djem-fëmijë nga 12-13-14 vjeç, me fytyrë me hematoma dhe sy të fryrë nga gazi. Kjo është një arsye shtesë pse bashkëmoshatarët e tyre vazhdojnë të protestojnë.
“Filozofët – thoshte dikur një mendimtar, deri më tani vetëm e kanë interpretuar botën në mënyra të ndryshme, çështja është ta ndryshojmë atë”. Bota nuk ndryshohet duke dërdëllitur nëpër studio televizive, por në rrugë duke kërkuar të drejtat që na janë mohuar tash e 30 vjet. Dhuna bie mbi kurrizin e më të varfërve dhe të nëpërkëmburve, sidomos më të rinjve, revolta e të cilëve është kthyer në burim frymëzimi për të gjithë ne.

*Aktivist i Organizatës Politike.

SHKARKO APP