Agron Tufa: Votoni kundër ripërtëritjes së diktaturës

Nga Agron Tufa – Arsye minimale për të votuar kundër zgjatimit të PPSH-PS:
– Të ndërpritet rrënimi katastrofik i Shqipërisë për pasurimin e klientelës nepotike të oligarkëve të lidhur me pushtetin;
– Të ndalohet braktisja dhe boshatisja e vendit që po shpopullon fshatrat dhe qytetet tona;
– Të marrë fund e të çmontohet instalimi në pushtet i prokurorëve, ish-hetuesve dhe ish gjykatësve të komunizmit, ish-Sigurimit të diktaturës dhe veglave të tyre;
– Të sfidohet ngushtimi dhe likuidimi i lirive qytetare, i mbylljes së gojës nën presion të vazhdueshëm qeveritar;
– Të marrë fund militantizmi dhe mercenarizmi në administratë dhe shërbime publike;
– Të çrrënjoset kancerri i shitblerjes së votës me lekë dhe favore, i vëzhgimit, spiunimit dhe survejimit të çdo qytetari me spiunët modernë, të quajtur “patronazhistë”;
– Të ndëshkohet dhuna dhe arroganca e paceremonishme ndaj kujtdo, e cila mbrohet nga policia dhe gjykatat e regjimit;
– Të shpartallohet kultura e shëmtuar e propagandës vetlëvduese kur vendi është kredhur në borxhe, mjerim dhe varfëri dhe asgjë nuk është arritur, përpos regresit të thellë e të gjithanshëm;
– Të mbrohet interesi qytetar dhe kombëtar, i nxjerrë në mënyrë të pacipë në pazare politike rajonale;
– Të shfrytëzohen mundësitë për punësim në bazë të reformave, iniciativave të biznesit dhe burimeve ekonomike e turistike;
– Të rikthehet shpresa, që në vendin tonë qeveris ligji dhe drejtësia dhe jo kasta qeveritare e tenderave dhe punësimeve jo në bazë të aftësisë, por të besnikërisë fanatike partiake;
– Të neveritet revanshi qeveritar për joshjen dhe rekrutimin e diasporës, artistëve, këngëtarëve duke sugjeruar kulturën nxitëse të maskaradës dhe klounadës politike;
– T’i ndërpritet vrulli një diktature të re, që alienon, paralizon dhe skllavëron mendjet dhe ndërgjegjet e lodhura, apo më saktë, rezistencën e heshtur e të vetmuar të qindra mijëra shqiptarëve.
P.S: secili mund t’i rreshtojë e klasifikojë vetë këto pika, sipas rëndësisë që kanë për secilin, sikundërse mund të shtojë pika të tjera të ndjeshme.
Poshtë ripërtëritja e diktaturës!

SHKARKO APP