Aeroporti “Nënë Tereza”, historia e një koncesioni në harresë

Petrit Sulaj
Petrit Sulaj

Nga Petrit Sulaj*

Jam shprehur dhe më parë në lidhje me kontratën koncesionare të Aeroportit “Nënë Tereza” Tiranë, sipas mendimit tim kontrata më e suksesshme lidhur nga Qeveritë e Shqipërisë ndër vite. Megjithë këtë fakt, zbatueshmëria dhe monitorimi i realizimit të kësaj kontrate ka çaluar dhe çalon.

Për ta argumentuar këtë po ju paraqes një fakt të thjeshtë. Që nga fundi i vitit 2018, përmes këtij aeroporti fluturuan mbi 3 milionë pasagjerë. Bazuar në këtë fakt, por dhe master planin e zhvillimit të aeroportit, miratuar nga KKRRTSH si detyrim ligjor përpara miratimit nga Parlament të kontratës koncesionare, me ligjin nr 9312, datë 11.11.2004, duhej të kishte filluar faza C e zgjerimit të terminalit të pasagjerëve që në vitin 2016, bazuar në këtë master plan ose në momentin që u arritën 3 milionë pasagjerë në vit. Për më tepër TIA ka bazuar në këtë kontratë koncesionare, detyrimin që të paraqesë përpara OSHA ( Organit Shtetëror i Autorizuar), dhe PIU-t (Njësia e Zbatimi të Projektit pranë Ministrisë Transportit), master planin e  përditësuar për miratim dhe më pas të vazhdonte punën për zgjerimin e Terminalit të pasagjerëve.

Sipas parashikimit was të master planit të miratuar në KKRRTSH, por dhe vetë parashikimeve të kësaj kontrate, Aeroporti duhet të ofronte një nivel shërbimi C sipas Standardeve të IATA-s me aftësi përpunuese maksimale të 1500 pasagjerëve në orë. Të gjithë jemi dëshmitarë se në kohët e pikut të operimeve në Aeroport, jo vetëm ky nivel nuk është ruajtur, por ne shohim radhë të gjata të pasagjerëve që nuk shërbehen sipas standardit. Drejtuesit e TIA-s më tepër janë të interesuar për zgjerimin e hapësirave për dyqanet në zonën e terminalit, prej të cilave vjelin fitime në kurriz të standardit të shërbimit të pasagjerëve.

Ndërkohë Institucionet që kanë për detyrë monitorimin e aktiviteteve të TIA-s nuk kanë qenë të afta të kërkojnë zbatueshmërinë e pikave të kontratës koncesionare dhe të anekseve të saj. Është mirë që Qeveria mendon për ndërtimin e Aeroporteve të rinj në Vlorë apo Kukës, por kjo nuk duhet të bëjë që ajo së bashku me institucionet e saj të varësisë, të mos kërkojnë nga TIA zbatimin e kontratës koncesionare. Kjo është njësoj si një prind që kujdeset më shumë për fëmijë që mendon se do të lindin, sesa për atë që aktualisht është në jetë.

Koha kalon me shpejtësi dhe nëse nuk do të veprohet me vendosmëri, ndoshta përsëri ne do të gjendemi para situatave jo të pëlqyeshme në Aeroport, situata që mund të kenë pasoja si operacionale por edhe financiare. Në situatën që kalojmë sot, pas tërmetit dhe pandemisë është pothuaj e pamundur hapja apo ndërtimi i 3 aeroporteve duke ditur mënyrën si është vepruar deri më tani.

Është detyrim ligjor por dhe moral që Qeveria, Ministritë e linjës që janë përgjegjëse për zbatimin e kësaj kontrate, të sqarojnë publikisht pse kjo kontratë është lënë në harresë, duke theksuar faktin se si rrjedhojë e kësaj neglizhence, shtetit do ti mungojnë mjaft të ardhura dhe pasagjerit taksapagues nuk do ti ofrohet shërbimi sipas standardit.

*Ish-Drejtor i Aviacionit Civil

SHKARKO APP