A ju mungon shqiptarëve të Maqedonisë truri politik?

 

Shqiptarët nuk do të marrin pjesë në ato protesta ku roli i tyre do të reduktohej në një përdorim të shkurtët, vetëm sa për ta rrëzuar Gruevskin nga pushteti. Nuk është aspak fer që shqiptarët e paorganizuar brenda një platforme të marrin pjesë në një protestë e cila paraprakisht i ka të gjitha elementet e gatshme të strategjisë politike opozitare maqedonase. Kjo është njësoj sikur garuesit në një shteg të gjatë atletike përdorin bluzat e njejta, kurse në fund trofeu u takon vetëm atyre të ‘’klubit nikoqir’’.

Pa një platformë paraprake, të përpunuar dhe studjuar mirë, shqiptarët e Maqedonisë s’kanë se çka kërkojnë në protestat antiqeveritare. Nëse LSDM bashkë me sektorin civil maqedonas kanë një objektiv të vetëm – përmbysjen e Gruevskit, shqiptarët, në anën tjetër, kanë dy objektiva – ta përmbysin Gruevskin dhe ta ritestojnë LSDM-në.

Ka disa zëra që inkurajojnë shqiptarët t’iu bashkangjiten këtyre protestave. Edhe vetë Zaevi dhe ish shefi i tij, Cërvenkovski, kanë paralajmëruar se pakënaqësia qytetare nuk do të ketë ngjyrim etnik e fetar. Kjo u mundua të përshkruhet simbolikisht edhe me tre flamujt e lidhur në protestën e mbrëmshme. Ka plotë që thonë se tani është momenti: të bashkohen të gjithë kundër një të keqeje të përbashkët.

Më të interesuar se kushdo tjetër për largimin e këtij regjimi, janë pikërisht shqiptarët. Sulmet e orkestruara nëpër autobusa urbanë dhe mosndëshkimi i sulumuesve, dëbimi i familjes Jashari nga Radishani i Shkupit, proceset e montuara policore-gjyqësore, financimi i projekteve monoetnike e monofetare, stuhitë malore vdekjeprurëse në malet e Sharrit (Brodec, para disa viteve) dhe në karadak të Kumanovës (para do ditëve), vrasja në mënyrë mafioze dhe misterioze e Harun Aliut,  shpërndarja diksriminuese e parave të buxhetit në një asimetri të skajshme etj. janë vetëm disa nga arsyet që do të mjaftonin të nxisin revoltën gjithëpopullore të shqiptarëve për t’i dhënë fund këtij regjimi. 

Prandaj është e tepërt të kërkohet nga shqiptarët ndonjë gatishmëri shtesë, aq më tepër kur ata në kontinuitet pakënaqësinë e tyre e kanë demonstruar haptaz dhe në rrugë. Por, sa maqedonas u solidarizuan me këto pakënaqësi? Në rastin e montuar ‘’Monstra’’, viktimë të këtij makiavelizmi politiko-policor ishin edhe shqiptarët, edhe maqedonasit, mirëpo këta të fundit parapëlqyen të heshtin. Ata madje heshtën edhe atëherë kur në Gjorqe Petrov u bënë shkrum e hi lokalet e shqiptarëve, kurse për familjen  Jashari në Radishan nuk shprehën as më të voglën keqardhje publike. 

Heshtën edhe mediat e ashtuqujatura opozitare maqedonase, të cilat nuk i regjistruan huliganizmat e  bashkëkombasve të tyre para 3 viteve, kur shqiptarët iknin të shpëtonin kokën përreth lumit Vardar dhe rrugicave pranë ndërtesës së qeverisë. Publikut të gjerë sigurisht iu kujtohen pamjet rrëqethëse të këtij huliganizmi, ku barbaria fshihej me do lecka fytyrës, kurse në duar zbulonin mjetin goditës, që zakonisht përfundonte mbi shpinat e kërrusura të të rinjëve të pambrojtur shqiptarë. Të gjitha këto pamje u regjistruan vetëm nga mediat në gjuhën shqipe, por jo edhe ato maqedonase(!).

Fqinjët maqedonas gjithmonë kanë menduar se shqiptarët po ‘’aktrojnë’’ me pakënaqësitë e tyre dhe solidarizimi me ta, sipas tyre,  do të shpiente në shkatërrimin e shtetit. 

Të cilit shtet? Të atij shteti që nuk kurseu as fëmijët maqedonas. Që la nënën pa Martin Neshkovskin, ose nënat e pesë të rinjëve në liqenin e Smilkovcës.

