A po godet Prokuroria “Të paprekshmit”?
“Në fakt Spiro Ksera nuk është “kokë e madhë”, sado përgjegjësi që të ketë ai për rastin në fjalë. Spiro Ksera duhet të tregojë përpara drejtësisë nëse është fajtor apo i pafajshëm. Kjo është sfida e tij. Por edhe nëse njihet fajtor, në Shqipëri sërish nuk është dënuar askush. Sepse ata që kanë shkatërruar këtë vend; ata që e kanë vjedhur; ata që e nëpërkëmbin ligjin çdo ditë, nuk janë as Ksera dhe as niveli i tij. Qëndrojnë më lart, aty ku Prokurori ka frikë të ngrejë kokën e të shikojë”…
Nga Blendi Fevziu
Prokuroria ka hedhur së fundmi një hap në atë drejtim që ka qenë pika e saj më e dobët, ndëshkimi i personave me pushtet dhe të fuqishëm. Thënë ndryshe, ajo ka tentuar të godasë “të pandëshkueshmit” siç quheshin rëndom deri tani dhe të verë në bankën e të akuzuarve ata që e kanë shmangur gjithnjë gjykimin dhe ndëshkimin, politikanët. E ka bërë këtë duket dërguar direkt në gjykatë, me mandat arresti, ish Ministrin Spiro Ksera, që akuzohet për një shpërdorim prej 300 milion lekësh përmes fallsifikimit të dokumentave zyrtare. Nuk mund të gjykoj për rastin Ksera sepse as e njoh dhe as ka ndonjë vendim të gjykatës. Në parim, ndëshkimi i korrupsionit është një detyrë e Prokurorisë dhe një kërkesë unanime e gjithë opinionit publik në Shqipëri. Nëse ka vjedhur apo jo Spiro Ksera, do ta vendosë gjykata dhe ai do të mbajë pasojat e atij vendimi. Problemi nuk është tek rasti konkret, por tek pyetja që po shtrohet rëndom këto ditë: A është Rasti Ksera, ose Spiro Ksera, shembulli për të treguar se në Shqipëri ligji po ndëshkon zyrtarët e lartë?! Apo që Prokuroria Shqiptare po prek “të paprekshmit”?! Përgjigja ime do të ishte pa asnjë ekuivok, JO!
Nëse Ksera do të gkykohej si një rast i shkeljes së ligjit apo përfitimeve të paligjshme, gjithçka do të ishte krejtësisht normale. Mjafton që të zbatoheshin procedurat ligjore dhe respektimi i tyre. Do të ishte një rast i zakonshëm, nga ata që duhej ta përshendesnim të gjithë. Për fat të keq, “Rasti Ksera” u shit si goditje ndaj “Kokave të mëdha” dhe gjithë stili i ndalimit duket se i shërbente kësaj ideje. Ksera u prangos dhe u dërgua në burg pa u dëgjuar. U mbyll pas kafazit të hekurt dhe u la në burg pa afat për një krim të cilin prokuroria e ka hetuar deri në fund dhe që mund të gjykohej edhe në arrest shtëpie. U krijua përshtypja se Prokuroria po godiste “politikën” kur në fakt, po godet veç një njeri që nuk ka as ndikim dhe as mbështetje politike. Dikush mund të thotë që s’ka rëndësi nëse beteja nis nga peshqit e vegjël apo ata të mëdhenj, përderisa ajo në fund ndëshkon një njeri për veprimet e tij. Edhe kjo është e vërtetë, por zgjedhja e një personi pa ndikim dhe pa fuqi për ta përdorur si shembull të ndëshkimit të personave të fuqishëm, vetëm sa i bën më të paprekshëm ata.
Prokuroria po përdor atë që në shoqërinë shqiptare njihet si një prej fenomeneve më negative, selektivitetin. Përmes një veprimi të tillë në vend të ndëshkojë korrupsionin ajo në fakt po tenton ta mbrojë atë. Sepse duke tentuar të qetësojë një opinion të mbarsur publik për mosdënimin e njerëzve të fuqishëm me “rastin Ksera”, ajo po tenton edhe fashitjen e një ndërgjegjie dhe reagimi qytetar që duhet përshëndetur. Po tenton ti vërë në gjumë ata.
Nëse Prokuroria do të niste punën e saj normale duhej të jepte përgjigje se kush i vodhi milionat e CEZ dhe cilët politikanë janë përfshirë në atë aferë? Prokuroria duhej të jepte përgjigje për koncesionet në shëndetësi! Nëse ka të drejtë opozita me akuzat e saj apo Qeveria për atë që po bën. Prokuroria duhej të jepte një version më të besueshëm për çështjen Doshi – Frroku, çështje për të cilën u thirr gjithë politika shqiptare dhe sot nuk njihet asnjë fajtor!
Prokuroria duhej të jepte një përgjigje për akuzat e ish opozitës për mazhorancën e sotme, akuza që ende nuk kanë një përgjigje nëse qëndrojnë apo kanë qenë thjeshtë elektorale.
Prokuroria duhet të thotë se si politikanë të rëndësishëm janë në dosjet e saj dhe deri më sot nuk janë thirrur asnjëherë, as për të dhënë shpjegime. Prokuroria duhet të japë emrat e deputetëve të inkrimunuar, që me gjasë, rrezikojnë të mos ndëshkohen asnjëherë. Prokuroria ka gjetur të bëjë shembull Spiro Kserën. Dhe e dini përse? Sepse është i vetmi që si takon asnjë klubi politik. I vetmi që s’ka mbështetje politike dhe që s’i prish punë askujt. Nuk prek interesa dhe nuk zgjon interesa. Kaq! Mjafton statusi si ish ministër për të thënë se tashmë diçka ka ndryshuar dhe po goditen kokat e mëdha! Në fakt Spiro Ksera nuk është “kokë e madhë”, sado përgjegjësi që të ketë ai për rastin në fjalë. Spiro Ksera duhet të tregojë përpara drejtësisë nëse është fajtor apo i pafajshëm. Kjo është sfida e tij. Por edhe nëse njihet fajtor, në Shqipëri sërish nuk është dënuar askush. Sepse ata që kanë shkatërruar këtë vend; ata që e kanë vjedhur; ata që e nëpërkëmbin ligjin çdo ditë, nuk janë as Ksera dhe as niveli i tij. Qëndrojnë më lart, aty ku Prokurori ka frikë të ngrejë kokën e të shikojë… (Opinion.al)