A po presin anëtarët e Kushtetueses të këndojë kali?
I dënuari për vjedhje ju përgjigj: “Po, por të paktën kam një vit kohë dhe kush e di çfarë ndodh deri atëherë. Mbase vdes mbreti. Mbase ngordh kali. Mbase vdes unë. Dhe mbase mbase kali mëson vërtet të këndojë”…
Nga Ilva Tare
Një nga shkrimtarët e lashtë, një historian i quajtur Herodoti, tregon historinë e një hajduti që do të ekzekutohej. Kur ushtarët e morën për të kryer ekzekutimin, ai filloi t’i përgjërohej mbretit t’i falte jetën. “O mbret, brenda një viti të premtoj se do t’i mësoj kalit të preferuar të këndojë” .Të burgosurit e tjerë e panë të dënuarin që iu këndonte kuajve dhe ja plasën të qeshurës. “Nuk do ja dalësh dot”,- i thanë atij. “Askush nuk ja del dot”. I dënuari për vjedhje ju përgjigj: “Po, por të paktën kam një vit kohë dhe kush e di çfarë ndodh deri atëherë. Mbase vdes mbreti. Mbase ngordh kali. Mbase vdes unë. Dhe mbase mbase kali mëson vërtet të këndojë”.
Kjo anekdotë po përdoret javët e fundit nga të interesuarit për zbatimin e menjëhershëm të vetting-ut si një ilustrim i asaj çfarë po ndodh me Gjykatën Kushtetuese dhe ankimuesve të ligjit themelor për fillimin e ngritjes së sistemit të ri të drejtësisë. Qëllimi i mbajtjes në sirtarët e anëtarëve me mandat në fuqi apo të skaduar të Gjykatës Kushtetuese të një ligji kaq vendimtar për epokën e re të drejtësisë në Shqipëri është shtyrja në maksimum e gjasave për të filluar tërmetin e pritshëm.
Hipoteza e shtyrjes në kohë nuk është e pakuptueshme nga ata që I tremben pasojave të vetting-ut. Ka nga ata që e thonë publikisht se gjërat mund të ndryshojnë dhe prioritetet e partnerëve bashkë me to. Mund të largohen ambasadorët që janë investuar me kohë të plotë në përmbajtje dhe teknikalitetet e reformës në drejtësi. Madje, kanë filluar tregojnë edhe histori me ikje të parakohshme, gjë që nuk ka të vërtetë sipas burimeve diplomatike.
Por edhe sikur të mos u prishet entuziazmi për vonesë dhe shtyrje të gjatë të vënies në punë të makinerisë së vetting-ut, ëhstë e vështirë të shpjegohet interesi I anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese për të mos dhënë vendim sa më të shpejtë për këtë cështje. Në kushtet aktuale sistemi është në kolaps dhe Ministri I Drejtësisë Ylli Manjani dha alarmin në Tonight Ilva Tare për pamundësinë e institucioneve për të vepruar në kushtet e miratimit të Kushtetutës së re dhe mbetjes në fuqi të së vjetrës.
Paraliza e korpusit të institucioneve që duhet të garantojnë dhënien e drejtësisë është sërish një faturë që shkon në llogarinë personale të qytetarëve shqiptare. Shkelësit e ligjit, të frikësuarit, të inkriminuarit janë të kënaqur me bllokimin e qëllimshëm jo vetëm si përfitues të tij, por ndoshta edhe si sponsorizues të interesave që e kanë kycur ligjin në gjykatën me fuqi supreme në vend.
Në këto kushte, gjyqtarët aktualë të Kushtetueses nuk u bënë të njohur nga publikimi I emrave në analizën e Mustafa Nanos, apo në raportimet e shpeshta në Bruksel, Ëashington dhe Venecia. Me apo pa negociata ata nuk duhet të ngarkohen me përgjegjësi. Autorët e vonesës nuk janë vetëm ata. Frymëzuesit e shtyrjes pa afat duket se i kanë të varura shpresat në ndryshimin e rrethanave dhe faktorëve që I përcaktojnë ato. Mbase, selitë perëndimore nuk do të insistojnë për zbatimin sa më parë të vetting-ut. Mbase, shqiptarët në zgjedhje nuk i penalizojnë autorët e vonesës apo mosdashjes. Mbase, vitin tjetër gjyqtarët me problem ikin vetë nga sistemi. Mbase këndon dhe kali I Heroditit. Por, Kushtetuta do të jetë e pamundur të mos zbatohet. Nesër, vitin tjetër apo pas dhjetë vitesh. “Javanews”