A jemi gati per nje “pandemi” ekonomike globale?

Nga Majlind Lazimi –

Fatkeqësisht bota po shkon drejt një krize ekonomike globale, kryesisht për shkak të “paralizës” së aktivitetit ekonomik nga coronavirusi. Mesa duket kjo krizë ekonomike mund të jetë edhe më e dhimbshme se kriza botërore financiare e 2008-tës.

Ndoshta për herë të parë në historinë tonë moderne jemi në prag të një recensioni ekonomik, ku manifestohet njëkohësisht “shocku” i kërkesës (psh. reduktimi i ndjeshem i konsumit) dhe ofertës (psh. mbyllja e bizneseve dhe aktivitetit prodhues). Nëse në rastin e krizës së 2008 kishim një reagim apo përgjigje të koordinuar të vendeve më të zhvilluara të botës përmes kornizës së G20, fatkeqësisht në rastin aktual jemi ne kushtet e “G-zero”, ne mungesë koordinimi dhe lidershipi në nivel global per t’iu përgjigjur kësaj pandemie te paprecedent.

Prandaj, edhe Shqipëria duhet që përveç një plani masash radikale, por te nevojshme, në funksion të shendetit të të gjithë popullatës, të pregatis sa më shpejt një “plan masash ekonomike” për të perballuar çdo skenar të mundshëm.

Personalisht mendoj se përveç masave si: pezullimi i pagesave te kesteve te kredive dhe pezullimit/shtyrjen apo anullimin e përkohëshem të taksave/tatimeve dhe detyrimeve ndaj sherbimeve utilitare(ujë, drita etj), duhen masa te tjera me radikale sepse ne kohë të paprecent kërkohen masa të paprecedent.

Konkretisht, sugjeroj që :

1. Banka e Shqipërisë të printojë para (Lekë) duke zgjeruar “masën monetare” dhe të ul normat bazë të interesit në “zero %”, për të injektuar para në ekonomi. Aktualisht me shume sesa inflacionit, duhet ti frikësohemi spirales së “deflacionit” (uljes së çmimeve në përgjithësi si pasojë e reduktimit radikal të konsumit…).

2. Banka e Shqipërisë ti imponojë bankave te nivelit të 2-të, përmes “transmisionit të politikës monetare”, dhënjen e kredive të buta me 1% biznesit, si një mjet rifinancimi per kreditë aktuale që kanë, për t’iu ulur atyre barrën financiare të biznesit.

3. Qeveria të emetojë me “0” % interes “Bonot e rimëkembjes”, me qëllim blerjen ekskluzive të tyre nga Banka e Shqipërisë. Me këto para, qeveria duhet të ndermerr masat e nevojshme fiskale duke “kompensuar financiarisht”:

a) vetëpunesuarit për periudhën e “karantinimit” sipas te ardhurave aktuale të deklaruara/ ose pages mesatare te sektorit.
b) të punesuarit ne sektorin privat në masën e pagës aktuale per periudhen e “karantinimit”
c) bizneset e vogla dhe te mesme tu amnistohen te gjitha detyrimet fiskale gjate periudhes se “karantinimit”.
d) Ndihma ekonomike për familjet përkatëse të rritet të paktën në 2$ne dite (kufiri i varfërisë) për çdo person të familjes (pra një familje me 4 persona, 240 $ në muaj).

Këto masa nuk janë shteruese, por përmes tyre mund ti mbajmë në ekuilibër kërkesën dhe ofertën agregate dhe mund të shmangim një krizë potenciale ekonomike.

SHKARKO APP