A ka realisht përplasje në PD?
Për të gjitha këto arsye, debati brenda PD është më shumë se sa normal, madje shumë më pak i tensionuar se sa ai që kam pritur unë dhe shumë vetë. Ai duhet stimuluar dhe jo të goditet, sepse vetëm një debat i hapur dhe tolerant e bën edhe vetë aksionin e PD më të besueshëm!
Nga Blendi Fevziu
Disa deklarime publike të pak deputetëve të PD-së dhe disa debate në grupin parlamentar të saj janë shndërruar në sagën e re mediatike në Shqipëri. Në varësi të orientimit politik që portalet kanë, ato janë trajtuar o si një rezistencë e fortë e brendshme kundër “autoritarizmit të Bashës” ose si një lëvizje e sponsorizuar nga Rama dhe PS për të thyer aksionin opozitar në rritje të Bashës.
Në varësi të pozicionimit fillestar, të gjithë ata që kanë qenë skeptikë janë sulmuar personalisht, janë anatemuar apo fyer, pa ju gjykuar idetë që kanë shprehur, ose janë pompuar po artificialisht, për t’i bërë më të zhurmshme dhe më alarmante disa debate thuajse fare të zakonshme. Në këtë kontekst, ajo që bie në sy është kultura e përhershme dhe që nuk po rresht e manipulimit, ku të gjithë merren me pikëpyetjen se për çfarë arsye një politikan e thotë një gjë, nga se është shtyrë dhe jo me debatin se sa real apo racional është diskutimi i tij. Një histori e vjetër në Shqipëri, atavizmi më evident i Shqipërisë së mbyllur dhe mendësisë totalitare që kemi trashëguar nga diktatura komuniste.
Natyrisht nuk kanë munguar as mediat e balancuara që e kanë konsideruar këtë si një veprim normal, madje një lloj debati që në asnjë rast nuk i ka kaluar kufijtë e normalitetit, edhe pse personat që e kanë ngritur atë kanë ndjekur rrugë të ndryshme dhe jo të ngjashme të opozitarizmit në këto 4 vjet.
Personalisht kam mbetur i befasuar nga niveli shumë i zbehtë dhe fare formal i kontestimit për vendimin e PD-së. Jo vetëm që nuk kam parë ndonjë stuhi brenda PD-së, përkundrazi, ky mund të jetë një ndër vendimet më konsensuale të saj. Që një parti të vendosë të mos regjistrohet në zgjedhje dhe të marrë vendimin që zgjedhjet të mos lejohen të zhvillohen, nuk është aspak e lehtë. Personalisht kisha menduar se ky vendim do merrej në debate të forta dhe të ashpra; në kryqëzime analizash dhe idesh të kundërta, shterrimi i të cilave, një nga një, do të çonte tek vendimi më i mirë. Besoja se të gjithë politikanët me eksperiencë do ishin aty me idetë dhe opinionet e tyre, por kjo nuk ndodhi. Të konsiderosh një qëndrim të Majlinda Bregut, disa fjali të Jozefinës apo të Patozit si kontestim, është as më pak e as më shumë t’i vësh emrin një liqeni, oqean. Nuk po llogaris këtu qëndrimin e Selamit sepse ai as nuk u duk në diskutimin që u bë në parti. Fryrja e “kontestimit” ishte thjeshtë një shërbim ndaj mazhorancës, por i pasens.
E dyta, debati i brendshëm vetëm sa e forcon dhe e konsolidon një parti. Personalisht do kisha kërkuar më shumë debat edhe për t’i dhënë forcë opozitës dhe më shumë legjitimitet aksionit të saj. E treta, anatemimi dhe denigrimi personal i atyre që shprehën dyshime për vendimin e Bashës, gara e postimeve në facebook kundër tyre, ishte më shumë se sa një neveri. Kjo histori e huazuar nga komunizmi, ku të gjithë solidarizoheshin me kryqëzatën për të dënuar armiqtë e partisë, është qesharake në vitin 2017. Aq më tepër denigrimi personal dhe jo debati mbi idetë e tyre. Në këtë kontekst, disa postime në facebook kundër atyre që shprehën ndonjë ide skeptike apo kundër, duke u marrë me ta personalisht dhe jo me idetë, ka qenë turpi i vërtetë i politikës së djathtë!
Natyrisht, të katër ata që janë shprehur publikisht kanë ndjekur rrugë të ndryshme opozitare. Jozefina Topalli dhe Astrit Patozi kanë pasur vërejtje për vendimin e jo rrallë këto katër vite edhe për drejtimin e Bashës. Por të dy ata kanë qenë zëra të spikatur opozitarë në parlament. Nuk e kanë reshtur asnjë sekondë kritikën ndaj Qeverisë Rama, ndaj kontestimi i tyre duhet marrë seriozisht. Dhe ky qëndrim 4 vjeçar e bën kontestimin e tyre edhe më dinjitoz.
Majlinda Bregu ka zgjedhur që herët një profil të ndryshëm opozitar. E ka parë veten më shumë si një figurë konsensuale dhe e matur, një lloj vijimi i profilit që pati në vitin e fundit si Ministre e Integrimit. Ajo ka pasur më shumë qëndrimin e një “ndërkombëtareje” brenda PD, me një lloj distance nga të dyja palët, se sa atë të një opozitareje aktive. Së fundmi ajo e ka qartësuar edhe vetë pozicionin e saj, duke deklaruar në disa postime në Facebook, se ka vetëm një filozofi politike, atë të Europës. Duke lënë të kuptohet se vetë po ndjek për të shkuar atje rrugën administrative të BE dhe jo atë që Basha e quan, rruga e vlerave të vërteta të BE.
Eduard Selami është pak më i vështiri për t’u klasifikuar. Në këto 4 vite ai s’ka folur asnjëherë në Parlament, por ka qenë aktiv së paku dy herë në intervista në VOA. Kjo është rruga që ai ka ndjekur për të qenë në politikë, një rrugë që më gjasë është “rrugicë qorre”. Por edhe kjo është zgjedhja e tij. Një njeri që ka qenë themelues i PD, i pari Sekretar i Përgjithshëm dhe më pas Kryetar i saj për 3 vjet, duhej të kishte luajtur një rol më aktiv në këto 4 vite.
Për të gjitha këto arsye, debati brenda PD është më shumë se sa normal, madje shumë më pak i tensionuar se sa ai që kam pritur unë dhe shumë vetë. Ai duhet stimuluar dhe jo të goditet, sepse vetëm një debat i hapur dhe tolerant e bën edhe vetë aksionin e PD më të besueshëm!/Opinion/