Akademia e Shkencave po infekton me paligjshmëri të gjithë sistemin
Nga: Artan Fuga
Për dijeni, zotërinjve të nderuar:
Ilir Meta, President i Republikës
Edi Rama, kryetar i Këshillit të Ministrave
Lulzim Basha, kryetar i Partisë Demokratike
Kryetari të OSBE në Tiranë, z. Boschart
I nderuar zoti kryetar i KQZ!
Po Ju drejtohem për një shkelje ligjore që e mësova nga raportimi i gazetës më të madhe të përditshme “Panorama”, të datës 15 qershor 2019. Po Ju drejtohem me keqardhje, me trishtim, por edhe me vendosmërinë që ma jep statusi im si profesor, anëtar i Akademisë së Shkencave, si edukator i brezit të ri dhe si qytetar i përgjegjshëm i Republikës!
Më datën 6 qershor 2019, institucioni i KQZ që Ju drejtoni ka marrë një vendim të paligjshëm, pikërisht duke çregjistruar emrin e kryetarit ekzistues të Partisë Social Demokrate. z. Skënder Gjinushi, dhe zëvendësuar atë emër me një emër tjetër!
E gjitha kjo është bërë duke marrë në shqyrtim po në datën 6 qershor 2019, një vendim Gjykate të Rrethit Gjyqësor Tiranë, me numër protokolli 1613/1, nxjerrë po më datën 6 qershor 2019, pikërisht lidhur me këtë çështje. Pra, me administrimin e dorëheqjes të kryetarit të PSD dhe regjistrimin e vendimit të këshillit kombëtar të Partisë Social Demokrate, marrë më 31 maj 2019 dhe regjistruar si kërkesë në atë Gjykatë më 3 qershor 2019, pra, me një shpejtësi supersonike!
Sikurse Ju e dini mirë si jurist me përvojë të madhe dhe me integritet moral të lartë, KQZ ndalohet ligjërisht të merrte një vendim atë ditë që e ka marrë për zëvendësimin e kërkuar të emrave në krye të Partisë Social Demokrate, e cila figuron me numër 28 në fletën e votimit për zgjedhjet e 30 qershorit! Sikurse e di çdo student në drejtësi, vendimi i Gjykatës, sipas ligjit, duhet të maturohej për 15 ditë dhe vetëm pastaj mund të bëheshin veprime bazuar në të.
Zoti kryetar,
më vjen keq t’Ju bëj me dije se KQZ ka shkelur me të dyja këmbët ligjin, Kodin e Procedurës Civile, kodin elektoral dhe ndofta edhe norma të tjera juridike. Unë kam të gjitha arsyet e mbështetura të pohoj publikisht se vendimi i Gjykatës si edhe vendimi i paligjshëm i KQZ-së vërtetojnë paligjshmërinë e zgjedhjeve të kryetarit të Akademisë së Shkencave sepse dëshmojnë se: në kundërshtim me ligjin mbi Akademinë e Shkencave, ai ka qenë njëkohësisht edhe kryetar partie dhe anëtar i Akademisë së Shkencave, çka ligji e ndalon; se ka zhvilluar fushatën e tij zgjedhore njëkohësisht me fushatën elektorale për
zgjedhjet e 30 qershorit, pra, duke qenë kryetar partie; dhe se ditën e zgjedhjes së tij të paligjshme në krye të Akademisë së Shkencave ka qenë
ende ligjërisht kryetar partie politike.
Kjo përbën as më pak dhe as më shumë, por uzurpim të paligjshëm, duke bashkëpunuar në grup të një posti publik. Për këtë ka përgjegjësi ligjore kolektive dhe personale Këshilli Ekzekutiv i Akademisë së Shkencave Duke bërë marrë vendimin e datës 6 qershor 2019, KQZ, në mënyrë krejt të paligjshme, ka sjellë këto pasoja objektive të dëmshme në shkelje të ligjit:
1. Ka bërë një ndryshim të paligjshëm në lidhje me partinë që figuron në numrin 28 të fletës së votimit. Në këtë mënyrë, fleta e votimit, ende pa dalë nga KQZ, është e njollosur me paligjshmëri. Në këtë mënyrë është infektuar me paligjshmëri edhe vetë procesi i votimit.
2. Me anë të atij vendimi të paligjshëm, KQZ është përdorur për të kamufluar një shkelje ligjore të mëparshme kryer me procesin zgjedhor të datës 24 maj 2019 në Akademinë e Shkencave, si uzurpim posti publik në bashkëpunim në grup.
3. KQZ, në këtë rast vendimi të paligjshëm, në mënyrë objektive, ka bashkëpunuar me Partinë Social Demokrate për të shkelur ligjin mbi Akademinë e Shkencave, duke vendosur në një partneritet të paligjshëm Akademinë e Shkencave, Partinë Social Demokrate dhe KQZ që Ju drejtoni!
4. Në planin e etikës të ligjit, mendoni pak, zoti kryetar, çfarë dëmi të pallogaritshëm ka shkaktuar KQZ, duke dhënë një shembull shkeljeje ligjore në favor të privilegjuar për një parti që bën pjesë në koalicionin politik, të cilit i përkasin shumica e anëtarëve të KQZ-së. Ky është shembulli që KQZ jep për të gjitha komisionet zgjedhore lokale anembanë Shqipërisë? Kështu jeni Ju garant për respektimin e Kodit Zgjedhor? Janë anëtarë të KQZ-së që përgjigjen para ligjit apo militantë partie?
Teorikisht, si kërkues shkencor dhe si pedagog, me përvojë edhe në lektorimin në fushën e filozofisë të ligjit, më lejoni t’Ju them se unë e quaj këtë rast një shembull, që për vite do të futet në tekstet shkollore në shërbim të hipotezës sesi një institucion i kalbur, në paligjshmëri tërësore, pra, Akademia e Shkencave, për shkak të metastazave kanceroze të paligjshmërisë që lëshon, ka infektuar edhe Kuvendin e Shqipërisë, Ministrinë e Arsimit, Partinë Social Demokrate dhe tani edhe KQZ. Nuk dihet se deri ku do të shtrihen këto metastaza të paligjshmërisë dhe ku do të priten ato!!!
Zoti kryetar, Ju lutem të më jepni sa më shpejt një përgjigje publike. Anuloni vendimin e paligjshëm që keni marrë. Mos u pajtoni me presionet që ndoshta ju bëhen! Kaloni çështjen për shqyrtim në Gjykatën Administrative në mënyrë që drejtësia të vihet në vend!
Me shumë respekt për Ju,
Profesor Dr. Artan Fuga
Anëtar i Akademisë së
Shkencave të Shqipërisë