A mundem të votojë edhe unë Kryeministër?
Nga Ilir Levonja
Më mundi lodhja mbi grindjet e shqiptarëve. Më shpuri diku. Pak gjumë. Fare pak. Megjithatë aty në atë dremitje. Pashë të kundërtën e jetës së tyre. Një jetë si në folklor. Bash burra kuvendar. E gra shtojza. Zana luaresh. Aq sa dhe bregut të detit vinin valë krahëgjera e të shtruara. Ndërkohë gra të tjera, qytetase. Veshur për bukuri. Shkonin malit për ujë. Edhe pse deti nuk e kishte trupin të kripur.
Më mundi lodhja. Koka në folklor e veshi në kompjuter.
Nuk e di se cila shqisë e çapiti më tutje ëndjen. Një web, ca zë… Dhe realiteti i drejtpërdrejtë. Horrat. Ne. Mielli. Qelbësirat. Mallkimet. Vrasjet për një tokë. Përdhunimet. Një mësues. Një bankier që ia vjedhin sysh arkën e shtetit, e që rezulton çun i mirë lagje. Gazetar i lodhur nga bixhozi. Video montime. Reforma të përjetshme. Sidomos përemri Ne. E tha edhe Kryeministri. Në shtator (Ne) do bëjmë reformën më të madhe në drejtësi. Ne-ja e pjesshme shqiptare. Ne-ja që su bë një herë tërësia shqiptare. Drejtësia jonë. Një kryegjyqtar që fle me euro poshtë jastëkut. Disa të tillë që të nxjerrin kristal të kulluar. Pas nëntë muajsh hulumtime. Edhe pse rreh publikisht. Më mundi lodhja mbi përpjekjen për ta treguar këtë rrëmujë. Që vlon nga fryma e entuziazmit. Që ka vetëm një formë shtjellimi. Glorifikim. Heronjë që mbetet përpjetësisht, statuja palësh.
1) Një dëshirë e thjesht zoti Kryeministër. A mundem të votoj edhe unë?. A mundet të votojmë edhe ne emigrantët. U dërrmuam për një pasaportë italiane, gjermane, hollandeze, spanjolle, franceze, greke, kanadeze. Shitëm shtëpi e katandi për një të tillë amerikane. Të shëtit në të gjithë botën. Dhe ne na pëlqen të fluturojmë. Vdiqëm për një pasaportë deri nga Australia e largët. Zelanda e Re. Megjithatë e ruajmë si Zotin atë shqiptaren. E ruajmë si sytë e ballit. Bash sikur të kemi ardhur këtej për të kuptuar se sa me vlerë është ky thesar. Edhe pse Kolombë, prapë ajo copëz vishnje me atë shqiponjë ruhet si Zoti vet. Dhe ajo është Zoti ynë. Sado që t'i mburresh me çfarë na japin bota. Për të bërë kultet tona. Zoti ynë njerëzor, i mbledhur si pikat e ujit dhe që qëmton zërash potpurish nëpër kryqëzimet e metropoleve të botës. A të ka rastisur ndonjiherë, që në mes të New Yorkut të dëgjosh këngën, ''A kanë ujë ata burime, ti moj buzë karajfilja ime''? A të ka qëlluar të ikësh me vrap. Për shkak të policisë, aty në Athinë. Pikërisht në vendin ku lindi demokracia.? A të ka qëlluar të flesh poshtë urës? A të qëlluar të të thonë se, Shqipëria është vendi më i varfër? Se aktualisht në Shqipëri, mundet të blesh armë. Mundet të punësohesh si mjeshtër droge. Si biznesmen femrash?
A mund të votoj edhe unë. Edhe ato miliona si puna ime. Më beso. Na kanë rënë të ndenjurat në ujë. Na janë ftohur trutë. Nuk është aspak e vështirë. Lista e bijve nëpër botë gjendet kollaj fare. Nuk ke nevojë për Komision Zgjedhor. E ke tek Western Union.
E bëjnë italianët, e bëjnë hollandezët. Plot të tjerë e bëjnë. A mundet?
Apo thjesht, nuk na doni për këtë eveniment. Thuaje. Nuk ka asnjë problem. Neve jemi mësuar me të na fyer. Jemi pamja e mëshirmit. Kemi falur të huajin. Pa diskutim që do të falim edhe ty.
2)Teksa kërkoja në internet mbi të drejtën e votës. Në sajtin e Komisionit Zgjedhor. Edhe pse e dija shumë mirë që emigrantët nuk mund të votojnë nga këtej. Më dilte shpesh një titull i tillë. Vota e jashtme. Më tutje…, një premtim elektoral. ''Përse duhet të vijë një emigrant për të votuar.'' Pikë e zezë. Prapë emigrantëve u hidhej detyrimi. Më tutje akoma një paragraf i tillë. ''U kemi bërë një premtim të gjithë emigrantëve, veçanërisht atyre në Greqi dhe Itali; në momentin që do të vijmë në pushtet, ne do të kalojmë ligjin për Votën e Jashtme, që do u mundësojë emigrantëve që të votojnë në vendin ku ata ndodhen, pa pasur nevojë të udhëtojnë për në Shqipëri. Gjithashtu, kemi premtuar ngritjen e një Ministrie të veçantë për emigracionin, ministri në të cilën do të punësohen elemente të spikatur prej emigracionit, si dhe kemi premtuar një përfshirje të drejtpërdrejtë të emigrantëve në strukturat diplomatike të shtetit shqiptar, pra në ambasada dhe konsullata.'' Pirro Lutaj, gazeta Shekulli e 25 Shkurtit 2013, ora 14:12.
A jeni në pushtet Kryeministër? Më pëlqen shumë si vendim'marrje. Madje i fola edhe tim biri. E qortova duke i kujtuar se ja, se përse i duhet gjuha shqipe. Mund të përfaqësosh vendin tënd. Mund të bëhesh diplomat i tij.
Mirëpo nga tjetër, deri më sot. Ashtu si me punën e dosjeve ka vetëm një retorikë. Ajo e hedhjes së fajit nga pala në palë.
3)Nga memoria ime, shpesh herë burrat e shtetit shqiptar. Ndajnë dekorata. Ku kryesisht meritat u njihen qytetarëve të tyre, pas vdekjes. Edhe kur vinë në diasporë, ndajnë dekorata. Flasin të ngrirë, me kostume firmato. Me patos pengues ndaj palës opozitare. Për një mos vullnet. Për shovinizëm. Akoma edhe për armiq të klasës. Dhe diaspora i pret. I nderon. Madje i dekoron edhe ajo. Kontribon politikisht duke mundësuar njohjen në administratën e botës së madhe. Darka zyrtare. Edhe pse nuk janë vendimarrës. Edhe pse nuk janë qytetarë me të drejta të meritura. Edhe pse e ruajnë si Zoti emrin e shqiptarit.
Nga diaspora kështu. Ku sa e sa prej këtyre, vdesin për të ndjerë po atë vëmëndje që japin për Eliza Dushkun, Rita Orën. Jo për paratë. Pasi ato ua ka falur prej çasti që fluturuan botës. Jo për shkëlqim skenik. Pasi atë e kanë varur në makinë. Pranë pasqyrës një copë lecke. Një thile. Një flamur. Thjesht si shpagim i vetsakrifikimit nën emrin e të qënit qytetar shqiptar.
Na jep mundësinë të votojmë Kryeministër. Bijë nënash shqiptare jemi edhe ne.