A na duhet më si më parë Evropa?!
“Shqipëria po vuan pasojat e kulturës ende minore demokratike që ka, mu atë që sot e bën të duket qesharake kur edhe ndonjë guxon të belbëzojë: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”…
Nga Ben Andoni
Ndryshe nga 25 vite më parë, kur slogani i ulëritur kolektivisht, “E duam Shqipërinë, si të gjithë Evropa”, parathoshte e shprehte kërkesën që dilte nga zemra për ndryshim, në ditët tona, Evropa është gati një lloj realiteti.
Të themi realitet sepse sa më afër na duket se jemi prej lëvizjes së lirë, NATOs dhe disa elementëve të tjerë, aq edhe më larg po e ndjejnë veten shumë fasha shoqërie shqiptarësh, që nuk e gjejnë veten në aspiratat disi utopike të kontinentit. Kjo e shtuar edhe me situatën aspak pozitive evropiane të unitetit, ka të gjitha arsyet që njerëzit e jo vetëm në Shqipëri, por kudo në Ballkan e më gjerë, të jenë të lodhur nga një garë virtuale që nuk i duket fundi…
Arsyeja e parë është objektive dhe të trand. Konfuzioni politik evropian i postBREXit, i pasqyruar në gati të gjitha vendet anëtare, qoftë ai i dukshëm por edhe ai i parashikueshëm me zgjedhjet e ardhme në vende të ndryshme, nuk tregon ndonjë të ardhme të paqtë për Evropën.
Utopia ka kohë që ia ka lënë vendin realitetit të hidhur. Forcat që duan ta ndajnë kontinentin janë rigjallëruar paq, kurse neglizhenca për vende periferike me potenciale ekonomikeshoqërore të ulëta, si Shqipëria, është në rritje.
Paçka retorikës inkurajuese të zyrtarëve të lartë të BEsë, komisionerëve të saj, gjendja ekonomike e eurozonës po bjerret, kurse votuesit mbesin konfuzë. Po peshkojnë gjithnjë e më shumë përkrahje nacionalistët dhe ultrasët. E, ajo që po parashikohet është vërtetë e dhembshme, pasi pritet një krizë e re refugjatësh, ndërsa e gjithë Evropa tashmë është në “varësi” të kapriços së z.Erdogan, që në orët e fundit pas gishtit të ngritur ndaj Brukselit, e ka drejtuar edhe te SHBAja.
Mbase për disa vende plot mirëqenie të Evropës që janë larg këtij teatri ngjarjesh ky kërcënim s’është i madh, por për Evropën Juglindore dhe brigjet Jugore të Perëndimit, ai është gati tragjik. Jo thjesht e vetëm se po vdesin e vdesin ditaditës fatkeqë ujrave të Mesdheut, por se fluksi i tyre pritet të rritet.
Ndërkohë në Ballkan, edhe pse hapja e negociatave me BEnë për Serbinë dhe Malin e Zi konsiderohet si ogur i mirë, për Shqipërinë aspirante dhe Kosovën pas saj, veç premtimeve s’ka shumë gjasë edhe për disa kohë të shkohet më tej. Arsyeja dihet: prej vetë politikave të tyre. Kosova është në një qerthull të rrezikshëm për demarkacionin me Malin e Zi, kurse Shqipëria me kërcënimin e votëbesimit të qeverisë dhe akuza.
Veç kësaj, të dy vendet shqiptare po enden në një përçarje të madhe të brendshme, korrupsion masiv dhe me sa duket respektivisht në një konflikt të hapur në shtator, që mund të përshkallëzohet frikshëm: Në Kosovë deri me dhunë fizike, në Shqipëri me prishje të koalicionit ose më lehtë me ndërrim ministrash qeverie.
Kështuqë, retorika evropiane e qeverive të Tiranës dhe Prishtinës është shumë larg realitetit të sotëm. Ajo shërben vetëm për politikën sepse njerëzve, tashti gati nuk i bën më fare përshtypje para përditshmërisë që është bërë më e vështirë. Njësoj me fqinjët rajonalë: Me shumë gjasë, përpjekja e shumë aktorëve ta kushtëzojnë Serbinë me kapitullin 35 për Kosovën, s’po ia del, pasi serbët po manovrojnë me kapitujt e tjerë.
Mali i Zi duket se është më i stabilizuar në dukje, por me sherre të afërta. Kurse sa i përket Shqipërisë, vendi në dukje është disi më i lehtësuar sa i përket kapitujve 23 dhe 24, pasi ato lidhen direkt me dokumentacionin e drejtësisë dhe afrimin e përgjithshëm të legjislacionit tonë me atë evropian. Por s’ka vend për optimizëm. Pasi, edhe nëse do merret rekomandimi për hapjen e negociatave teka arrihet miratimi i 7 ligjeve dhe madje edhe fillon pa humbur kohë ngritja e institucioneve që do mundësojnë Reformën, përpara si sfinks Shqipërisë i qëndron pozicioni i qeverive evropiane, që tashmë janë vetë të zhytura në probleme dhe që për inerci mund të përdorin sintaksën e njohur të mundësisë së pamundur, që do të thotë shtyrje deri pas zgjedhjeve sa i përket statusit të Shqipërisë.
Ndërkohë që vetë BEja është në një formatim të frikshëm. Rreziku i ndarjes që tashmë duket nga sinjalet ndarëse të Hollandës dhe Danimarkës, është pasqyrues dhe në vende të tjera, dhe duket se Gjermania dhe Franca u është shtuar barra që duhet të bindin familjen evropiane se me BE përfitohet, një fakt, që tashmë duket i vështirë edhe për ballkanasit, që po vuajnë burokracitë pa fund të Brukselit por nga ana tjetër edhe elitat e tyre politike, që vërtetë kanë akses në Bruksel por që s’përfaqësojnë më interesat e vendit.
Duket se Shqipëria me zhvillimet e fundit do e ketë sërish të vështirë rrugë e hapjes së negociatave, nëse nuk e merr të dhuruar apriori statusin e hapjes së negociatave, pasi Shqipëria ashtu si Kosova në ditët në vazhdim pritet të jetë realisht e tollovitur.
Opozita shqiptare, megjithëse s’ka bërë asgjë deri më tash për Reformën Zgjedhore, ka filluar direkt akuzat për zgjedhjet e ardhshme, kurse shikohet hapur një komplikim i situatës për miratimin e shtatë ligjeve. Në një rast të tillë, që Komisioni Evropian të japë rekomandim për një qeveri si ajo e Ramës, që duket se e ka të vështirë mbijetesën, mund t’ia shtojë kritikat për punën e saj, që duhet thënë se edhe pa Shqipërinë dhe Kosovën, është plot me probleme. Ndaj, nëse vetë shqiptarët e politikës, që janë të mbathur dhe nuk u duhet Evropa, sepse me pasuritë që kanë mbledhur jetojnë gati si sheikë, po shqiptari i thjeshtë për çfarë do ta dojë Evropën, kur hyrja është kaq e vështirë dhe subjektet që e mundësojnë atë, janë mu ata, që sot po e mbajnë peng vendin? Ekuacioni mbase ka nevojë për ndryshore të tjera, vetëm se
Shqipëria po vuan pasojat e kulturës ende minore demokratike që ka, mu atë që sot e bën të duket qesharake kur edhe ndonjë guxon të belbëzojë: “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”. (Javanews)