A del dot Basha më nga çarku?

Placeholder Image

Nga Andi Bushati

Opozita po kalon orët e saj më të vështira që prej kohës kur Lulzim Basha ka marrë kryesimin e saj tre vite më parë.

Shigjetat për selinë blu po vijnë njëra pas tjetrës.

Uashingtoni e shënjoi më së fundi si përgjegjëse për mosarritjen e marëveshjes për reformën në drejtësi.

Brukseli duket edhe më i ashpër dhe është futur në një konflikt verbal me selinë Blu.

Të dy së bashku e kanë fshikulluar zvarritjen e gjatë të negociatave që u bëri dyshja Berisha –Basha dhe më në fund kanë vënë gishtin mbi “fajtorin” e vërtetë që nuk e pranoi draftin e ndërkombëtarëve.

Pavarësisht nga loja se kush ka nisur emailin e fundit, pavarësisht nga deklaratat se “po u plotësua dhe ky kusht ne votojmë”, ndërkombëtarët kanë dhënë verdiktin duke kaluar nga roli i një arbitri pasiv, në atë të një gjykatësi të angazhuar.

Ata madje e kanë hedhur tej mantelin diplomatik duke theksuar se PD ndryshe nga qeveria, nuk u tregua fleksibël, se ata mbështesin idenë e Ramës për ta çuar draftin drejt kuvendit dhe i kanë dhënë një sinjal (të paimagjinushëm) deputetëve të opozitës, për të shkuar drejt votimit, në kundërshtim me vullnetin e liderëve të saj.

Më keq nuk ka se ku bëhet.

Për momentin duket se Basha ka humbur përfundimisht statusin e të përkëdhelurit të ndërkombëtarëve, që edhe pas 21 janarit vazhdonin ta konsideronin një “yll në ngritje”.

Ai ka rindezur më shumë së kurrë polemikat nëse është lideri i vërtetë i demokratëve.

Ai po fajësohet sot, përpos të tjerave edhe për mungesë sinqeriteti. Tashmë kur duket sikur fati i reformës në drejtësi për PD-në është vendosur, ai po akuzohet edhe pa burrërri. Shumëkush mendon se nëse e kish të paracaktuar vendimin përfundimtar, ai nuk duhej ta zgjaste për 18 muaj farsën e angazhimit për bërjen e reformës.

E gjithë kjo situatë aspak për tu pasur zili për liderin opozitar bëhet edhe më e keqe, po të kihet parasysh mjedisi ynë krejtësisht armiqësor ndaj çdo opozite.

Kështu qeveria ka filluar ti fryjë tamburëve të një veprimi që do të ketë kosto elektoralisht të papërballueshme për PD-në.

Mediat e kontrolluara nga Rama (pothuajse të gjitha dmth) kanë nxituar ti hiperbolizojnë deklaratat e ndërkombëtarëve.

Këta të fundit, vetë e kanë flakur tej gjuhën e drunjtë për të goditur opozitën duke harruar se nëse e bëjnë këtë, duhet të përdorin të njëjtën masë dhe të njëjtën peshë edhe për krimet e qeverisë (kjo në fakt pothuajse nuk ndodh asnjëherë).

E gjithë kjo situatë të krijon idenë se gjendja e opozitës është e pashpresë.

Por, në fakt, nuk është krejtësisht kështu.

Po të bëjmë një krahasim me të shkuarën opozita e djathtë ka kaluar nëpër të njëjtin kalvar edhe në vitet 1998- 2001, kur ishte izoluar nga perendimorët pas 14 shtatorit, kur ishte përjashtuar nga ekranet e qeverisë edhe atëherë çduditërisht të kontrolluara nga e njëjta dyshe, Meta-Rama, kur i vidheshin votat nën indiferencën e frikshme të vëzhguesve të huaj dhe qytetarëve vendas.

Por, me vetitë prej magjistari të lindur, Berisha diti të ringrihet mes hirit që kishte krijuar vetë.

Duke kërkuar ndjesë për të shkuarën, duke shpallur aksionin e duarve të pastra, duke rimbledhur të larguarit nga PD-ja dhe duke themeluar KOPI-n, ai arriti tu rrëfejë shqiptarëve një fabul të re. Fabulën që e riktheu në pushtet.

Pikërisht kjo i mungon sot Lulzim Bashës. Problemi i tij real, nuk është se i janë larguar mediat tradicionale të bleshme dhe të shitshme nga çdo qeveri. Problem i tij nuk është konflikti i ashpër që ka aktualisht me Brukselin dhe Uashingtonin për reformën në drejtësi.

Të gjitha këto janë beteja të humbura. Madje thellë. Madje më rëndë edhe se zgjedhjet e vitit të shkuar, të parat për të në krye të PD-së.

Por, në fund të fundit, ato janë beteja që nuk thonë asgjë për fatin final të luftës.

Më shumë se humbja e tyre atë e penalizon shpikja e një fabule të re. Koherente dhe të pranueshme. Që rishikon të shkuarën, që denoncon klientët e sotëm të Ramës, të njëjtit me ata të qeverisë së djeshme dhe që propozon figura shpresëdhënëse.

Pa këtë kapitull të ri, Lulzim Basha do ta ketë pothuajse të pamundur. Pa nisur atë, ai do ti ketë mbi supe të gjithë, edhe mjedisin antiopozitar, edhe TV e shndërruara në biznese familjare edhe diplomatët që sportin më të lehtë kanë goditjen e opozitës.

Por, pavarësisht nga këta faktorë, fatkeqësisht të pandryshueshëm, Basha problemin duhet ta shohë te vetja. Pasi ai s’do ta nxjerrë dot PD-në nga çarku ku e kanë mbërthyer, pa treguar një fabul të re. (Lapsi.al)

SHKARKO APP