A po bëhet Basha i guximshëm
Nga Andi Bushati
Lulzim Basha ka hedhur dje një hap të madh. Ndryshe nga sa parathuhej në korridore se u kishte dhënë fjalën ndërkombëtarëve se do ta kalonte reformën në drejtësi, ai i tha mbrëmë asaj një JO të fortë në Opinion. Ne nuk mund të votojmë një reformë që i jep kryeministrit një pushtet të pamatë mbi gjyqësorin dhe prokurorinë, qe pak a shumë mesazhi i Bashës. Përpos faktit se ai e bën për herë të parë një deklaratë të tillë, ajo përmban mbi vete edhe një tjetër risi. Prej kohësh, që në fillim të detyrës së tij si kreu i opozitës, madje që nga ngjarja e armëve kimike, Basha ka pasur profilin e atij që ndryshe u thotë ndërkombëtarëve dhe ndryshe vepron pasi këshillohet me Berishën. Kështu i kish premtuar ambasadorit Arvizu për armët siriane dhe më pas u rrotullua 180 gradë. Kështu thuhej se po sillej edhe me lutjet që i bënin diplomatët e SHBA -së, dhe BE-së për t'iu bashkëngjitur procesit që pretendon të kthejë përmbys piramidën e korruptuar të drejtësisë.