60 vjet Marrëveshja Élysée: Guri themeltar i miqësisë gjermano-franceze

Nga radio gjermane DW-

Gjermani-Francë: 18 vjet pas fundit të Luftës së Dytë Botërore të dyja vendet ish-armiq të betuar u zotuan përmes Marrëveshjes Élysée për miqësinë dhe bashkëpunimin gjithpërfshirës politik.

Me rastin e 60 vjetorit të Marrëveshjes së Élysée-së zhvillohet një akt festiv dhe një seancë e përbashkët pune e parlamenteve të të dy vendeve, Bundestagut gjerman dhe Asamblesë Kombëtare (Assemblée nationale) të Francës.

Marrëveshja e Élysée-së duhej të hynte si guri i themelit në historinë e marrëdhënieve gjermano-franceze: Pothuajse 18 vjet pas fundit të Luftës së Dytë Botërore të dy vendet ish-armiq të betuar u zotuan për miqësinë dhe bashkëpunimin gjithpërfshirës politik. Kësisoj kjo marrëveshje vulosi partneritetin midis dy vendeve, që kishin luftuar në rrjedhën e shekujve mes njeri-tjetrit.

Me rastin e jubileut të 60 vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Élysée-së të dielën më 22 janar 2023 krerët e të dy shteteve do të takohen në Paris. Në zemrën e kryeqytetit francez do të mblidhen deputetët e të dy parlamenteve fillimisht në një festivitet solemn në Universitetin Sorbonne. Ceremonitë festive do të hapen në amfiteatrin e universitetit prestigjoz me fjalimet e presidentes së Assemblée nationale, Yaël Braun-Pivet, dhe presidentes së Bundestagut Bärbel Bas. Edhe kancelari Olaf Scholz dhe presidenti francez Emmanuel Macron do të mbajnë një fjalim në këtë ceremoni.

Seanca e përbashkët e punës mes dy parlamenteve do të zhvillohet pasdite në sallën plenare të Asamblesë Kombëtare franceze në Pallatin Bourbon.

Mbledhja e parë e përbashkët e parlamenteve

Për herë të parë deputetët e Bundestagut dhe Asamblesë Kombëtare janë mbledhur në vitin 2003 në një seancë të përbashkët në Versajë – me rastin e 40 vjetorit të Marrëveshjes Élysée. Dhjetë vjet më vonë, në jubileun e 50 vjetorit, deputetët francezë dhe gjermanë  u mblodhën në Berlin.

Në vitin 2019 kancelarja Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron nënshkruan në sallën e kurorëzimit në Bashkinë e Ahenit një Marrëveshje të re gjermano-franceze të Miqësisë: të ashtuquajturën Marrëveshja e Ahenit. Me këtë Gjermania dhe Franca ranë dakord që t’u bëjnë ballë bashkarisht sfidave të së ardhmes.

SHKARKO APP