“Administrimi i shtrënguar” i pandemisë dhe pjekuria e shoqërisë…
Nga Gëzim Tushi –
Mospërfillja e rreziqeve të virusit Covid-19 që shfaqet rëndomtë në sjelljen sociale të disa individëve nuk duhet neglizhuar, as duhet parë me indiferencë sociale. Përkundrazi kjo sjellje që tani ështa qartësisht anti-shëndetësore dhe kundër-urbane, duhet vlerësuar si një “mundësi e keqe” e përdoruar në mënyrë tejet të gabuar nga jo pak njerëz. Sepse kjo mënyrë e rrezikshme të sjelluri, qoftë nga pakujdesia apo injoranca përbën kërcënim seërioz. Jemi në situatën shëndetësore më të agravuar se kurrë, kur virusi megjithë masat e marra nga shteti dhe institucionet e tjera të sigurisë dhe shërbimeve socio-sanitare, ka sjellë një gjëndje të përgjithshme anomie sociale dhe paqartësie medikale, e cila ka prekur jo pak ashtin e kërkuar të rregullimit shoqëror të situatës publike.
Në këto kushte është e pafalshme, madje shoqërisht e pamoralshme dhe ligjërisht duhet të jetë e dënueshme, që njerëzit të jenë mospërfillës ndaj rrezikut, të nëpërkëmbin rregullat standarte të mbrojtjes dhe kujdesit, duke i bërë kështu një dëm të madh, shpesh të parikuperueshëm dhe me pasoja fatale vetes dhe të tjerëve.
Besoj se gjëndja e pandemisë virusale, është nga rastet e rralla kur shoqëria shqiptare por jo vetëm, është ndodhur përballë situatave të tilla të vështira për tu menaxhuar dhe përballuar, kur është imperative dhe ingredient i veprimit kompaktësisht të bashkuar të diagnostikimit, terapitë mjekësore edhe nevojës së integruar të zbatimit njëherësh të sanksioneve sociale e ligjore. Tani të gjithë jemi të bindur për nevojën imediate e urgjente, të zbatimit me cdo kusht të protokolleve mjekësore për parandalimin e përhapjes së virusit dhe kufizimin e përmasave të pandemisë.
Kjo do të thotë që si qytetar dhe shoqëri e qytetëruar në mënyrë konsensuale dhe me bindje qytetare, duhet të mbështesim të gjitha urdhërat e ekspertëve, urdhëresat shtetërore, sanksionet juridike e sociale. Kjo do të thotë se nuk mund dhe nuk duhet toleruar cdo lloj sjelljeje individuale e devijuar nga protokollet mjekësore dhe shkelja e masave administrative të restriksionit social. Sepse koha po vërteton, se një nga shkaqet thelbësore, kryesore, në mos e vetme është rruga e përhapjes së virusit dhe zgjerimit të kufijve të pandemisë nëpërmjet infektimit në hapësirat e përbashkëta të jetës sociale, e cila po shoqërohet me pasoja të rënda për shëndetin individual dhe atë publik.
Është absurd, paradoksale të tellemi dhe të mos vlerësojmë në këto momente “cmimin e jetës”. Sociologjikisht është fare e qartë se kushtet e pandemisë kërkojnë shumë masa mjekësore, ndërhyrje të menjëhershme të natyrave të ndryshme. Por absolute përvec shumë gjërave të tjera, është kërkesa ultimative për një Rend Normativ Ligjor, i cili është me sa duket kushti i parë që garanton dhe mbron parametrat e shëndetit publik. Në këtë kontekst, kudo në botë këto kohë kanë qënë fare evidente masat restriktuese, sanksionet ligjore e sociale për njerëzit e pabindur, qytetarë të crregullt apo anarkistë social.
Shteti prandaj është, prandaj ka edhe sanksione ndëshkuese me anë të të cilave e detyron njeriun e pabindur për të zbatuar rregullat mjekësore dhe sanksionet sociale detyruese, në emër dhe në favor të shëndetin individual dhe publik. Kush i shkel ato doemos që ndëshkohet. Në këtë kontekst shteti është për të kërkuar “pritmëri të detyrueshme”, për kundër sjelljes së qytetarit anarkist që kërkon edhe në situate të infeksionit pandemik “pritmëri të preferueshme”, për të plotësuar qejfet e tij.
