Absurdi i “opozitës së re”
Nga Gavrosh Levonja –
Krijimi i “grupeve parlamentare” me deputetë të ardhur nga “stoli i rezervave” i ka hapur rrugë spekulimeve nga më të ndryshme lidhur me të ardhmen e partive kryesore të opozitës, në radhë të parë PD-së. Në ekranin e njërit prej televizioneve të Shqipërisë, Besnik Mustafaj foli dhe mbi mundësinë e dhënies së siglës së PD-së, Rudina Hajdarit nga ana e kryeministrit, Edi Rama. Pavarësisht shanseve sa mund të ndodhë diçka e tillë, në një vend si Shqipëria ku edhe absurditeti më banal është i mundur, asnjë hipotezë nuk mund të përjashtohet. Mjafton të kthehemi pas në vitet 90, kur Berisha dhe PD, duke përfituar nga mosmarrëveshjet në disa prej grupimeve politike të asaj kohe me lehtësi futën nën kontroll disa prej partive opozitare të atëhershme duke mbështetur njerëz që për arsye të ndryshme u vunë në shërbim të tyre. Pasojat e lojës diversive nga ana e pushtetit në atë periudhë më shumë se kushdo do t’i vuanin pasardhëset e opozitës tradicionale “Balli Kombëtar” e sidomos “Legaliteti”, ku pushteti caktonte se cilit prej fraksioneve i takonte e drejta për t’u konsideruar si përfaqësues legjitim duke mos përfillur vullnetin e anëtarësisë e simpatizantëve të partive në fjalë. Madje dhe ndaj PS-së nuk munguan përpjekjet për të nxitur një luftë të brendshme, ku të favorizuarit do të ishin të pakënaqurit nga Nano i burgosur, të cilët presidenti Berisha i cilësonte “malëshovistë”.
Pas kalimit në opozitë, PD do të ishte dhe vetë objekt i diversionit të PS-së tashmë në pushtet. Konkretisht, partinë e krijuar nga Genc Pollo e Tritan Shehu, e cila u mbështet hapur nga qeveria socialiste, Berisha do ta quante “opozita e emëruar”. Veç kësaj në fillimin e viteve 2000, do të lindte ai që u quajt “trafik deputetësh”, ku deputetë të opozitës për ndonjë arsye ose thjesht për interesa personale, zakonisht përfitim material nuk do ta kishin për gjë të kalonin në krahun e koalicionit në pushtet. Në një rast, kur do të votohej për një amendament që nuk i interesonte qeverisë disa deputetë opozitarë votuan kundër ndërkohë që disa të tjerë nga radhët e “aleatëve” që në fakt mandatin e deputetit e kishin dhuratë nga PD, nuk erdhën të votonin, gjë që e detyroi Berishën të shprehej se “kanë fjetur në furriqet e Dukës…” (Agron Duka, atëherë ministër i bujqësisë, por që kishte dhe një biznes pularie)
Edhe Edi Rama i ardhur në krye të PS, pas dorëheqjes së Fatos Nanos, do ta provonte shijen e hidhur të trafikimit parlamentar kur falë votave të disa deputetëve socialistë, Topi i Berishës do të bëhej president i vendit. Duke i u kthyer aktualitetit nëse ligji zgjedhor do të ishte normal për vendin e mbetur vakant në radhët e deputetëve të një partie duhej ta vendoste elektorati i zonës së përfaqësuar nga deputeti që ka dorëzuar apo “djegur” mandatin, nëpërmjet zgjedhjeve të pjesshme. Gjithashtu, duke qenë i varur direkt nga vullneti i zgjedhësve dhe jo nga partia së cilës i përket vota e tij do të ishte në interes të komunitetit të cilin përfaqëson.
Mirëpo, ligji zgjedhor në Shqipëri, në vend të deputetit të popullit ka bërë që deputeti të jetë i partisë, pasi kjo, i vendos apo i heq emrin nga lista, madje pas vitit 2008 deputetët e forcave politike janë “deputetë të kryetarit” gjë që i ka degjeneruar më tej partitë politike në Shqipëri, në radhë të parë ato që kanë “bërë ligjin” në jetën politike të vendit.
Si pasojë, në rastin konkret, vendimi për të braktisur deputetllëkun duhej të ishte ligj për çdo deputet përfshi dhe “lojtarët rezervë”, dhe mosrespektimi i këtij vendimi të marrë nga forumet e partisë, duhej të shoqërohej me masa ndaj të pabindurve, përfshi dhe përjashtimin. Dhe, në rastin e një force politike mirëfilli demokratike duhej të ishin strukturat e saj, në radhë të parë ato në bazë që duhej t’i a kërkonin lidershipit përjashtimin e tyre.
Hezitimi i forumeve drejtuese të PD-së në këtë drejtim është dhe mospërfillje e dënueshme ndaj sakrificave të atyre mijëra protestuesve të cilët provojnë mbi shpinën e tyre qoftë pasojat e mëkateve të qeverisjes por edhe ujit e gazit lotsjellës të ministrit, Leshi. Më e keqja është se pasiviteti ndaj atyre që quhen “opozita e re” do t’i shtojë orekset e pushtetit të Ramës, që pas krijimit të të ashtuquajturit “grup parlamentar të PD” që në realitet tashmë nuk ka asnjë lidhje me PD-në të hedhë hapin tjetër duke i legjitimuar si PD.