Agron Gjekmarkaj: Preç Zogaj po sulmohet në mënyrë kamikaze, Stefani t’i kërkojë falje
Debati mes Andrea Stefanit dhe Preç Zogajt pak ditë më parë në emisionin Opinion, vazhdon të shkaktojë debate.
Agron Gjekmarkaj thotë për Mapo se Preç Zogaj është duke u sulmuar në mënyrë kamikaze.
Ai kërkon nga Andrea Stefani që t’i kërkojë falje.
“Preç Zogaj ka dëshmuar kurajë njerëzore, intelektuale dhe politike, duke bërë si askush tjetër transparencë mbi të kaluarën rreth 24 vite më parë, duke rrëfyer historinë e tij me sigurimin e shtetit dhe duke i kërkuar gjykatës shqiptare të shprehet mbi këtë fakt, e cila e çliron atë nga fajësia. Zogaj është njëri prej protagonistëve të Lëvizjes së Dhjetorit, njëri prej themeluesve të PD-së dhe shtypit të lirë, disa herë deputet dhe një intelektual i angazhuar në të gjitha betejat politike në mbi dy dekada, dhe kur nuk e kanë mundur në rrafshin e ideve, në mendim politik, kanë përdorur ato që quhen goditje “poshtë brezit”, duke dalë jashtë çdo debati dhe teme si rikthim tek kjo shenjë. Në këtë kontekst rri dhe sulmi i Andrea Stefanit, i cili dukej i telekomanduar nga jashtë studios, pikërisht kur mungonin argumentet në mbrojtje të qeverisë për çështjen CEZ. Shpeshherë debati në Shqipëri shndërrohet në shërbesëtari të kulluar, duke i munguar ndershmëria në lidhje me ngjarjet, faktet dhe personazhet.
Zogaj, me një profil të fortë opozitar, shihet me shqetësim dhe për këtë sulmohet në mënyrë kamikaze duke vetasgjësuar personin që bën sulmin dhe jo të sulmuarin në imazh. Dy ditë më vonë vetë Stefani u përball me një akuzë për bashkëpunim me Sigurimin e Shtetit, çka do të thotë se nevoja për transparencë dhe hapje totale dosjesh është domosdoshmëri, përndryshe e kaluara do të na dominojë si forcë prapavepruese e së keqes. Ajo do të inkuinojë përditshmërinë tonë duke i dhënë mundësinë të pafajshmit të duket i fajshëm, dhe e kundërta. Zogaj është një njeri me kontribute në kulturë dhe politikë në këtë vend, i cili kryesisht ka zgjedhur t’u bashkëngjitet kauzave opozitare dhe jo atyre te pushtetit, ndaj përbaltjet nuk ngjisin, por thjesht tregojnë se jetojmë në mes të baltës të gjithë, pa përjashtim.
Do të më pëlqente që Andrea Stefani të ndërgjegjësohej për çka bëri dhe t’i kërkonte falje Preç Zogajt, sepse është një gazetar i njohur në vend, me profil të theksuar ideologjik dhe ruan një koherencë të tijën në raport me çështje të caktuara dhe do preferoja që njerëzit t’i kujtonin profesionin dhe jo zellin e telekomanduar në përbaltje. Kërkimi i faljes i bën nder jo vetëm atij, por ofron edhe një model të ri në komunikimin publik.
Zogaj vjen nga një familje kulakësh, me dy të pushkatuar, me disa të burgosur, me shumë privime në shkollim, dhe kjo më duket si tentativë për të përbaltur moralisht të persekutuarit nga bij etërish dhe rrethi familjar i të cilëve janë përfshirë në një proces persekutimi e dhune klasore të pashembullt në Europë. Nga pikëpamja historike, kjo është një tentativë e dështuar. Persekutorët kurrë nuk do të kenë avantazh etik ndaj viktimave, pavarësisht ndaj çdo lloj truku që përdorin apo yshtje pushteti që i përdor. Komunizmi dhe ithtarët e tij ishin fatkeqësia më e madhe e këtij vendi dhe turpi rri mbi krimet e tij, strukturat kriminale dhe njerëzit që u shërbyen si lubrifikant. Preç Zogaj është njëri prej shkrimtarëve më të njohur të vendit, një zë i arsyeshëm mes shkumëzimeve; dje dhe sot, fatkeqësisht, shkrimtarët u nxorën nga tempulli dhe vendin e tyre e morën kriminelët, ndaj sot flasim për dekriminalizim. Ata që dhunuan një popull duke e privuar nga çdo liri, duke e reduktuar individin në dinjitet shtaze, nuk mund të kenë kurrë asnjë tagër etik mbi të dhunuarit e tyre, asnjë. Në emër të kujt e bëjnë këtë gjykim, në emër të etërve xhelatë? Gjykojnë në emër të humanizmit dhe dinjitetit të tyre? At Zef Pllumi në kujtimet e tij shkruan: “Si mund të jenë prindër kriminelët, ujqërit dhe ulkonjat…ç’fëmijë mund të pjellin…si munden atë të jenë krenarë? Si munden ata të jenë krenarë? Zot, fali”. Këtu nuk kam parasysh Andrea Stefanin, se nuk ia njoh rrethin familjar, por shumë të tjerë më të rëndësishëm se Andrea”, shprehet ai.