Agron Gjekmarkaj: E sfidoj Edi Ramën në delirin e tij për të na ndëshkuar me 15 vjet burg

Nga Agron Gjekmarkaj

U bë mbi një muaj që Kryeministri i ka dëbuar të gjithë nga hapësira publike dhe në vendin e lënë bosh është ulur këmbëkryq si ia do zemra. Ai flet, llafoset, kërcënon, hungëron, mallkon, lutet, merr urime të tipit t’u “bëftë dita diell”! Të zënë me hallet tona, të mbyllur brenda si e vetmja mundësi për t’i zvogëluar virusit përhapjen, të bindur që kemi një shtet të zhgalitur e të korruptuar, të mbushur përplot me zullapë vulëmbajtës, por më mirë ashtu si e kemi sesa anarkia, kemi shtrembëruar hundën duke ia njohur delirin e vesin. Nuk jemi ankuar edhe aq, paçka se t’i sjell zorrët te hunda, e kemi shtrembëruar atë (hundën) e kemi psherëtirë “aferim”, ta mbështesim sa të kalojë kjo lëngatë.

Sa më shumë tendosemi ne në skrupuj, aq më shumë ai zvogëlon të tijtë. Pasi u vetëdeklarua i përzgjedhur nga Zoti disa ditë më parë, dje, në një shkëmbim mesazhesh në rrjetet sociale me një zonjë, e cila ankohej për vendimmarrësit në këto kohë pandemie, ai la të kuptohej që të gjithë ne që jemi ende gjallë, e kemi jetën prej tij. Faleminderit Edi që na shpëtove! Në Kosovën më të varfër se ne, me masa më liberale, me më pak raste koranavirusi, me shumë pak të vdekur në krahasim po me ne, Albin Kurtit, në krizë politike, deri tani nuk i ka shkuar në mendje të marrë asnjëherë atribute hyjnore, të uzurpojë ekranet, të kërcënojë qytetarët, ta përdorë fatkeqësinë për ego personale apo të tallet me ndihmën ekonomike siç po ndodh këtu.

Të mësuar me të keqen, të përkulur sa më nuk thuhet ndaj saj, do bënim si do bënim sa të kalonte kjo surprizë e hidhur natyrore. Por sot, Parlamenti i mbushur me eunukë, bufonë, surratqerepër e shakllabanë, frotë e skotë, rod servilësh e dhjakësish, bëri një propozim të padëgjuar as në më të egrën e diktaturave, për të dënuar me 15 vite burg çdo person që thyen karantinën. Pa dyshim që karantina duhet respektuar me forcë, por ky propozim tejet, tejet, tejet i ekzagjeruar ka qëllime të pastra politike. Në këto kohë ka raste të suprimimit të lirive si në Hungari, ku Orban i dha vetes pushtet të pakufizuar, të cilat janë një kambanë alarmi sesi abuzuesit mund ta përdorin pandeminë për të shtuar autoritarizmin duke luajtur me panikun dhe frikën e përgjithshme.

Edi Rama, që kur u ul në karrigen e madhe të pushtetit, fjalën burg e ka përdorur rëndom, kërcënimin ka pasur si kryefjalë të diskursit, tentativat për ligje totalitare si ai për “shpifjen” në media, tentativa për shembjen e Teatrit Kombëtar, zgjedhjet moniste, për të kulmuar me kapjen e Gjykatës Kushtetuese si përmbyllje ligje e antiligjshmërisë. Propozimi për 15 vjet burg, sado grotesk e tragjik, ka qëllim të pastër të investojë frikë në shoqëri dhe përkufizimin e Ramës në sytë e saj si dorë e fortë, me të cilin nuk bëhet shaka. I vetmi institucion i pakapur në këtë vend i bie të jetë opozita, e cila deri në këtë moment ka pranuar sfidën e fatit dhe është bërë bashkëpunuese e propozuese, duke u sjellë në përputhje me rrethanat e krizës.

Gjënë e duhur ka bërë! Nëse propozimi diktatorial për të dënuar një veprim, që në vendet demokratike dënohet me gjobë, me 15 vite burg, ajo duhet të alarmohet për shoqërinë dhe fatin e saj. Ajo duhet ta ndryshojë sjelljen e saj, duke u bërë barrikadë për liritë e vëna në diskutim nëse nuk dëshiron të shndërrohet në mekanizëm plotësues i një personi që nuk e ndal arsyeja.

Lulzim Basha duhet të bëhet djalë i keq pa dëgjuar këshilltarët e marketingut e as ambasadat. Pas këtij propozimi haluçinant, pamje kjo shumëdimensionale e një mendjeje të sëmurë për pushtet, nuk mbetet tjetër, veçse një amendament që dënon me ligj çdo mendim apo shprehje kundër qeverisë. Ne duam të shpëtojmë nga koronavirusi, duke ruajtur liritë, jo duke i humbur ato për të ndihmuar Edi Ramën në ëndrrën e tij për një mandat të tretë. Nuk është çudi që Ulsi Manja, ai që i meremeton ligjet me urdhër nga lart, të dalë nesër e të na thotë falënderojeni bamirësin se ju shpëtoi jetën dhe 15 vite burg bëjani kabull.

E kam respektuar deri më sot karantinën me bindje si masë mbrojtëse për veten dhe të tjerët dhe do të vazhdoj ta bëj, por nëse propozimi gebelsian bëhet realitet, jam i pari që do ta thyej atë në emër të një parimi që i jep kuptim jetës, po aq sa shëndeti, në emër të lirisë që njeh për armik dhunën dhe pushtetin e saj. Mbase Edi Rama mund të vrasë ëndrrën e shumëkujt për standarde demokratikë e dinjitet dhe jo të gjithkujt. E sfidoj në këtë përpjekje me shumë vullnet, i bindur që bëj detyrën time modeste si qytetar./ Panorama.al

SHKARKO APP