A mban përgjegjësi njeri në këtë vend?

Nga Blendi Fevziu /A mban përgjegjësi njeri në këtë vend? Kjo ishte pyetja e parë që i bëra vetës dje, ndërsa pamjet tronditëse të dhunës ndaj një 3 vjeçari shokuan shoqërinë shqiptare. Imazhe të paimagjinueshme, që frikeshe t’i shihje deri në fund dhe që të jepnin një trazim të pakrahasueshëm me asgjë tjetër. Një fëmijë 3 vjeçar, krejtësisht i pafajshëm dhe i pambrojtur që goditej me një mëri që zoti e di nga mund të vinte; klithmat e tij rrënqethëse dhe një pronare – edukatore që vijonte ta godiste dhe ta dhunonte pamëshirë!

A mban njeri përgjegjësi në këtë vend pyeta veten? Edhe kur rrjetet sociale shpërthyen me të drejtë kundër drejtoreshës – pronare; edhe kur nisën ta krahasojnë me një moster, larg së cilës nuk është në të vërtetë. Por kjo gjë nuk zgjidhet as me dashurinë njerzore dhe as me etikën vetjake që duhet të ketë personi në një shërbim të tillë. Kjo zgjidhet me ligje dhe me rregulla. Ne e dimë që jetojmë në një shoqëri të dhunshme; ne e dimë që burrat rrahin gratë rregullisht dhe kjo raportohet rëndom çdo ditë në media. Pak javë më parë, imazhi i një burri që shkelmonte gruan e tij në mes të rrugës, ndërsa ajo mbulonte me trup 3 fëmijet e tyre të lebetitur, bëri xhiron e mediave dhe rrjeteve sociale. Ne e dimë që burra e gra rrahin fëmijët e tyre pa të keq dhe e quajnë këtë një formë të mirë edukimi. E dimë që mësues rrahin nxënësit pa të keq dhe po ashtu kjo është dokumentuar shumë herë me video. Ne jemi një shoqëri e dhunshme dhe nga kjo dhunë na shpëton vetëm ligji.

A mban njeri përgjegjësi në këtë vend? Një deputete postoi sot një raport të autoritetit arsimor që deklaron me shkrim se në Tiranë janë 77 kopshte pa liçensë dhe vetëm 19 me liçensë!! Vetë fakti është tronditës. Në një vend ku policia, tatimet, inspetoriatet kërkojnë zbatimin e ligjit çdo ditë, kanë lënë jo pak, por 4 fishin e kopshteve të liçensuara në shkelje flagrante të ligjit.

Po i njëjtin raport sqaron se shumë nga kopshtet s’kanë kushtet minimale të sigurisë së jetës dhe ato higjeno – sanitare; nuk kanë personel të specializuar dhe asnjë nga kushtet bazike që duhet të kenë për të ushtruar këtë aktivitet. E gjitha kjo nuk është vetëm shkelje e ligjit, por edhe një situatë kriminale, për të cilën nuk mban përgjegjësi dhe nuk ndëshkohet askush. Po kështu ndodh me klinika të paliçensuara që kryejnë analiza dhe mjekime; me biznese ushqimore që nuk respektojnë asnjë nga kushtet bazë higjenike; me restorante që ngjajnë me thertore dhe me dhjetra detaje të tjera që përbëjnë jetën tonë të përditshme. Ndaj veç mallkimit për pronarën mostër të atij kopshti, është mirë t’i kërkoni llogari edhe shtetit. Sepse mostrat lindin aty ku shteti falimenton dhe bëhen agresive kur nuk kanë më frikë nga ligji…

SHKARKO APP