A vepron si duhet BE kundër “Shtetit Islamik”?

Që i ashtuquajturi “Shteti Islamik” nuk mund ta humbasë rëndësinë vetëm duke u bombarduar, këtë duket se Perëndimi e ka kuptuar. Po a i bën ai të gjitha ashtu si duhet në luftë kundër terrorit?

Ai që do të shpëtojë nga milicët vrastarë duhet të shohë më parë me shumë vëmendje, pse arritën ata të forcohen kaq shumë. “Ata nxorën përfitime nga luftërat dhe shpërbërja e shteteve”. Në këtë përfundim arrin Richard Atwood, nga Instituti i Studimit të Konflikteve “International Crisis Group”, i cili sapo ka publikuar një studim të gjerë për ngjitjen e “Shtetit Islamik”. Që kaosi dhe lufta civile – si këtu në Irak dhe në Siri – u ofrojnë organizatave terroriste kushtet më të mira për t’u zhvilluar, këtë e njihnim që nga Al Kaida në Afganistan.

Tek “Shteti Islamik” shtohet që vitet e fundit ai ishte gjithmonë i sigurtë që armiqtë e tij luftonin në radhë të parë njëri-tjetrin. Atwood ndalet në këto rivalitete. “Po të shohësh për shembull rivalitetin midis Arabisë Saudite dhe Iranit, atëherë vjen në përfundimin: suksesi i shtetit islamik dhe riforcimi i Al Kaidas ka të bëjë më tepër me gabimet e armiqve të tij se sa me fuqinë vetjake.”

Ndërkohë është arritur që të sillen në një tryezë të përbashkët negociatash jo vetëm armiqtë për vdekje Iran dhe Arabi Saudite, por edhe Rusia, SHBA dhe BE. Pasi të jetë frenuar lufta civile midis pushtetmbajtësit Assad dhe kundërshtarëve të tij, atëherë përqendrimi te terroristët islamikë mund të jetë i plotë, kjo është strategjia ku mbështeten për momentin evropianët.

“Në qendër të negociatave në fillim nuk duhet të ishte çështja nëse Presidenti Assad do të qendrojë apo të largohet nga posti”, këshillon Richard Atwood në intervistë me ARD-në. Ai megjithatë nuk ka asnjë dyshim, se është pikërisht Assadi me mënyrën e tij brutale të veprimit kundër kundërshtarëve të regjimit që e mundësoi suksesin e “Shtetit Islamik”. Përsa i përket së ardhmes, nga pikëpamja e International Crisis Group është vendimtare, që grupi fetar i sunitëve, prej të cilit ushqehet “Shteti Islamik” nuk duhet të mbetet as në Irak dhe as në Siri i zhgënjyer si para suksesit të “Shtetit Islamik”. “Shteti Islamik është një produkt i shumë gjërave, por pikërisht në Irak ai është produkt i përjashtimit të sunitëve”.

Pjesë e “Strategjisë rajonale” të projektuar nga BE është: kujdesi që pas çlirimit të zonave nën sundimin e “Shtetit Islamik” në Irak dhe në Siri të mos ndërmerren akte hakmarrjeje ndaj sunitëve. Dhe që përjashtimi të mos nisë nga e para. Nëse kjo taktikë do të ketë sukses, kjo nuk është vendosur ende. Perëndimi duket se po mëson nga gabimet e bëra në të kaluarën – pa qenë i garantuar tani në këtë mënyrë suksesi në luftën kundër terrorit.

Edhe tek një rrethanë u tërheqin vëmendjen evropianëve studiuesit e International Crisis Group: nuk do të jetë e mjaftueshme që të shkatërrohet i ashtuquajturi Kalifat i “Shtetit Islamik” në Siri dhe në Irak. Po të duan ta frenojnë terrorizmin, ata duhet t’u drejtohen edhe atyre, që janë të gatshëm të bashkohen me milicët: rinisë në qytetet e mëdha evropiane.

SHKARKO APP