Ne duhet ti themi të metat dhe ti pranojmë të vërtetat e sjelljes tonë sociale ashtu sikurse ato janë, pa zbukurime dhe eufemizma. Ndeshet shpesh këto kohë të gjëndjes virusale një shfaqje brutale e një lloj megalomania injorante. Në këto kushte sikurse duket qartë jemi në momentet kur na duhet një model i “administrimit të shtrënguar” të zhvillimeve të situatës pandemike. Kjo logjikë është në favor të “fatit të shoqërisë”, prandaj duhet me qënë të rreptë me individët mendjelehtë, arrogantë e anarkistë. Kjo kërkon që si shoqëri së pari të ndërgjegjësohemi për pasojat fatale të gjithë formave të “mosbindjes mjekësore”. Sociologët duke e vlerësuar këtë moment si shumë të rëndësishëm, janë të mendimit se pasojat e “mosbindjes mjekësore” janë më të mëdha e më të rrezikshme se të gjitha format e tjera të mosbindjes civile.
Mbase kjo sjellje është është pjesë përbërëse e një lloj kulture historikisht të deformuar, e bashkuar me një lloj manie sociale të njohur të njerëzve tanë që kanë qejf shkeljen e rregullave dhe preferojnë dëshirën argëtuese, që të mos i binden kërkesës për disiplinë të përbashkët sociale.
Këto kohë të luftës së egër me virusin dhe rreziqet e shtuara të përditshme me pandeminë, njerëzit filluan të mësohen, të ndërgjegjësohen, të përshtaten me të drejtën e ndërhyrjes së shtetin në sistemin e njohur të lirive dhe të drejtave demokratike e qytetare. Ka gati një vit që pjesa më e madhe e shoqërisë ka krijuar një ndërgjegje adekauate, duke nxjerrë mësimet e duhura, duke pranuar një lloj të ri bashkëjetese me “lirinë e restriktuar” të bashëkë shoqëruar me vendime dhe urdhëra administrativë të shtetit. Në fakt ky qëndrim i shtetit nuk është diktatorial apo autoritarist. Përkundrazi shumica e qytetarëve janë solidarizuar, i kanë mirëpritur, madje në shumë raste e kanë kërkuar këtë intervenim administrativ të shtetit, duke e konsideruar atë si qëndrim human, shprehje të vendosur të përgjgjëshme për të mbrojtur popullatën dhe shëndetin publik.
Sepse prezenca e “lëvizjeve gati nomadistëve” dhe peripatetizmi i njerëzve në rrugë dhe ambiente publike, përbën shqetësim dhe është një nga shkaqet themelore të përhapjes së virusit në popullatën tonë. Për këtë arsye nuk mund të bëjmë fajtor, as të anatemojmë shtetin për masat e marra në mënyrë të detyruar, si e vetmja mënyrë për të administruar më mirë situatën e vështirë, të turbullt e kaotike të pandemisë në Shqipëri. Shteti i ka përdorur të dy levat e administrimit të situatës sociale, të kontrollit të “lëvizjeve patogjene” të njerëzve, duke determinuar mënyrat e sjelljes sociale dhe individuale me komponentin e sanksioneve kufizuese, por dhe me komponentin e këshillimit pedagogjik për të rregulluar sjelljen sociale, për ta sjellë atë në parametrat e qëndrimeve të ndërgjegjëshme “anticovid”.
Disiplina sociale, kontrolli dhe kufizimi i lëvizje të padobishme kanë qënë konditë sine quan non, për të cilat shteti nuk ka bërë lëshime, duke zbatuar këshillat e “komitetit të ekspertëve”, pushtetin e dijes dhe ekspertizën e tyre, duke parë dhe vlerësuar këshillat e OBSH, praktikat e mira të administrimit të situatës nga shtete dhe qeveri të tjera të lindjes dhe perëndimit, mënyrat si ata kanë mundur të orientojnë dhe kufizojnë lëvizjet e parregullta, që janë “aleatët më patogjenë” të sëmundjes dhe përhapjes së përshpejtuar të virusit Covid-19.
