Adoleshenca e vonuar e Evis Kushit
Forum E Martë, 15 Dhjetor 2020 14:16
Nga Elona Caslli –
Unë nuk e njihja Evis Kushin. E njihja veçse si imazh, pasi bënte pjesë në grupin e të dalldisurave që fotografohen sistematikisht nga i famshmi Agim Rama. Ditën që u caktua në krye të Ministrisë së Arsimit, Evis Kushi bëri një deklaratë- Do nderoj Elbasanin dhe Partinë Socialiste.
Më mjaftoi veç kjo deklaratë për të ravijëzuar panoramën e plotë për këtë grua. Një grua që vihet në krye të një ministrie dhe lëshon deklarata krahinore dhe partiake, është një grua e papjekur që po përjeton adoleshencën e vonuar.
Fatkeqësia në këtë rast është se Evis Kushi vjen nga bota akademike. Ka dhënë mësim në auditorët e universiteteve dhe në parim duhet të ishte më e vetëdijshme për postin që mban në krye të Ministrisë së Arsimit.
Për fat të keq në sjelljen e Evis Kushit, mund të vësh re gjithçka veç vetëdijes akademike.
Evis Kushi sillet si një adoleshente. Bredh nga shkolla në shkollë me kamera dhe me fotografë pas vetes dhe këtë e quan punë. Bredhjen e përligj me faktin se duhen monitoruar shkollat për zbatimin e rregullave në luftën me armikun e padukshëm, ndërkohë që nuk i takon një ministreje ky proces.
Në postimin e fundit të Evis Kushit, vihet re një foto e adoleshentes përballë kompiuterit në zyrë.
Në këtë postim adoleshentja Kushi, na prezanton me ekzistën e një grupi deputetësh që Kushi i quan ” Miqtë e fëmijëve”.
Me pak fjalë, kemi një grup deputetësh që kanë zënë miqësi me disa fëmijë. Deputetët nuk kanë emra dhe nuk dihet se për çfarë shërben kjo miqësi me fëmijët. Këtë e di Evis Kushi.
Ne taksapaguesit duhet të mjaftohemi me kaq.
Megjithatë, Evis Kushi në bisedën “online” me deputetët i informon se ka marrë të gjitha masat e duhura për miqtë e tyre.
Dhe këtë proces Evis Kushi e quan punë.
Post Scriptum- Shqipëri 2020