A po dorëzohen amerikanët për drejtësinë?

“Takimet e shpeshta të Ambasadorit amerikan me krerët e politikës janë mbajtur larg transparëncës publike duke e ruajtuar të fshehtë brendinë e bisedimeve, por insifikimi I tyre përkon me diferencimin e qëndrimeve të tri partive kryesore që po negociojnë, PS-PD-LSI”…

Nga Ilva Tare

Për ata që e lexuan me vëmendje deklaratën zyrtare të sekretarit të shtetit Kerry në 14 shkurt në Tiranë, ishte i pashmangshëm një interpretim i distancimit të SHBA nga reforma në drejtësi. Pavarësisht mbështetjes së ofruar edhe në emër të Presidentit Obama, sekretari amerikan theksoi se “në fund të fundit i takon shqiptarëve të miratojnë ligjet e duhura dhe të këmbëngulin për zbatimin e tyre me efektivitet”.

Ky qëndrim i zyrtarit të lartë amerikan mund të shihet në këndvështrime të ndryshme, që lidhen me respektin për sovranitetin e vendit tonë, tek distanca e nevojshme për të mos bashkëpaguar faturën e mundshme të dështimit dhe një mundësi e tretë është besimi te elita politike për ta mbajtur fjalën e dhënë në favor të reformimit rrënjësor të sistemit të drejtësisë. Personalisht mendoj se më shumë gjasa ka që alternativa e dytë, ajo e mosmbajtjes së përgjegjësisë në rast dështimi është më e mundshmja.

Prej 14 shkurtit e deri tani me mbërritjen e draft opinionit të Komisionit të Venecias për draftin e komisionit të posacëm parlamentar, shumë zhvillime duket se po e cojnë fatin e reformës në një udhëkryq të rrezikshëm. Leximet e ndryshme të partive politike të rekomandimeve të Venecias dhe insistimi i opinionit për dialog mes palëve mund të jetë dhe vija fundore e një procesi që u zhvillua me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve dhe ekspertizën e tyre pikërisht për shkak të mosbesimit dhe mungesës së komunikimit mes aktorëve politikë.

Takimet e shpeshta të Ambasadorit amerikan me krerët e politikës janë mbajtur larg transparëncës publike duke e ruajtuar të fshehtë brendinë e bisedimeve, por insifikimi I tyre përkon me diferencimin e qëndrimeve të tri partive kryesore që po negociojnë, PS-PD-LSI. Edhe fjala përbashkuese e të tre aktorëve, konsensus, më shumë i ngjan një alibie për të shpjeguar filozofitë e ndryshme për strukturat e reja që do të ngrihen si pjesë e reformës së drejtësisë se sa një vullneti të palëkundur për të mbaruar punën e nisur.

Reforma është kthyer në pikën zero, prej së cilës pati përpjekje dy vjecare për të mos e kthyer në kusht, pikërisht dialogut mes palëve, jo sepse është i padëshirueshëm, por është thjesht i pamundur për shkak të axhendave respektive të partive dhe palëve të përfshira. Edhe komunikimet publike të politikanëve të lartë të vendit janë dëshmi e futjes së procesit në rrugën e një pikë delikate atë të nisjes së një tryeze politike, prej së cilës do të duhet të dalë një produkt i gjithëpranuar. E shkuara modeste në këto 25 vite e klasës politike është dëshmitare e cilësisë së kompromentuar të marrëveshjeve të tilla edhe në ato pak raste kur kanë arritur të realizohen.

Me sa duket ka qenë kjo arsyeja e përshkallëzimit të aksionit kundër korrupsionit nga ambasada amerikane, e cila përmes kanaleve të komunikimit që ka zgjedhur t’u flasë shqiptarëve deklaroi anulimin dhe refuzimin e vizave për gjyqtarë dhe zyrtarë të korruptuar. A ishte një hap i tillë i detyruar për palën amerikane, që mund të jetë gjendur përpara opsionit të mosbërjes së reformës në drejtësi, në kohën dhe mënyrën e dëshiruar prej tyre? A është ky fillimi i një strategjie të re amerikane me publikime, për ta detyruar politikën shqiptare ta cojë në fund procesin që do të sigurojë ndëshkueshmërinë për zyrtarët e lartë në vend? Apo është vetëm fillimi i dorëzimit për t’i lënë shqiptarët, sic tha sekretari Kerry në fatin dhe vullnetin e tyre për të kërkuar një shtet ligjor të barabartë për të gjithë? (Java)

SHKARKO APP