A është zgjidhje rikthimi tek Fatos Nano

Placeholder Image

Nga Andi Bushati

Lexova sot një shkrim të kolegut tim Artur Zheji që bënte thirrje për një rehabilitim të Fatos Nanos duke e parë si një kamardare shpëtimi për ata që mbrojnë vlerat në zhdukje të Partisë Socialiste.

Natyrisht, ka diçka koherente dhe fisnike në mbrojtjen që ky “katharsist” i vjetër i bën kohës kur Nano ishte në pushtet, ashtu siç ka bërë edhe me të tjerë pushtetarë të fortë. Tani që Nano është “jashtë loje”merr më shumë peshë të përmenden si medalje disa nga gjurmët që ai ka lënë.

Unë bie dakord me shkrimin e Zhejit në “360 gradë” kur ai flet për një politikan tolerant dhe paqtues. Nano do të mbahet mend gjatë për mënyrën e butë se si e tërhoqi nga lufta shkatërrimtare për pushtet partinë komuniste të sapo rithemeluar (mars 1992).

Nano do të lërë gjurmë për sensin qytetar dhe mungesën e hakmarrjes që tregoi pas katër viteve të padrejta burgu politik.

Nano do të mbetet në memorje me largimet e buta dhe dorëheqjet të cilat shkëlqejnë shumë më shumë, sot, kur pasardhësit e tij shkaktuan vrasje për të mos lënë postin.

Nano do të mbahet mend për standartin që vuri me pranimin për herë të parë të humbjes dhe largimin e qytetëruar nga pushteti (2005).

Unë jam gjithashtu dakord me Zhejin për arkitekturën e hapur dhe meritokratike që ai u dhuroi Socialistëve. Kur shikon PS-në e sotme të duket paradoksalisht, sikur është Rama dhe jo Nano, ai që trashëgoi partinë e Enverit. Ndërsa i pari po largon çdo zë kundër, i dyti i nxiste ata. Ndërsa i pari po shkatërron karriera, i dyti bëri që ato të lulëzojnë brenda së majtës.

Nano është ai që në kulmin e pushtetit numerik dhe moral (1997) ndau më shumë përgjegjësi duke vënë një president si Meidani që e dinte se nuk e kishte vasal dhe duke i dhënë pushtet të pamatë partive aleate të Gjinushit e Cekës.

Nano është ai që promovoi nga hiçi vetë Edi Ramën, apo Ilir Metën duke i lënë rrugë të lirë një ligji të pashkruar të politikës: sponsorizimit të atij që të ha kokën.

Nano është ai që prodhoi të parin president konsensual të vendit.

Ai është gjithashtu i vetmi që ngriti një parti të bazuar tek gara me kongrese të paharrueshme si ai mocionit të 1996 dhe ai i betejës me Majkon në 1999.

Por, fatkeqësisht Fatos Nano nuk është vetëm ky. Ai ka edhe anën tjetër të medaljes, që Artur Zheji harron ta përmendë.

Ai është njeriu që megjithëse bërëi një burg të padrejtë për korrupsion, ngriti më pas skemën e parë vërtet korruptive të pushtetit.

Ai është njeriu që emëroi drejtorë taksidarë që zhvasnin biznesi ditën, për të kënaqur atë natën.

Ai është politikani që futi konceptin e familjes kryeministrore si familje biznesmene.

Ai është shefi i partisë që nisi erën caktimit të deputetëve të fortë nga e cila po vuajmë kaq shumë sot.

Ka edhe më.

Nano është ndoshta politikani më unik që ka pasur aftësinë të përdhosë meritat e tij në atë masë që nuk e bënte dot asnjë nga kundërshtarët e vet.

Ai shkeli mbi burgun kur u zhyt në korrupsion, ai shkeli mbi katharsisin kur iu desh të përqafohej me mëkatarët për të kapur pushtetin, ai shkeli mbi parimin e gjithpërfshirjes kur lodhja nga qeverisja e bëri të mos e duronte më Ilir Metën dhe më në fund shkoi e shkeli mbi vetveten duke u shndërruar në një lolo të Berishës, kur kujtoi se ky do ta çonte vërtet drejt presidencës.

Për fat të keq, Nano nuk është vetëm shtetari vizionar, por është edhe dandy i kazinove të natës, nuk është vetëm burri që “sakrifikon pushtet për të bërë shtet”, por edhe mashkulli që nuk i rreziston dot orekseve të pangopura të një gruaje, nuk është vetëm ai që respekton më të zotët, por edhe ai që ndan me të paaftët, nuk është vetëm ai që largohet trimërisht, por edhe ai që synon të rikthehet tinëzisht.

Të gjitha këto anë të karakterit të tij njerëzor dhe politik, natyrisht që e bëjnë Fatos Nanon një personazh atipik, por ato kurrsesi nuk mund ta shndërrojnë atë në një model as për kohët që vijnë, as për ata që aspirojnë një të majtë ndryshe.

Dhe këtu unë nuk bie aspak dakord me Zhejin.

Sepse thirrja për të trokitur tek Nano apo tek nanoizmi përdhos edhe meritën më të madhe të atij që u largua me vullnet të lirë 11 vite më parë. Ajo i heq edhe aureolën e atij që e sfidoi me cinizëm botën e politikës për t’u zhytur me bindje në hapsirën e pafundme të anonimatit. Një thirrje për rikthimin e Nanos e bën atë krejt të ngjashëm me Berishët, Ramët, Metët që nuk dinë të shkulen.

Por unë nuk jam dakord me thirrjen e Zhejit edhe për një arsye tjetër.

Pasi unë jam i bindur se asgjë e re nuk mund të lindë, se rendi aktual i gjërave nuk mund të ndryshohet, me simbolet e të vjetrës. Ky eternel retour vetëm na lë në vend. Kjo ecje me kokën pas vetëm na mban lidhur. As Rama sot dhe Berisha dje nuk mund të luftohen me shembullin e Nanos, qoftë ky edhe më i miri mes të këqinjve.

SHKARKO APP