A do të gjejë kohë Rama të takojë emigrantët në Gjermani?
Nga Afrim Krasniqi Përgjatë një viti kalendarik mbi 30 mijë shtetas shqiptarë kanë emigruar në Gjermani, në përpjekje për një jetë më të mirë dhe në ikje nga problemet e mëdha financiare. Prej muajsh media raporton histori të trishtuara ikjeje, diplomacia negocion procedurat e kthimit të tyre, policia pret në Rinas “pako” me të kthyer, politikanët kryesorë flasin për viktima të keqkuptimeve dhe vetë emigrantët mbeten të ndarë nëse ikja apo kthimi përbën fatin e tyre të keq. Gjatë kësaj periudhe një duzinë politikanësh, shtetarësh, drejtues institucionesh dhe figurash me ndikim publik (drejtues OJF, drejtues të medias, personalitete publike, etj) kanë vizituar Gjermaninë. Shumica për vizita zyrtare, të tjerë për turizëm dhe argëtim. Në Gjermani ka qenë pesë herë kryeministri dhe katër herë kreu i opozitës, katër herë ministri i jashtëm dhe dy herë shumica e ministrave dhe zyrtarëve të lartë. Por deri më tani, asnjë, absolutisht asnjë prej tyre nuk ka gjetur kohë 5 minuta të devijojë axhendën për të marrë takim me mbi 30 mijë shtetasit shqiptarë në kampet e refugjatëve. Asnjëri prej tyre nuk ka shkuar aty ti vizitojë, të flasë me ta, të shohë gjendjen nga afër, të interesohet për mendimet e tyre dhe të paraqesë një ide/platformë apo diçka tjetër më të mirë për integrimin ose kthimin e tyre për një jetesë më normale në vendlindje. Kanë shkuar ministra e politikanë gjermanë, shqiptarë jo. As nga Tirana, as nga Prishtina. Asnjë. Askush. Asnjë media nuk nisi atje një grup xhirimi, asnjë OJF që merret me të drejtat e njeriut nuk shkoi atje të shohë qytetarët e vet, asnjë kryetar bashkie (nga ata që ikën dhe ata që erdhën) nuk tregoi minimumin e kujtesës dhe respektit për mijëra familjet e zonave të tyre zgjedhore që kanë emigruar. Thjesht, u interesuan nëse emrat u ndodhen në listat e votimit. Vetë vota e tyre ka rëndësi, asgjë tjetër. Kaq. Shqipëria ka detyrim kushtetues të kujdeset për qytetarët e vet kudo që ndodhen, Shqipëria ka ambasadë e konsuj në Gjermani, Shqipëria ka ministri që merret me emigracionin dhe diasporën, Shqipëria ka kryeministër që hap ekspozita jashtë vendit sa herë merr poste zyrtare dhe kryetar opozite që bredh në zyrat evropiane duke kërkuar alibi për kostot e brendshme elektorale, Shqipëria ka këshill të sigurimit kombëtar, ka komisioner për të drejtat e njeriut, ka avokat të popullit, ka komision parlamentar për të drejtat e njeriut, madje partitë më të mëdha shqiptare kanë degët e tyre partiake në Gjermani që i përdorin për autobusë e financime elektorale. I ka të gjitha, – përgjegjësitë, mekanizmat dhe përgjegjësit. Por asnjëra/asnjëri prej tyre nuk flet, nuk dëgjohet, nuk bën detyrën, nuk ka interes të merret me viktimat e politikës së tyre të mbrapshtë, duke qenë e mbetur, vendi i ikjeve të mëdha, – siç e cilësoi javën e kaluar një diplomat i njohur gjerman. Natyrisht, për shkak të dështimit të elitave politike, pafuqisë së tyre për të ofruar standarde normale jetese dhe funksionimi shtetëror e shoqëror, mungesës së vizionit të tyre për të krijuar mjedis demokratik dhe etjes së tyre për të abuzuar pafundësisht nga pushteti që merr ose që iu jepet përmes klientelës militante, elektorale dhe financiare një herë në katër vjet! Natyrisht, më gëzon fakti që kryeministri i vendit tim do jetë në Gjermani për ekspozitë. Është mirë kur prezantohemi me një kostum artisti, pavarësisht cilësisë së artit dhe një detaji për të cilin askush nuk kujtohet, – krijimet e kryeministrit janë bërë mbi shkresa zyrtare që duhet të ishin në arkivin shtetëror e institucional, – faj për të cilin një nëpunës pushohet nga puna, kurse një politikan mbushet me lajka nga fanatikët pa kulturë shteti e demokracie. Por më shumë do më gëzonte fakti nëse kryeministri i vendit tim, politikanët e vendit tim, vendimmarrësit e vendit tim, do të braktisnin qoftë edhe 5 minuta axhendat personale për të t’ia kushtuar mbi 30 mijë qytetarëve emigrantë rishtas në Gjermani dhe atyre mijërave që janë në përpjekje për të ndjekur valën e emigrimit. Për të folur, për ti dëgjuar, për t’iu qëndruar pranë, për t’i sqaruar, për tu thënë se shteti nuk i ka braktisur dhe se një shtet serioz nuk i do qytetarët vetëm për ti pritur si “pako” në Rinas, por i do në të mirë dhe në të keq, në gëzim e hidhërim, sidomos në ditët kur ata kanë nevojë për shtet dhe të ardhme. A do të ndodhë kjo? Dita duket në mëngjes, – thuhet në thëniet e vjetra. Dhe në mëngjes pyeta shoferët e taksive në lagje, lexova FB dhe twitter ku rrinë udhëheqësit tanë, lexova faqet e para të mediave të kontrolluara prej tyre….dhe nuk gjeta asnjë shenjtë të tillë. Ca po pushojnë në Jalë, ca po marrin rreze në Lalz, ca po bëjnë politikë thashethemesh në Rogner, ca po bëjnë sikur bëjnë opozitë në resortet turistike…kurse autoritetet gjermane njoftuan sot herët se disa dhjetëra emigrantë të rinj zbarkuan natën e kaluar në Gjermani dhe disa dhjetëra të tjera do dëbohen për të zbarkuar sot e në ditët e në vijim në Rinas! Me dashuri dhe qetësi! Rilindje! Me punë e dinjitet! Kaq.