A duhet ta besojmë “mrekullinë” e punësimit?

Por, a duhet ta besojmë këtë “mrekulli” të Shqipërisë, ku rritja e punësimit është 3 herë më e shpejtë se rritja ekonomike, ndërkohë që në SHBA është e kundërta (rritja ekonomike është 3 herë më e shpejtë se rritja e punësimit)?”…

Nga Eduard Zaloshnja

Kohët e fundit, socialistë të rëndësishëm shqiptarë po përmendin shpesh një shifër, që sipas tyre,  tregon se premtimi për hapjen e 300 mijë vendeve të reja të punës në 4 vjet po realizohet – 170 mijë vende pune të reja janë hapur deri tani, thonë ata.

Në qoftë se kjo shifër është e saktë, i bie që punësimi të jetë rritur mesatarisht 7% në vit (970 mijë ishte numri i të punësuarve gjithsej në janar 2014). Ndërkohë, rritja mesatare ekonomike (e PBB-së) ka qenë vetëm 2.3% në vit gjatë dy vjetëve të fundit. Për krahasim, në shtatë vjetët e parë të administratës Obama, rritja e numrit të të punësuarve ka qenë mesatarisht vetëm 1% në vit, ndërkohë që rritja mesatare ekonomike (e PBB-së) ka qenë pothuaj 3% në vit.

Por, a duhet ta besojmë këtë “mrekulli” të Shqipërisë, ku rritja e punësimit është 3 herë më e shpejtë se rritja ekonomike, ndërkohë që në SHBA është e kundërta (rritja ekonomike është 3 herë më e shpejtë se rritja e punësimit)?

Në qoftë se është e vërtetë që Shqipëria ka një korelacion të jashtëzakonshëm në raportin 1:3 mes PBB-së dhe punësimit, duhet që shifrat e INSTAT-it për PBB-në të tregojnë një rënëie vjetore të PBB-së prej rreth 3% në vit në dyvjeçarin 2012-13. Sepse ato shifra na thonë se, nga janari i 2012-ës deri në janarin e 2014, punësimi u pakësua mesatarisht 9% në vit (shihni artikullinhttp://www.respublica.al/2016/04/22/p%C3%ABrshpejtimi-i-rritjes-ekonomike-dhe-pun%C3%ABsimit-rezultat-i-politikave-ekonomike ). Por kjo rënie dramatike e punësimit në dyvjeçarin 2012-13 nuk u shoqërua me rënie të PBB-së. Përkundrazi, sipas INSTAT-it, PBB-ja u rrit 1.33% në 2012-ën dhe 1.09% në 2013-ën…

Kjo mospërputhje e pashpjegueshme mes shifrave të punësimit dhe PBB-së na tregon se diçka çalon shumë në to. Shifrat e PBB-së duken më të besueshme, si për nga ecuria e tyre në 4 vjetët e fundit, ashtu edhe nga fakti se vëzhgohen rreptësisht prej institucioneve ndërkombëtare financiare. Ndërsa shifrat e punësimit, me rënien “e papritur” 9% në vit në dyvjeçarin para ardhjes së socialistëve në pushtet, dhe me rritjen “e mrekullueshme” 7% në vit në dyvjeçarin e qeverisjes së tyre, nuk duhen besuar fare.

Prandaj, kur socialistët të na thonë vitin tjetër se e mbajtëm premtimin për 300 mijë vende të reja pune, s’duhen besuar. Po ashtu s’duhen besuar demokratët apo kushdo tjetër, kur të premtojnë se do të hapin 300 mijë vende pune në 4 vjet. Që të ndodhë kjo, duhet që ekonomia shqiptare të rritet të paktën 15% çdo vit, ndërkohë që parashikimet më optimiste për të janë për një rritje 3%-4% në vit… respublica.al

SHKARKO APP