A mund t’ia lësh timonin një shoferi mashtrues?
Ajo që është e lehtë të dallohet është se sëpaku në një nga të dy herët, Edi Rama ka mashtruar. Dhe kur arrin në këtë përfundim e ke më të lehtë të ngresh pyetjen: a mund t’ia lësh në dorë timonin një shoferi që të gënjen për rrugën?…
Nga Andi Bushati
Edi Rama e ka shndërruar në kryefjalë të fushatës së tij, dëshirën për ta mbajtur i vetëm timonin e makinës qeverisëse. Ai shkon fshat më fshat e qytet më qytet, përmend gjyshin e famshëm, ish shofer të naltmadhnisë, mungesën e pasionit të tij për veturat dhe pas të gjitha këtyre, i lutet shqiptarëve t’i japin shumicën për të bërë atë që do me këtë vend.
Ky fiksim për të mos e lëshuar timonin nga dora, pavarësisht se një herë del nga goja e një reperi të veshur me tuta, megjithëse herën tjetër shqiptohet nga goja e atij që do të konkurojë sozinë e vet tek portokallia dhe ndonëse një radhë të tretë mban kostumin e një pseudojuventini, në thelb ka një qëllim: t’i pengojë votuesit që të çojnë votën e tyre tek partitë me të cilat Rilindja ka qeverisur deri më tani. Dhe mbi të gjithë tek LSI-a.
Jo më kot, takim më takim, kryeministri anatemon partitë që e shohin “shtetin si tepsi”, ku duhet të marrin copën, fshikullon ish aleatët e tij që rekrutonin militantë duke i ofruar punësim në administratë dhe u lutet shqiptarëve: “Mos na lini në dorën e partive të vogla”.
Qëllimi është i qartë: të tregojë se të gjithë të pakënaqurit në këto vite, nga korrupsioni galopant, nga sorrollatja nëpër zyra, nga tenderat preferencialë, nga mitmarrja tek hipotekat, patentat, liçensat kanë pësuar këtë fat pasi Rilindjes i është dashur të bashkëqeverisë me hajdutët e LSI dhe të singjashmit e tyre.
Në këtë kuptim, kjo fushatë, më shumë sesa për të nesërmen, është një manovër për të justifikuar të djeshmen. Edi Rama si një manjak i sondazheve është i mirëinformuar se njerëzit e përbuzin qeverisjen e tij kleptokrate dhe klienteliste. Por ai po bën një stërmundim të fundit që këtë perceptim t’a hedhë tek ata që ka flakur tashmë jashtë anijes.
Po a është i vërtetë ky vizion i gjërave që jep kryeministri?
Gjithkush që mund të përdorë qoftë edhe logjikën minimale e ka të lehtë të kuptojë se pa një Ramë të korruptuar dhe peng të oligarkëve, as Meta nuk do të abuzonte tek hipotekat dhe as Idrizi tek patentat. Të përsërisësh pesëdhjet vite më pas këtë mashtrim të trashë është t’i bësh shqiptarët përsëri të besojnë se krimet i bënte Mehmeti, por Enveri nuk dinte gjë.
Por, pa u zgjatur shumë në stërhollime logjike se kush e ka fajin për qeverisjen e shkuar është mirë të hapim arkivat dhe të shikojmë se çka thënë vetë Edi Rama.
Disa muaj më parë, kur ai ende mendonte se do të shkonte në koalicion me Metën, madje kur i lutej atij ta bënte një gjë të tillë, Edi Rama mendonte ndryshe. Madje ai u kundërvihej edhe atyre socialistëve që mendonin se bashkëqeverisja me LSI-në po i dëmtonte elektoralisht. Për të kuptuar se sa fushatë të gënjeshtër ka ngritur sot është mirë të citohet saktësisht fjalimi i Ramës në dhjetor 2016, para asamblesë socialiste, kur ai i konsideronte si vogëlsi ato që sot i ka ngritur në rangun e shqetësimeve madhore. “Shumëkush thotë: ata bëjnë kështu, ata bëjnë ashtu, ata na nxorrën bojën, ata na nxorrën kallajin, ata na morën në qafë. Dëgjoni miqtë e mij. Nuk ka rëndësi se çfarë bëjnë njerëz të veçantë. Shqipëria ka fituar nga ky koalicion”, tha Rama atëherë. Para asamblesë së PS, ai këmbënguli se ky koalicion duhej përsëritur pasi vendi duhet të vazhdonte me reforma të mëdha dhe e ftoi LSI-në në bashkëqeverisje.
Çfarë ka ndryshuar në këto pesë muaj që nga kjo deklaratë që LSI-a nga forcë e pamohueshme reformuese u kthye në një parti grabitqare të tepsisë, vështirë të kuptohet. Ajo që është e lehtë të dallohet është se sëpaku në një nga të dy herët, Edi Rama ka mashtruar. Dhe kur arrin në këtë përfundim e ke më të lehtë të ngresh pyetjen: a mund t’ia lësh në dorë timonin një shoferi që të gënjen për rrugën? (LAPSI.AL)