A është antiverior Edi Rama?
Nga Alfred Lela
Lëndë për studim mund të bëhen reagimet ndaj titullit të këtij shkrimi lexuar në pikë të mëngjesit nga televizionet. Ata që do rendin të lexojnë këtë tekst të nxitur nga manekini i titullit qëllojnë të jenë disa prerjesh: ka ndër ta antiveriorë të përbetuar dhe kjo racë do t’i thithë më shumë se lexojë fjalitë për të gjetur (ah!) shenjat antigegë të Ramës. Edhe më shumë për ta dashur paskëtaj. Me ndonjë pasthirrmë në toskërishte rudimentare ndoshta, që qejfi do ua kishte të kumbonte nga Akernonaunet në Bjeshkët e Nëmura (Namuna do të ishte varianti i saktë). Këta janë tipat që, edhe një ikone shqiptare të persekutimit e mendjes së lirë e të urtë intelektuale, si at Zef Pllumi, ia standardizojnë mbiemrin duke ia bërë Pëllumbi. Shumë sosh janë lexues të zëpësë, në faqen e parë të së cilës presin prej vitesh t’u shfaqet një fjalim i Komandantit, me ‘l’ të shumuara dhe ‘q’ në vend të k-ve, siç vetëm ay dinte të shqiptonte.
Të dytët janë tipat që idetë për logosin e kafe/ujit të gjithë ditës, në aksin kafe-kafe-kafe, i marrin nga dy cepat e trinisë së pashenjtë RD-55 (ende nuk është gjetur kulmi i tretë ideor për ta plotësuar trininë, dhe ndoshta kurrë nuk do gjendet). Këta do duan konfirmimin e të nëntë-dhjetë-e-nëntave mbi të pesë-dhjetë-e-pesat që lexojnë në shtypin (që është më shumë shtypje) partiak, për Edvin Kristaq Ramën. Një ad hominem që e përdor Doktori për t’i thënë popullit i-biri-i-kujt-është, por edhe për të identifikuar të krishterin në gjeneralitetet e kundërshtarit politik.
Një kategori tjetër, të lexuar në mes-e-lart, mbi mesataren domethënë, do kujtojnë vrik, si një dashuri gjimnazi, titullin sanguin e ‘blasfemik’ të Krist Malokit A është poet Lasgush Poradeci,botuar diku e dikur në shtypin aq të naltë të viteve ’30 të shekullit të shkuar. Këta presin një studim në kësi rastesh e do jenë buzërrudhur para 40 rreshtave të ngucur në një kolonë gazete. Në pritshin edhe fundshënime (fusnota) më të pakënaqur do të mbesin.
Pala e katërt e reaguesve janë Grupi i Gatshëm Reagues Qeveritar i Onlajnit. Bjerrakohës profesionistë e linçues amatorë, që herë paguhen e herë jo për oralet që japin online, por gjithherë i ke aty: në barrikadën jakobine të revolucionit permanent të bythës (jo të kresë) që e presin t’u mbijë një ditë si gjeli i Vitit të ri e të turren ata (o burra mbi ta!) për të prerë thelën e tyre në këtë botë që s’ua ka dhënë hakën. Lajm për ta: asnjë Revolucion s’e përmbys Frustrimin!
Pavarësisht lexuesve dhe nënteksteve që i qesin ata një teksti, a është antiverior Edi Rama? Në një intervistë dhënë Ilir Babaramos të ‘A1 Report’, ai dëshmon një mungesë ndjeshmërie dhe respekti alarmant për zona të banuara me shqiptarë gegë. Të cilat, si mosndjeshmëria ashtu dhe mosrespekti, gjenden në dy fjali, pjesë e përgjigjes që ai i dha pyetjes së gazetarit lidhur me ngjarjet e fundit në Laç ku u përfshi një deputet i PS.
Së pari, në asnjë parlament të Europës nuk janë të gjithë shkencëtarë. Parlamentet janë shprehje e përfaqësimit të zonave, të traditave të individëve që gëzojnë respekt dhe kanë influencë në zona të caktuara.
Përgjigjja bart një alarm. Identifikimin e një substrati kulturor me tipologjinë e mishëruar në dy-tre personazhe politikë. Personazhet dhe as personalitetet nuk e përshkruajnë dot një trevë dhe kompleksitetin e saj. Është si të thuash se meqë Fishta, Gurakuqi, Mjeda etj., vijnë nga aksh krahinë, të gjithë banorët e saj, automatikisht, janë fishta e gurakuqë. Me të njëjtën logjikë ata nuk mund të jenë as prengë e ndokë. Ajo që thotë kryeministri se parlamentet janë shprehje e përfaqësimit të zonave, të traditave etj., përkthehet në gjuhën e kësaj logjike. Por, është alogjike.
Tradita, për definicion, është një gjë që zbret mbrapsht në kohë e breza dhe akumulohet në atu sociale dhe kulturore. Nëse analizohet lista e deputetëve që kanë përfaqësuar Lezhën dhe Shkodrën, apo gjithë veriun, që nga parlamentet e kohës së mbretit Zog e deri në vitin 2005, nuk hasim askund një tragë që i ngjan risisë së përfaqësimit të instaluar nga z. Rama. Të cilën ai, për interesa të momentit dhe telashit politik e quan “traditë”.
Kështu që kjo “traditë” që përmend kryeministri është e tij, pra ramiste dhe jo veriore. Asnjë veriori nuk duhet t’i shkojë në mend se Kryeministri e urren veriun (Bruti është burrë i mirë), por ai duhet të gjejë forcën e të pranojë se babëzia e fitores me çdo kusht përballë Berishës e shtyu drejt aleancave me dreqin e të birin. Tashmë hiroshima e kësaj aleance po djeg të njomin bashkë me të thatin.
Secili, megjithatë, le t’i përgjigjet në të tijën pyetjes: A është antiverior Edi Rama?
MAPO