Është ndjerë në eterin social një lloj kontestimi ndaj masave kufizuese dhe veprimeve admistrative restriktuese të qeverisë, në emër të një lloj arsyetimi fare semplist, sipas të cilit pandemia po bëhet shkak për ndërhyrje të tepërta të shtetit të cilat cënojnë raportet klasike të lirisë sociale dhe përgjegjësinë individuale. A është i drejtë ky arsyetim i “kulluar” politik për tu bërë në situata të tilla, në kushtet e një epidemie të zgjeruar patologjike?
Është tezë e njohur që në asnjë kohë nuk ekziston liria e “kulluar”, pa qënë e lidhur edhe me përgjegjësinë individuale. Ky ekuacion universal politik nuk vepron në ajër, nuk është një formulim thjesht dogmatik, i larguar dhe i pavarur nga kontektet në të cilat vepron. Qofshin ekonomike, politike, sociale dhe medikale. Rasti aktual i pranisë së virusit Covid-19 të shndërruar tashmë në një pandemi globale, duhet vlerësuar jo vetëm në ndikimet mjekësore për shëndetin individual dhe publik, por dhe në interferencat diktuese të një lloj ndryshimi në raportet midis lirisë dhe përgjegjësisë individuale.
Kjo do të thotë që si kurrë më parë duhet nga njëra anë të mos cënohen të drejtat e individit, por nga ana tjetër nuk është e udhës që individi duhet të njohë edhe detyrimet e tij. Në këto momente të gjithë duhet të bëjmë cfarë të mundemi, për të ringjallur shpresën individuale dhe optimizmin social, si kusht për të garantuar ekuilibret e domosdoshme të jetës normale. Por natyrisht duke vlerësuar faktin që edhe situata e post-pandemisë do na detyrojë të përdorim piketa të reja të orientimit privat apo publik, individual apo social qoftë. E sigurt është, që në se nuk zbatojmë protokollet e mbrojtjes nga infektimi, modulet e mjekimit antivirus, rezultati në shoqëri do të jetë tejet toksik.
Në këto kushte ajo që është imperative dhe duhet zbatuar pa lëkundje, me urgjencë është fakti që në këtë betejë të ashpër, të zgjatur dhe që akoma nuk po i duket fundi, na duhet një “kornizë” e qartë e veprimit institucional, e cila sikurse thonë sociologët duhet të jetë në “formë peme”, me struktura të vendosura shtetërore, mjekësore, sociale e individuale, ku secili në vendin e vet. Qoftë individualisht apo edhe si shoqëri në tërësi. Ajo që kërkohet në këto momente është bashkimi në një front i masave, trajtimi mjekësor i sëmundjes, me veprimet fleksibile administrative dhe ndërhyrjet utilitare të shtetit. Por këto masa nuk mjaftojnë se atyre nuk u atashohet ajo që është kryesore: pjekuria sociale e shoqërisë.
Kjo është gjëja që kërkohet me rigorozitet ligjor, individual dhe intransigjencë sociale. Masat e kërkuara në luftën me virusin nuk janë cështje dëshirash subjektive personale. Ndaj është e pashmnagsme nevoja e veprimit, përvec të tjerave edhe e forcës së ligjit. Megjithatë në analizën sociologjike të kësaj situate, personalisht mendoj se megjithë disa të meta të konstatuara, ka një reflektim social adekuat, që shprehet në shkurtimin e distancës midis “kohës së shfaqjes” së virusit dhe “kohës së ndërgjegjësimit social” të njerëzve që kanë kuptuar rreziqet e tij. Kjo është ajo që kërkohet më shumë se cdo gjë tjetër…
Gëzim TUSHI, sociolog
Mjeshtër i Madh