70 vjet OKB – Ditëlindje në kohë të vështira

 

 

Terrori islamik, lufta në Ukrainë, kërcënimet e përhershme me përdorimin e armëve atomike nga Koreja e Veriut apo Lindja e Mesme. Janë këto vetëmdisa nga sfidat e mëdha, me të cilat po përballet sot organizata botërore dhe të cilat e mbajnë gjithë botën në një gjendje ankthi. Edhe sikur të mos ekzistonte OKB-ja, do të duhej të shpikej një organizatë e tillë. Por në kremtimet e 70-vjetorit të themelimit të kësaj organizate, janë shtuar kritikat se ajo është shndërruar më shumë në një klub debati se në një rojtare të paqës në botë.

Zyrat me ajër të kondicionuar në qendrën e OKB në Manhattan të Nju Jorkut janë shumë larg krizave dhe luftrave, thuhet shpesh. Më së shumti kritika ka rreth konfliktit të Siri. 21 organizata të ndihmave e kanë akuzuar organizatën botërore për dështim në këtë krizë. Nga mesi i korrikut, sekretari i përgjithshëm i Amnesty International, Salil Shetty, tha se gjendja në OKB është e mjerë. Lidhur me krizën e refugjatëve dhe përballjen me sifdat e shekullit 21-të, Shetty foli për "një dështim të turpshëm të bashkësisë ndërkombëtare“.

Mungesa e bashkëpunimit

Ish-ambasadori gjerman në OKB Hanns Heinrich Schumacher (2001/2002), i bën përgjegjës për këtë gjendje vendet anëtare. Ato shumë shpesh i bllokojnë aktivitetet, në vend se t'i zgjidhin ato. Para pesë vitesh është miratuar edhe një kumtesë në Këshillin e Sigurimit të OKB, ku shprehet kritikë për humbjen e jetës së 5.000 njerëzve. Ndërsa sot kemi 250.000 të vdekur më shumë. Megjithatë duket se Siria po shkatërrohet totalisht, thotë Schumacher.

Këshilli i Sigurimit

Ish-ambasadori kritikon në veçanti strukturat e Këshillit të Sigurimit. Pesë vendet anëtare të OKB: SHBA, Rusia, Kina, Franca dhe Britania e Madhe mund të bllokojnë të gjitha iniciativat me veton e tyre. Vendimet e domosdoshme varen prej egoizmave të anëtarëve. Këtë e dëshmojnë vetot në rastin e luftës në Siri apo në Ukrainë. Njëkohësisht ato po e bllokojnë edhe reformën e Këshillit të Sigurimit të OKB, sepse për reforma po diskutohet qysh prej vitit 1990.

Privilegjet dhe mungesa e veprimit

Para më shumë se katër javësh, ministri i Jashtëm gjerman Frank-Walter Steinmeier ka nisur një përpjekje të re për të bindur organin më të lartë të OKB-së që t'u përshtatet zhvillimeve më të fundit ndërkombëtare. Këtu bën pjesë edhe kufizimi i së drejtës së vetos. Kjo për shkak se organizata botërore pamundësohet të veprojë edhe në rastet kur bëhet fjalë për krimet më të rënda.

Shpesh edhe helmetkaltërit janë në shënjestër të kritikave për sulme seksuale. Kundër misioneve në Haiti, Kongo, Liberi apo Sudanin Jugor po vazhdojnë edhe hetimet. Ndërkohë që misionet vuajnë edhe nga pasojat e dështimeve në disa misione. Në vitin 1994 helmetkaltërit u tërhoqën nga Ruanda, në vend që të evitojnë masakrat dhe gjenocidin kundër pjestarëve të fisit tutsi. Në vitin 1995 helmetkaltërit fajësohen se nuk e evituan masakrën në Srebrenicë.

Sukeset e mëdha

Në historinë e OKB ka pasur edhe misione të suksesit të madh, thotë ish-ambasadori gjerman në OKB Gunter Pleuger (2002 bis 2006), në bisedë me Deutsche Welle. Krahas forcimit të të drejtave të njeriut, dekolonializimi është një prej sukseseve më të mëdha të saj. Prej vitit 1940 – 2002, OKB ka ndihmuar që 120 koloni të arrijnë pavarësinë. Kjo ka ndryshuar edhe politikën globale, sepse në këtë mënyrë shihet se sa e papranueshme është politika e dhunës në këto vende. Pleuger është i bindur se kjo ka kontribuar edhe në lëvizjet demokratike në Evropën Lindore dhe në veçanti heqjen dorë nga dhuna eventuale në rastin e ribashkimit të Gjermanisë. Ky diplomat mendon se megjithë kritikat, OKB do të vazhdojë të luajë një rol të rëndësishëm në përmasat botërore, për zgjidhjen e konflikteve, ruajtjen e mjedisit dhe gjendjen e zgjidhjeve globale. "Asnjë shtet i veçantë nuk mund të luajë një rol të tillë, sepse për zgjidhjet globale kërkohen edhe institucione globale, siç është OKB-ja.“

SHKARKO APP