Aeroporti i ri i Erdoganit , më i madhi në Botë
Nga Deutsche Welle
Aeroporti pason pas ndërtimit të pallatit pompoz presidencial me 1000 dhoma, gjashtë herë më i madh se Shtëpia e Bardhë. Megaprojektet e ndërtimit në Turqi janë shpallur si prioritetit i presidentit Erdogan. Në mbarë vendin po realizohen ndërtime gjigande. Më 2023 republika e Turqisë feston 100 vjetorin e saj. E deri atëherë duhet të kenë përfunduar këto projekte, me të cilat Erdogani synon të sigurojë vendin e tij në histori.
Aeroportin gjigand shumë e shohin si simbol të një Turqie ambicioze. Por ai do të jetë edhe një simbol i pushtetit në rritje të Presidentit Erdogan. Rregullisht, presidenti i shtetit interesohet personalisht në kantierin e ndërtimit, si po ecin punët. Aeroporti do të mbajë më vonë emrin e tij.
Pro dhe kundra aeroportit të ri të Stambollit
Shtetëzimet e tokave përreth u bënë me detyrim, sepse sipas autoriteteve ato i shërbejnë një qëllimi më të lartë: aeroporti i madh do ta bëjë më në fund Stambollin kryqëzimin më të rëndësishëm midis Lindjes dhe Perëndimit, midis Evropës dhe Azisë. Vetëm pista për uljen dhe ngritjen e avionëve do të ketë gjashtë. Që pas dy vjetësh do të përurohet segmenti i parë i ndërtimeve.
“Territori i aeroportit do të arrijë deri 300 metra pranë fshatit tonë. Bujqësinë atëherë mund ta harrojmë. Më shumë se dy të tretat e tokave tona na i morën thjesht pa na dhënë asnjë shpërblim”, thotë një blegtor në fshatin Yenikoy pranë kryeqytetit.
Mbrojtësit e mjedisit ankohen për humbjen e sipërfaqeve gjigande me pyje. Por për konsorciumin e ndërtimit, këto janë ankesa që frenojnë përparimin. Në fshatin Yenikoy në Detin e Zi kanë mendime të ndryshme për aeroportin gjigand fare pranë fshatit.
Shumë vetë kanë gjetur punë në kantierin e ndërtimit dhe presin impulse ekonomike nga aeroporti. Disa i shikojnë fshatarët që ankohen si bukëshkalë: “Si qytetarë të këtij vendi ne jemi krenarë për aeroportin e ri. Me të ne do të jemi përfundimisht një vend i zhvilluar plotësisht. Për këtë na kanë zili jashtë vendit. Dhe prandaj përpiqen të flasin keq.”
Yusuf Akcayoglu: “Kur e morën ne këtë zonë ajo ishte djerrë. Me një pamje të shëmtuar. Ne tani po ia ngremë vlerën, duke bërë punime. Në këtë kuptim, mbrojtësit e vërtetë të ambjentit jemi ne.”
Autostradat që të sjellin në aeroport presin sipërfaqen më të madhe pyjore të bashkuar të Stambollit. Shumë lloje zogjsh i kërcënon humbja e njërës prej zonave më të rëndësishme të pushimit. Dhe stambollasit i kërcënon humbja e mushkërive të gjelbra të metropolit të madh.