A po gabon Ilir Meta? – Nga Artur Zheji

 

Nga Artur Zheji

Tani e në çdo ditë që shkon bilancet janë fare të qarta për gjithkënd. Koalicioni LSI-PS, pavarësisht analizave nga më të ndryshmet, i shërbeu, krejt e më shumë Ramës, për të realizuar pikësynimet e tij politike.

U bë kryeministër, ëndër jo e pakët kjo, në dollapin e fantazive të tij politike.

Edi nuk ka humbur kohë dhe ka grumbulluar në këto tre vite pushteti kryeministror, një pushtet edhe më të madh, influencë dhe arkiva kërcënuese për shumëkënd.

Ai, e ka inteligjencë politike dhe personale, përtej të mjaftueshmes, për të kuptuar se realisht ka dështuar në këto 3 vite qeverisje, në raport me platformën që paraqiti në Fushatën Elektorale të vitit 2013. Analizën e këtyre dështimeve të thekshme e ka bërë shumëkush dhe do të vazhdojë të bëhet edhe më tej, por nuk qëndron problemi këtu.

Kjo nuk e ka penguar Kryeshefin e qeverisë, të skicojë ëndrra të reja në Dollapin e Ambicieve të tij, ëndrra politike që synojnë një forcim të tejskajshëm politik të tijin.

Mirëpo nuk është ky ndonjë “mëkat” i Ramës, asnjë politikan nuk mund të fajësohet për ambiciet e tij. Fajësimi apo kriticizmi fillon dhe mbaron te rrugët që ndiqen për të arritur këtë Ambicie dhe te rezultati që kjo ka në popull dhe në mirëqënien e përgjithshme.

Personalisht nuk do isha fare i shqetësuar, për “luftën e ngrënies së kokave” ndërmjet Ramës dhe Metës, apo Bashës dhe Berishës, ndaj Ramës dhe Metës dhe anasjelltas. Kjo është normale në politike.

Mirëpo kur një person i vetëm, është duke vënë në zbatim planin e “ngrënies së të gjitha kokave njëherësh”, këtu fillon një shqetësim serioz. Që nuk lidhet me “fatin e kokave të ngrëna”, as edhe kush i hëngri, pse i hëngri dhe se sa e dhimbshme është kjo.

Çështja shtrohet se çfarë ndodh më pas, kur Kokëngrënësi i Përgjithshëm, grumbullon në duart e veta të gjitha pushtetet, të cilat, keq apo mirë, janë ende të ndara, ndonëse plot difekte dhe zullume e grabitje.

Edhe Ilir Meta e ka me të tepërt inteligjencën për ta kuptuar se kjo skemë nuk është një skicë letrare apo një lajthitje analistësh.

Shenjat, të gjitha shenjat tregojnë se kjo “skicë” është në të vërtetë një platformë gati e përsosur dhe me konsulencën më të mirë dhe më të sofistikuar ndërkombëtare sorosiane.

Që shkon në tre faza:

  1. Faza e parë kapja, nënshtrimi apo kontrolli i Sitemit Gjyqësor Kombëtar, në emër të luftës së rreme kundër korrupsionit. Një luftë kjo që në thelb populli e do dhe e aspiron thellësisht dhe ndjehet i tërhequr, nga “gjakderdhja” që kjo shkakton te të fuqishmit e këtij vendi.
  2. Faza e dytë, që do të përparojë paralelisht me të parën, është nënshtrimi i atyre pak mediave të panënshtruara dhe i atyre pak mendjeve rrebele dhe largpamëse, që për arsye nga më të ndryshme nuk janë pjesë e oborrit të kryeministrit. Dhe këtu nenet jane gati.
  3. Faza e tretë, është sundimi i plotë, politik dhe ekonomik, në shkretëtirën e krijuar nga “shkatërrimi” i të gjithë konkurentëve politikë. Sigurisht edhe me ndihmën e disa kompanive shumëkombëshe, që do të mund të sjellin më shumë punësim dhe një suport për mosrrënimin e plotë të ekonomisë. Madje edhe një përmirësim sipërfaqësor të saj, në këmbim të të gjitha burimeve natyrore e nëntokësore të këtij vendi kaq të pasur për frymë popullsie që është Shqipëria.

Ilir Meta, për atë që përfaqëson dhe forcën politike që ka pas, është padyshim pengesa më e madhe e momentit, për realizimin e një platformë të tillë, për të cilën disa këshilltarë të tij, mendojnë se është thjesht një teprim, paranojë dhe teori konspirative.

Mirëpo Meta, mjafton të mos harrojë politikisht sulmet e shtatorit të vitit të kaluar për Çështjen CEZ-DIA dhe të mos harrojë se çfarë energjie negative u grumbullua kundër tij, gjatë muajit korrik, në negociatat për Reformën në Drejtësi. Sulme nga segmente të qeverisë, me qëllim presionin dhe diskretitimin publik, kombëtar dhe ndërkombëtar. Dhe kjo, jo thjesht si pjesë e luftës politike, por si realizim i njërit nënkapitull, të Platformës gjithëpërfshirëse të Ngrënies së të gjitha Kokave. Ku lista është e gjatë.

Meta gabon, kur beson se ky ngërç nuk ka zgjidhje. Qoftë kjo edhe zgjidhja më e kushtueshme politike për të personalisht.

Mosçmontimi i një platforme të tillë, rrezikon një situatë diktature ‘de facto’ në Shqipëri. Edhe nëse Meta, mendon se mund të dalë vetë i paprekur nga ky kërcënim real dhe i strukturuar, do të bënte ‘de facto’, gabimin e tij më të madh politik, të të gjitha kohërave. Duke mosjustifikuar besimin progresiv të elektoratit që e ndjek pas./360gradë.al/

SHKARKO APP