Afër Nënës Terezë prej gjakut, larg prej mëshirës
Nga Enkel Demi
“Do na duhet kohë që të mësohemi t’i themi Shën Tereza. Ajo për ne do të mbetet Nënë, ndaj sërish do i themi Nënë Tereza.”
Kështu tha Papa Françesku, teksa mbante omelinë në meshën për shpalljen e Nënë Terezës shenjte.
Sot, Sheshi “Shën Pjetër” ishte mbuluar me flamuj kuq’ e zi. Sapo u bë shpallja e Nënës Terezë shenjte, ngjyrat e kombit të saj fluturuan lart.
Kishte shumë shqiptarë që patën ardhur nga çdo kënd i rruzullit. Për herë të parë duhej sikur shqiptarët ishin shumë sa indianët dhe këta të fundit pak sa shqiptarët.
Megjithatë, gjatë meshës së shenjtë Papa kërkoi që mëshira të udhëheqë jetët tona, dëshira për të ndihmuar tjetrin pa patur nevojë të marrim shpërblimin, ashtu si bëri Nënë Tereza në jetën e saj, të gjatë, të lodhshme, të mundimshme, e cila preferoi ta njohë Zotin tek vuajtja e skamnorit.
A janë shqiptarët aq të zotë të udhëhiqen nga mëshira?
Ata që sot ishin në bash të vendit si burra shteti, nuk e njohin mëshirën, nuk e demonstrojnë atë askurrë.
Ata që ishin poshtë tek pelegrinët, sot kanë marrë një kumt; Krenarë që jemi një me Nënë Terezën prej gjakut, por larg shumë prej mëshirës, aq larg sa India, ku ajo ndihmoi të vobektët.