“Agjentët e Perandorisë”: Kush e ka ditur se Shqipëria e shekullit gjashtëmbëdhjetë paska qenë kaq interesante?
Historia mbisunduese e Noel Malcolmit prej kohës së renesancës sjell kufirin e harruar ku takoheshin Lindja dhe Perëndimi.
Nga Jerry Brotton
Historia, së paku prej kohës së grekëve, është shkruar prej fitimtarëve. Mund të thuhet se vetëm krejt së fundi e ashtuquajtura «histori nga poshtë» ka nisur të sfidojë rrëfimet me histori alternative të «humbësve», të atyre njerëzve dhe vendeve që e kishin të shkruar të mos përmendeshin. Një arkiv i pasur, i lënë në harresë, i jetës së njerëzve të atyre që zakonisht janë humbur në histori, nuk ishte vënë në pah si rezultat i kësaj.
Por çfarë zihet në mes të gjithë kësaj hallakatjeje, diplomatëve, spiunëve, ushtarëve, priftërinjve e përkthyes, që veprojnë si ndërmjetës në drama të mëdha historike të një epoke si ajo e renesancës? Këta njerëz janë çelësi i historisë. Ata shpeshherë përmenden aty-këtu dhe harrohen papritmas, zërat e tyre humbin në shkretëtirë a në dokumente të shkruara të lënë anash apo në shkrime të koduara në një larushi të pasur gjuhësh.
Në «Agents of Empire» («Agjentë Perandorie», v.j.), Noel Malcolmi ka nxjerrë në pah një element të mrekullueshëm të kombinimit të rrëfimeve të fundit të shekullit të gjashtëmbëdhjetë të triumfuesve dhe humbësve të Evropës me ato të ndërmjetësuesve të saj, në formën e kalorësve, piratëve dhe spiunëve, që nuk janë shkruar prej perspektivës metropolitane të Romës, Sevillës ose madje Londrës, por prej këndvështrimit të Shqipërisë dhe bregdetit Adriatik, që shtrihet në pjesën jugore nga Kroacia deri në Greqinë moderne.
Mund të mos ta mbushë syrin Shqipëria si vend prej të cilit të shkruash një rrëfim të Mesdheut, ama, siç argumenton Malcolm në këtë vepër mjeshtërore, është kufiri i harruar aty ku takohen Lindja e Perëndimi, myslimanët e të krishterët, italianët e turqit, aty ku u përplasën, e ku nganjëherë luftuan, por më shpesh u munduan të binin në një gojë. Shqipëria ishte një kufi poroz ku religjioni – prej katolicizmit e protestantizmit e deri në islamizëm e judaizëm – formësoi jetën e njerëzve, por jo me domosdoshmëri të përcaktonte mënyrën e jetesës, dhe ku prosperiteti ose mbijetesa elementare nënkuptonte ndryshimin e vazhdueshëm të aleancave politike, fetare e tregtare që të përmbusheshin nevojat e një bote të sunduar një ditë prej venedikasve e ditën tjetër prej osmanëve.
Duke i bashkuar të gjitha këto qëndrime, Malcolmi i shkon deri në fund jetës së dy familjeve të lidhura shqiptare, Brunëve dhe Brutëve. Rrëfimi i tij nis në qytetin që laget prej Adriatikut, Ulqin në Malin e Zi modern, që në shekullin e gjashtëmbëdhjetë ishte një prej kufijve të fundit të territorit venedikas që kufizohej me Perandorinë Osmane, dhe seli e tregtarit, diplomatit dhe «ndërmjetësuesit dallaveraxhi», Antonio Bruti. Lindur më 1518, Bruti kishte krijuar lidhje me botën e «ndërlidhjeve ndërkufitare, ku besimi në persona me lehtësi do të mund të shndërrohej në armiqësi zyrtare», duke vepruar si ndërmjetësues ndërmjet Venedikut dhe Stambollit, duke mbikëqyrur tregtinë vitale të drithërave dhe duke manipuluar një rrjet të ndërlikuar të lidhjeve e aleancave personale osmane-krishtere, që nuk kishin kurrfarë kuptimi kur vinte puna te ndasitë ndërmjet dy kulturave që tradicionalisht karakterizonin njohjen tonë për rilindjen.
