A është i qartë Basha në këtë betëjë?

 

Nga Mero Baze

Debati i fortë publik, i hapur pas lajmit të botuar nga agjensia investigative BIRN, për faktet e dala gjatë hetimit të raporteve të një kompanie private të Kastriot Ismailaj me çekët e ÇEZ-it, ka futur në qëndrime konfuze opozitën, rreth peshës së përgjegjësisë që ka qeveria e asaj kohe për një vendim të mundshëm korruptiv dhe peshën që ka përgjegjësia e Ilir Metës në atë histori. Agjensia zbuloi fillimisht se një prej shtat kompanive që është në proces gjyqësor me ÇEZ-in, është ndihmuar në lidhjen e kontratës nga afërsia politike me Ilir Metën dhe gjithë beteja u fokusua këtu. Në fakt historia e rëndë është se shtatë kompanitë me lidhje politike që nga Sali Berisha deri tek Ilir Meta, pa harruar Ritvanin në mes, kanë marrë licensa politkie, nga ÇEZ, me qëllim që qeveria të gjunjëzohej dhe të ulte çmimin e blerjes së energjisë që CEZ merrte nga KESH. Dhe krimi ka ndodhur. Ky është dhe i vetmi krim i kapjes së shtetit në këtë histori. Licensat e shtatë kompanive, janë dhuarata politike që ÇEZ u ka bërë qeveritarëve të Sali Berishës.

Faktet janë, që çmimi është ulur dhe qeveria e kryeministrit Sali Berisha është blerë me këto para. Më tej shtypi shqiptar ka zbuluar dhe gjurmë të këtyre parave dhe ka hedhur dyshime mbi lidhjet që Kastriot Ismailaj ka pasur me zotin Ahmetaj, anëtar i ERE-s. Ahmetaj, që ka qenë anëtar bordi dhe mik me Kastriot Ismailaj dhe sipas shtypit ka një shumë të pajustifikuar parash prej 160 milionë lekësh të vjetra pa burim të qartë në llogarinë e vëllait të tij, ish-kryeministrit të proceduar Vilson Ahmetaj. Këtu një pjesë janë fakte, një pjesë janë dëshmi, por e vërteta është se çmimi i energjisë është ulur dhe nëse vërtetohet që është ulur përmes ryshfetit, i pari që duhet të shkojë drejtë derës së Prokurorisë është kryeministri Sali Berisha, pas tij, padiskutim korruptuesit e tij dhe nëse Berisha pastaj ka ndonjë dëshmi për Ilir Metën, padiskutim që duhet ta bëjë.

Në këtë histori kemi një dyshim të rënë për kapje shteti dhe një fakt konkret sesi një ambasador i shtetit lobon politikisht për klient të pushtetit.

Historia është fare e thjeshtë. Shtatë kompani seksere me lidhje politike nga Sali Berisha e deri tek i fundit në atë qeveri, lidhën marrëveshje me ÇEZ për të mbledhur borxhe të pambledhura. Të gjitha ishin me lidhje politike. Madje mënyra sesi ish-ambasadori ynë Tepshi dhe Drejtori i ÇEZ komunikojnë normalisht për lidhjet politike të Kastriot Ismailaj, tregon se ata kishin parim pune jo të gjenin kompani ndërmjetëse, por të bënin qoka në qeveri me kompani zyrtarësh, për të bërë pazare të mëdha më pas. Gjëja më e rëndë në raportimin e një ambasadori është që nuk i tregon kompanisë çeke fuqinë menaxheriale të kompanisë së Ismailaj, e cila mund të mos ekzistonte ( por fuqinë politike). Çekët normal i kanë bërë ndere pastaj me radhë dhe kanë arritur tek pika që i kanë mbyllur gojën qeverisë të ulë çmimin e energjisë elektrike. Kjo është një aferë e rëndë dhe kapje e pastër e shtetit, që duhet të çojë në një hetim të thellë. Por këtu i akuzuari kryesor është Sali Berisha, pasi e ka kryer aktin dhe e ka ulur çmimin e energjisë pas atij lobimi. Pastaj nëse lekët kanë shkuar dhe tek llogaria e vëllait të anëtarit të ERE, Vislon Ahmetaj apo jo, nuk është çështje deklaratash, por çështje faktesh. Thjesht hetohen llogaritë e tij dhe merret vesh lehtë, nuk ka nevojë për deklarata prekëse në publik apo jo. Nëse ai i ka të justifikuara transfertat bankare, s’ka pse mban ligjërata për pafuqinë e tij politike në atë kohë. Rruga për të gjetur si janë shpërndarë parat i takon Prokurorisë.

Pra, opozita duhet të jetë e qartë në këtë betejë se për çfarë lufton. Nëse do hetohen kompanitë ndërmjetëse që mblodhën lekët e ÇEZ, për mënyrën si u licensuan dhe kush ishin, duhet të hetohen që të shtatë kompanitë dhe të dalin lidhjet politike. Por deri këtu, jemi në fushën e klientelizmit të pushtetit. Në korrupsion futemi tek momenti kur çekët, pasi kanë dhënë shtatë licenca për kompani të politikanëve shqiptarë kanë blerë gjithë qeverinë dhe e kanë detyruar të ul çmimin. Këtu pastaj jemi tek kapja e shtetit dhe tek përgjegjësit konkret.

Tani Lulzim Basha bën mirë që ngre zërin, por duhet ta dijë se çfarë është duke bërë. Berisha duket se i ka tonet më të ulëta dhe më i matur kur flet për këtë çështje, pasi e di çfarë ka bërë. Ai nën presionin e lobistëve të ÇEZ ka ulur çmimin e energjisë dhe u ka marrë nga xhepat shqiptarëve 30 milionë dollarë. Nëse dhe Basha e di, por nuk ka ndërmend ta tolerojë, është i mirëpritur . Por nëse nuk e di çfarë po bën, është mirë të ftillohet, të mos na bëj të gëzohemi kot që kemi më në fund një lider opozite.

TEMA

SHKARKO APP