A po financohet ISIS nga llogaria e një 18-vjeçari kosovar nga Zvicra?
Një këngëtar i muzikës rap, të cilin revista zvicerane «Die Weltwoche» e quan me emrin Rilind, mund të jetë i përzier në mbështetjen financiare për organizatën terroriste ISIS.
Njerëz me pantallona të shkrutra e mjekra të gjata, me shikim të errët dhe me buzëqshje të zorshme duke qëndruar para një stende me Kuranë: pamje të tilla shihen gjithnjë e më shpesh edhe në Zvicër. Bëhet fjalë për aktivistët e fushatës «Lies!» («Lexo!»), të cilën e ka nisur në gjermani Ibrahim Abou-Nagie. Nga mediat gjermane ai quhet predikues i urrejtjes dhe vëzhgohet nga autoritetet e sigurisë në Gjermani. Qëllimi i fushatës «Lies!» është të shpërndajë në Gjermani dhe së fundi në Zvicër Kuranin gjoja me qëllim të informimit të njerëzve me fenë islame. Por, sipas një raporti të revistës zvicerane «Die Weltwoche», qëllimi i fushatës nuk është popullarizimi i fesë islame, por përhapja e fanatizmit fetar që buron nga selafizmi (ose vahabizmi). Shumica e personave që kanë shkuar nga Zvicra në Siri apo Irak për të luftuar për ISIS-in kanë qenë ose aktivistë ose të afërt me lëvizjen «Lies!».
Dy prej tyre madje kanë shpërndarë Kuranë në qytetin e Winterthurit, që konsiderohet si pikë e nxehtë e radikalëve fetarë. Sipas një analize të shërbimit sekret gjerman çdo i pesti luftëtar i ISIS-it nga Gjermania mendohet se është radikalizuar nga aksioni «Lies!». Deri më tani dihet për katër të rinj nga Winterthuri që kanë ikur nga shtëpitë dhe kanë shkuar në Siri apo Irak. Dy prej tyre janë shqiptarë, motër e vëlla.
Në numrin e së enjtes revista «Die Weltwoche» e Zürichut, e cila ndjek një kurs të ashpër kundër të huajve dhe refugjatëve, bën publike detaje nga biseda që një gazetar i saj ka zhvilluar me një person që mban një faqe në Facebook, ku shprehen simpati për ISIS-in. Ky person citohet të ketë thënë se ekziston një xhirollogari, në të cilën mund të derdhen para për mbështetjen e aksionit «Lies!», por edhe për ISIS-in. Gjithnjë sipas këtyre informacioneve pronar i xhirollogarisë është një këngëtar i muzikës rap, të cilin revista e quan me emrin Rilind, një «18-vjeçar me prejardhje kosovare». «Weltwoche» ka mësuar se ky i ri një kohë ka ushtruar në qendrën e fitnesit të Valdet Gashit, kampion i dyfishtë i botës në tai-boks dhe tani luftëtar i ISIS-it. Qendra e fitnesit gjendet po ashtu në Winterthur. Gashi është rritur në Singen të Gjermanisë.
Dhjetorin e kaluar parlamenti zviceran ka miratuar një ligj mbi ndalimin e grupeve si ISIS dhe al-Kaida. Kush merr pjesë në këto organizata nga territori i Zvicrës, kush i mbështet ato me personel apo materialisht, kush organizon aksione propagandistike për qëllimet e këtyre organizatave terroriste, kush bën reklamë për to mund të dënohet deri me pesë vjet burg apo me gjobë.
Dialog Plus