Duke shpërblyer besnikërinë dhe arritjet e tij, Dogji i Venedikut e shpalli Brutin kalorës të Urdhrit të Shën Markut më 1559. Ama nuk ishte i vetmi anëtar i klanit që po përfitonte prej një bote jostabile. Edhe anëtarët e tjerë të fisit do të shëtisnin anembanë Italisë, Ballkanin dhe ishujt osmanë gjatë dyzetë viteve në kërkim të përfitimit tregtar, zellit fetar dhe preferencave politike që do t’u sillnin atyre ndikim të madh, që shpeshherë u kushtonte me çmim të tmerrshëm personal.
Njëri prej kunative, Giovanni Bruni, nuk iu nda thirrjes së tij nëpërmjet kishës, duke u ngritur deri në detyrën e Ipeshkvit të Tivarit, duke u konfrontuar me problemin e një dioqeze që po haste në telashe në territorin osman dhe ishte në garë për ringjalljen e bindjeve fetare luteriane dhe të Kishës Greke. Pozita e Giovannit, si njeri që angazhohej në ballë të frontit kundër «herezive» të përçudnuara të kishës, bëri që ai të fitonte edhe vëmendjen e papatit, që më 1562 e thirri t’i adresohej Këshillit Kundërreformues të Trentit (1545-63), përpjekje e kishës katolike që të vinte shtëpinë e saj nën kontroll dhe t’i kundërpërgjigjej sfidës së protestantizmit.
Derisa Giovanni zbatoi thirrjen fetare, vëllai Gasparo rroku shpatën dhe iu bashkua Kalorësve të Maltës më 1547, tamam atëherë kur sulltani i ri osman, Selimi i Dytë, kërcënonte me një tjetër fushatë detare kundër Maltës dhe interesave spanjolle e venedikase anembanë Mesdheut. Me osmanët që kishin mprehur shpatat për luftë, Ulqini ra në duar të tyre në verën e vitit 1571.
Pushtimi osman ishte katastrofë për shumicën e anëtarëve të familjes: Antonio u vra dhe Giovanni ishte skllavëruar në galerat turke, por Gasparo u bë njeriu i dytë në komandën e aleancës detare të krishterë që konfrontoi flotën osmane në tetorin e vitit 1571. Në njërin prej momenteve më dramatike të veprës, Malcolmi me gjallëri rikrijon tablonë e Betejës së Lepantos, ku u vra Giovanni, mbase vetëm nja njëqind hapa larg vëllait të tij në bordin e anijes me flamurin papal, edhe pse jo në duar të turqve, por duke u sfiduar me spanjollët plaçkitës, që e kapën teksa ai po përgjërohej: «Jam ipeshkëv, jam i krishter».
Si te rënia e Ulqinit, Lepanto kishte shifra të larta të të vrarëve në mesin e familjeve Bruti dhe Bruni, por disa prej nipave të Gasparos mbijetuan dhe ia dolën të vazhdonin traditën e ndërmjetësuesve Lindje-Perëndim, duke vepruar si dragomanë, dhe menjëherë nisën të paguheshin si spiunë të spanjollëve dhe venedikasve, me ndërmjetësim të marrëveshjeve me vezirin e madh osman (që e kishte dashur fati që të ishte i afërt i tyre), dhe u përfshin në emërimin e Vojvodës (sundimtarit princëror) të shtetit klient osman të Moldavisë.
