A duhet në votimin tonë koncepti i “NOTA” ose vota kundër të gjithëve

Nga Ben Andoni/Përpara shtjellimit të idesë, nëse duhet futur apo jo në fletë-votimin shqiptar ky zë, duhet shpjeguar koncepti i NOTA-s. Kjo e fundit është shkurtesa e konceptit “None of the above”, që në shqip mund të përkthehet “Asnjë nga të sipërpërmendurit” ose “kundër vota” ose “vota zero” e individit, që e voton mosaprovimin e tij në formë institucionale. Në fakt s’është koncept i ri, pasi është i njohur dhe ka fituar qytetari në disa sisteme zgjedhore për çështje të ndryshme. Ky është një opsion i votimit ku zgjedhësi e shpreh në mënyrë institucionale mosaprovimin e tij për kandidatët e zgjedhur për një votim. Deri më tash, ka funksionuar në disa vende për zgjedhje të karaktereve të ndryshme. Mbledhja e votës së NOTA do të thotë ose përkthehet në një vend vakant për atë që votohet, zgjedhje të tjera etj.

A është e mundur që në zgjedhjet shqiptare të futet një zë i tillë? Me sa duket duhet. Porse ka pak gjasa të ndodhë teksa PS dhe PD, të dy partitë kryesore në vend, pothuaj derivojnë me kërkesat e tyre për sistemin e listave dhe konfigurimin e komisioneve të frikshme prej militantëve të tyre. Me anë të NOTA-s, publiku duket se e ka një opsion tashmë që ta kundërshtoj këtë arrogancë politike-zgjedhore dhe nëse një grup do të arrinte ta ininconte një opsion të tillë në fletëvotimin shqiptar, do të ishte një moment shumë interesant që ta shikonim apo një statistikë e re për zgjedhjet e shumëpërfolura shqiptare.

Arsyetimi për lejimin e këtij zëri lidhet me faktin e thjeshtë, që të dy partitë shqiptare që ndajnë me rokadë pushtetin dhe LSI-ja, si forcë e tretë, janë shkak i një zhgënjimi të madh publik, prej premtimeve të pambajtura, prej retorikës boshe dhe rënies së nivelit ekonomik të popullsisë. Disaprovimi publik do të bëhej më së miri me këtë mënyrë, pasi, jemi dëshmitarë që një masë e madhe e njerëzve janë të detyruar të votojnë dhe madje ta deklarojnë votën për partitë e tyre, që i mbajnë dhe i kërcënojnë në punë.

Sjellja e këtij argumenti për këtë zë duket se do të fitojë më shumë qytetari me atë që po ndodh me zgjedhjet e fundit në SHBA, ku njerëzit kanë masivisht antipati për kandidatët aktualë Hillary Clinton dhe Donald Trump-in. Të dy bashkë kanë një background të tillë sa etiketimet më të zeza që po bëhen ndaj atyre, këto edhe të faktuara, mund t’i çojë votuesit amerikanë në një votim për askënd. Jo më kot, që në fillimet e veta, “Vote Nobody” ka ndjekjen e plot njëqind mijë persona që e kanë pëlqyer faqen në “Facebook”. Ndërkohë që “Vote Nobody 2016” po bëhet një prej llogarive më popullore aktive në fushatë kundër kandidatëve të dy partive të mëdha amerikane.

Ndërkohë, Shqipëria, nëse do të realizohej, do të mjaftohej me një NOTA të konsiderueshme për kandidatët e partive kryesore, për të treguar realisht mosaprovimin për shkallën e demokracisë së brishtë të vendit por edhe nëpërkëmbjen e votës. (Javanews)

SHKARKO APP