A kemi një opozitë të majtë?!

 

Nga Skënder Minxhozi

Kreu i opozitës Lulzim Basha, por edhe paraardhësi i tij Sali Berisha, besojnë se kjo qeveri po tregohet e padrejtë me më të dobëtit e këtij vendi. Është një besim që ata e kanë shpalosur në formë fjalimesh, deklaratash publike, artikujsh e publikimesh, që nga java e parë e kalimit në opozitë. Edhe pse kanë qenë drejtues të vendit për tetë (dhe ne dimë se varfëria as krijohet, as zhduket në një apo dy vjet), Basha dhe Berisha po e bazojnë strategjinë e tyre tek disa oferta që në pamje të parë synojnë të tërheqin shtresa më të varfëra të popullsisë. Kryetari i PD po thotë se demokratët premtojnë ulje me 25% të çmimit të energjisë (kur erdhën në pushtet në 2005, ata e ngritën dukshëm këtë çmim) dhe faljen e kamat-vonesave, premton gjithashtu ulje taksasj, rikthim në listat e asistencës të të gjithë atyre që u përjashtuan nga qeveria socialiste. Pra një listë të cilën mund ta zgjasësh pafund, sepse të pafundme janë hallet dhe problemet ekonomike e sociale të vendit.

Në pamje të parë kjo është një fushatë klasike e një opozite që kërkon të tërheqë vota. Kështu do të bënin të gjithë ata që do të dilnin para njerëzve në kohë zgjedhjesh, sepse në kohë votimesh gjuha e politikës zgjidhet dhe premtimeve u ulet shumë çmimi. Problemi në rastin e opozitës së djathtë, është jo dhe aq në faktin se po premton, por në përmbajtjen e asaj që premton. Nuk është një tekë apo një luks i tepruar, fjala vjen, të konstatosh se premtimet e të djathtës për zgjedhësit shqiptarë, janë në një masë të madhe tipike për një parti politike të spektrit të majtë. Madje ato shkojnë drejt një të majte kontestuese dhe anti-sistem, pasi mbrojnë në disa raste shkelje të ligjit apo rikthim në pozitat e mbrojtjes së abuzimeve, në bazë të parimit “një sy qorr e një vesh shurdh”. Nuk mund të mbrosh, fjala vjen, që në listat e asistencës të ketë persona që s;janë invalidë, që nuk përmbushin kriteret e skemës në fjalë dhe që kanë hyrë aty “kontrabandë”. Nuk mund të mbrosh as abuzuesit me energjinë, apo ata që kanë ndërtuar pa leje.

Që qeveria Rama ka ndërmarrë në këto dy vite një numër reformash të dhimbshme dhe antipopullore, kjo është në sytë e të gjithëve. Të pretendosh fatura milionëshe energjie të papaguar për vite me rradhë, të shembësh dyqane, garazhe, banesa ku kanë futur kokën mijëra hallexhinj, të ndërpresësh kultivimin e një sasie të frikshme bimësh narkotike që sjellin dhjetra milion euro të ardhura për popullsitë rurale në Jug dhe Veri – të gjitha këto janë politika që prekin thellë në indin social të shoqerisë shqiptare. E për pasojë shtojnë në një moment të parë varfërinë dhe e vështirësojnë mbijetesën e qytetarit të thjeshtë në shumë forma. Por një gjë është kontestosh reformat e dhimbshme, politikat fiskale që rëndojnë buxhetet familjare dhe biznesin dhe tjetër gjë është të justifikosh abuzimin dhe shkeljen e ligjit. Ai që e ka vjedhur energjinë për vite me rradhë duhet të paguajë dhe pikë! Ai që ka ngritur një ndërtim pa leje në mesin e një komuniteti ku njëqind të tjerë s’e kanë bërë këtë gjë sepse kanë respektuar ligjin e rregullat, duhet të durojë shembjen e shtëpisë, dyqanit apo punishtes. Nuk mund të jetë diskutim as për rikthimin e atyre që janë hequr nga listat e asistencës, pasi kanë hyrë aty duke abuzuar me kriteret, apo në bazë tarafesh e korrupsioni partiak.

Opozita me qëllim i ka përzier të dyja këto aspekte të qeverisjes, për të dalë në një konkluzion që asaj i vlen shumë (apo mendon që i vlen), në funksion të zgjerimit të mbështetjes popullore. A lindur kësisoj një vizion opozitar në pamje të parë thellësisht i majtë, social dhe asistencialist, i cili mbrohet në fakt nga një parti e djathtë, që rreshtohet si e tillë që nga dita e parë e themelimit të saj. Kjo nuk është hera e parë që PD rreshtohet në anën tjetër të panelit ideologjik. Edhe kur humbi pushtetitn, në vitin 1997, Berisha u rreshtua fort favor të pjesës më të varfër të shqiptarëve, kundër qeverive socialiste që aplikonin pikë për pikë ato që u thoshte FMN e Banka Botërore.

Me kalimin e viteve, PD e ka ruajtur këtë qasje të pazakontë ndaj votuesve, duke u pozicionuar jo në bazë të koncepteve të mëdha ideologjike, as të parimeve që personifikojnë sot të djathën klasike në botë, por në bazë të interesave të momentit, të cilat shpesh e kanë shtyrë të jetë edhe parti proteste, edhe lëvizje anti-sistem.

Javanews.al

SHKARKO APP