Më 1592, kur një vojvodë i ri ishte emëruar, Bartolomeo e teproi me kërkesat e tij, dhe ishte dërguar krejt papritur në Dnjester (edhe pse Malcolmi zbulon një dimension tjetër të vrasjes së tij, një rrëfim më prozaik që e lidh atë me bela parash). Xhaxhai i tij, Gasparo, ishte shpërblyer për trimëri në Lepanto me komandë në fund të viteve shtatëdhjetë në shekullin gjashtëmbëdhjetë për të mbrojtur enklavën papale të Avignonit nga një kryeneçësi heretike, kësaj here prej hugenotëve protestantë francezë. Ai dërgoi të birin, Antonio, në një shkollë jezuite në Romë, ku e trajnoi për drejtësi, dhe kah vitet tetëdhjetë në shekullin gjashtëmbëdhjetë po e ndihmonte kushëririn e tij Bartolomeon të administronte Moldavinë. Ndikimi i klanit madje arriti deri te agjentët e Mbretëreshës Elizabetha e Parë. Edward Barton, administrator anglez në Stamboll, udhëtoi më 1596 me sulltanin osman, Mehmedi i Dytë përgjatë historisë me dragomanin e tij: Pasquale Bruti, nip i Bartolomeos. Fatkeqësisht, Pasquale pati një fat të ngjashëm me atë të xhaxhait, vrarë prej autoriteteve osmane në Beograd më 1597 me dyshimin se ishte spiun.
Jeta e Brunëve dhe Brutëve, dhe historia që sjellin ata janë më shumë se të rëndësishme, por edhe më të rëndësishme për faktin se kanë elementin kyç të njohurive që na sjell shprushja e kryer prej Malcolmit. Ai kishte hallakatur në dokumente gjithë historinë e Brunëve pothuajse njëzet vite derisa po lexonte një libër italian për shekullin e gjashtëmbëdhjetë të osmanëve. Kjo kishte nxitur atë të krijonte një rast studimor, duke kërkuar nëpër arkiva prej Mbretërisë së Bashkuar deri në Itali e Ballkan, dhe u përfshi në këshillime me mijëra dorëshkrime e tekste në gjuhën shqipe, serbo-kroate, maqedonase dhe rumune, siç e thotë edhe Malcolmi me modesti, «në gjuhë të ndryshme të Evropës Perëndimore».
Tradicionalisht, rrëfimi i Evropës dhe Mesdheut të shekullit të gjashtëmbëdhjetë është rrëfyer sipas trashëgimisë intelektuale greko-romake, që nënkuptonte se shumica e dijetarëve me pak njohuri të greqishtes dhe latinishtes dinin diçka për rilindjen si fillim që niste diku në perëndim të Stambollit (ose Kostandinopojës) në shekullin pesëmbëdhjetë dhe që mbaronte në Anglinë e Tudorit në fillim të shekullit gjashtëmbëdhjetë. Vende si territoret osmane në Evropën Lindore, përfshirë Shqipërinë, thjesht nuk konsideroheshin se kishin farë interesi, por as dijetarët nuk kishin njohuritë e nevojshme për të kuptuar thellësinë e minierës së materialit arkivor që gjendej në to. (Madje edhe Malcolmi kërkon falje pse ka vetëm «njohuri elementare të leximit të turqishtes moderne».)
Problemi ishte lënë në hije edhe prej Luftës së Ftohtë, por edhe kur ra Perdja e Hekurt anembanë Evropës Lindore, historianët ishin frenuar që të merreshin me zbardhjen e rolit të vendeve si Polonia dhe Hungaria në rilindjen e shekullit të gjashtëmbëdhjetë, sepse nuk kishin ide për ndasitë e atëhershme që do të mund të ndikonin në shekujt pasues në Evropë.
Ka shumë pak dijetarë me shkathtësitë gjuhësore dhe vizion historik si Malcolmi, që është një prej arsyeve pse «Agents of Empire» është vepër kaq e rëndësishme. Hapet me vështrime për të ardhmen e kërkimit në zemër të Evropës së renesancës, duke e lëvizur qendrën e gravitetit kohor në lindje dhe larg prej Italisë, pikërisht në kohën kur ngjarjet e fundit në dhe përreth Turqisë mund të provohet se janë vendimtare në fazën e ardhshme të historisë mesdhetare.
Por kini mendjen: dituria e jashtëzakonshme e Malcolmi të mban peng, dhe durimin e lexuesit të thjeshtë mund ta testojnë edhe digresionet e tij të zgjatura për qarkullimin e lajmit, historia e tregtisë së drithërave, pirateria, lufta e galerave dhe spiunazhi. Ky nuk është libër plazhi – veç nëse ia keni mësyrë rivierës shqiptare. Kush e ka ditur se Shqipëria e shekullit gjashtëmbëdhjetë paska qenë kaq interesante?
"Daily Telegraph"