Ky solidarizim kaq selektiv me fatkeqësitë e njerëzve në Maqedoni, ku përkatësia etnike e viktimës është më e rëndësishme se kauza demokratike për një shtet të qytetarëve të lirë e të barabartë, e lë këtë shtet në gjysëm të tunelit, pa shpresë se një ditë do ta gjejë dritën për të gjithë njësoj, pa dallim etnie e feje. 

Tani nga shqiptarët kërkohet solidarizim qytetar për ta rrëzuar regjimin aktual. Ka madje edhe disa shqiptarë që iu kanë bashkangjitur me zell këtij apeli. Sipas tyre tani është momenti të bëhen bashkë të gjithë, sepse, sipas tyre Gruevski është i keq për të gjithë, ndaj për ta rrëzuar atë, shqiptarët duhet ta ndihmojnë LSDM-në, sepse vet nuk munden.

Po pse, LSDM nuk po mundet vetë ta rrëzojë Gruevskin? Kush po e pengon atë të mobilizohet dhe të bëjë atë që shqiptarët po e bëjnë me vite e vite. Kush e ka penguar LSDM-në që t’iu bashkangjitej shqiptarëve atëherë kur në Kumanovë protestohej kundër rastit të Sopotit, apo rastit ‘’Monstra’’? Kush e ka penguar LSDM-në të protestojë kundër rrahjes së nxënësve shqiptarë nëpër autobusat urbanë të Shkupit? 

Shqiptarët nuk do të marrin pjesë në ato protesta ku roli i tyre do të reduktohej në një përdorim të shkurtët, vetëm sa për ta rrëzuar Gruevskin nga pushteti. Nuk është aspak fer që shqiptarët e paorganizuar brenda një platforme të marrin pjesë në një protestë e cila paraprakisht i ka të gjitha elementet e gatshme të strategjisë politike opozitare maqedonase. Kjo është njësoj sikur garuesit në një shteg të gjatë atletike përdorin bluzat e njejta, kurse në fund trofeu u takon vetëm atyre të ‘’klubit nikoqir’’.

Të protestosh kundër regjimit të Gruevskit dhe të ndihmosh instalimin e një force tjetër politike e cila nuk ka dhënë kurrfarë garancie se Maqedoninë nesër mund ta bëj një shtet me parlament dydhomësh dhe me një linjë të qartë horizontale e vertiale të vendimarrjes politike të shqiptarëve, ku buxheti dhe zhvillimi ekonomik do të jenë në përputhje me nevojat dhe resurset demografike e hapësinore të shqiptarëve, i ngjanë pikërisht garës që përshkruam pak më lartë.

Pastaj, LSDM asnjëherë nuk mundet të bëhet truri politik i shqiptarëve. Shqiptarët duhet ta kenë trurin e tyre politik, madje të pastruar nga të gjitha tumorët që në të ardhmen mund të rishfaqin simptomet e recidivizmave në formë vazaliteti dhe klientelizmi.

Vetëm në këtë mënyrë shqiptarët mund të marrin pjesë në protesta antiqeveritare dhe do të jenë të mirëseardhura apelet të cilat nuk përmbajnë vetëm fjalë boshe por edhe garanci të forta. Nuk mjafton bërja publike e ‘’bombave’’ që do të shpërfaqnin ndonjë padrejtësi të bërë në të kaluarën ndaj shqiptarëve. Por, më shumë se kaq. Shqiptarët asgjë të re nuk do të mësojnë nga ato ‘’bomba’’, ndaj ata kanë nevojë për një shtet që krijon raporte të reja midis shqiptarëve dhe maqedonasve dhe një koncept politik krejt të ri, cili do t’i ngjante Zvicrës. 

Ecja politike e shqiptarëve të Maqedonisë dhe politikbërja që do të merret me statusin e tyre, tash e në të ardhmen, nuk mundet të bëhet duke kopjuar tinëz metodat retrograde të regjimeve të kaluara, në njërën anë, dhe duke proklamuar publikisht njëfarë barazie pa garanca, në anën tjetër.

Nëse Zaevi dhe gjithë komuniteti civil e intelektual maqedodans që e mbështet atë, duan tash e tutje të jetojnë vërtetë në një Maqedoni pa hijen e gruevizmit mbi kokë, atëherë punën e parë që duhet bërë do të ishte lidhja e një marrëveshjeje historike me shqiptarët, me të gjitha parametrat e lartpërmendura dhe vetëm kështu kanë kuptim apelet për protesta të përbashkëta shqiptaro-maqedonase.

Gjithëçka tjetër do t’i ngjante mullirit i cili do të bluante me ndihmën e të gjithëve, por bukë do të bënte vetëm për të ‘’zotët e shtëpisë’’. 

INA

SHKARKO APP