A mund ta ndryshojë nenin 177 trysnia e SHBA-ve dhe e BE-së?

“Me këtë ndryshim të nenit 177, hapet rruga që të dyja versionet e reformës në drejtësi (të cilat nuk duken se do të arrijnë të martohen bashkë në Kuvend), t’i paraqiten sovranit popull në referendum”…

Nga Eduard Zaloshnja

Kushtetuta e Shqipërisë, në bazë të nenit 177 të saj, mund të ndryshohet vetëm në qoftë se të paktën 2/3 e parlamentarëve bien dakord për ndryshimin e saj.

Ata, po të duan, ndryshimin mund t’ia paraqesin sovranit popull për miratim në një referendum, ose thjesht e fusin në fuqi menjëherë pas dekretimit nga Presidenti i Republikës.

Aktualisht, të gjithë deputetët shqiptarë janë dakord (ose kështu deklarojnë nën trysninë e SHBA-ve e BE-së) që duhet ndryshuar Kushtetuta, por nuk janë dakord se çfarë ndryshimi konkret i duhet bërë asaj. Një pjesë e deputetëve janë dakord (ose kështu deklarojnë nën trysninë e SHBA-ve e BE-së) me një version ndryshimesh të përgatitur nga një grup ekspertësh shqiptarë e të huaj (të mbikëqyrur e mbështetur nga SHBA e BE) dhe një pjesë tjetër janë për një version të ndryshëm.

Dhe duket se këto dy versione nuk do të arrijnë të shkrihen dot në një të vetëm, për të marrë më pas të paktën 2/3 e votave në Kuvendin e Shqipërisë.

Meqë të gjithë deputetët shqiptarë janë dakord (ose kështu deklarojnë nën trysninë e SHBA-ve e BE-së) që duhet ndryshuar Kushtetuta, le të bien dakord (nën trysninë e SHBA-ve e BE-së), që të ndryshojnë fillimisht vetëm nenin 177, duke shtuar një paragraf që do të mundësonte referendumin kushtetues me dy alternativa, e jo me një, siç është aktualisht.

Me këtë ndryshim të nenit 177, hapet rruga që të dyja versionet e reformës në drejtësi (të cilat nuk duken se do të arrijnë të martohen bashkë në Kuvend), t’i paraqiten sovranit popull në referendum. Në këtë mënyrë, çdo votues mund të zgjedhë në një fletë të thjeshtë votimi alternativën A ose alternativën B, pasi secila palë e deputetëve të ketë sqaruar në fushatë të mirat e draftit të vet dhe të këqijat e draftit tjetër.

SHKARKO APP