Aleksandër Çipa: Skena mediatike shqiptare, si “kuzhinë” me të gjitha enët

Nga Aleksandër Çipa –

Mediat e periudhës së pluralizmit në Shqipëri po hyjnë në dekadën e tretë, aq sa edhe mosha e demokracisë. Duke qenë pas periudhe komuniste, e cila në mendësinë dhe stereotipitë e shoqërisë shqiptare shkaktoi trauma dhe reflekse ende të pahequra dhe të pazhbëra plotësisht, demokracia e sotme përcaktohet si hibride. Cilësitë që mishërohen në përcaktimin “hibride”, shfaqen dhe janë pjesë e reflektuar qartazi edhe në brendinë dhe funksionet e medias së vendit – në rolin dhe ndikimet që ajo kryen në shoqërinë e anarkisë dhe të informalitetit atipik shqiptar.

Media shqiptare në këto tri dekada ka ndjekur një ritëm dhe përvojë të ngjeshur; me brendi kontrastuese mes profesionalizmit, amatorizmit, pasionit vullnetar dhe këmbënguljes afirmuese, mes integrimit dhe provincializmit, kualifikimit dhe militantizmit, me peshën e mendimit, por, edhe me shkulmet e emotiviteteve. Ka qënë gjithashtu në ndjekje individësh të përvojës dhe shkollave të gazetarisë perëndimore, si dhe në aksionin apo regjimin imitues të medias fqinjëruese dhe influencuese, sikundër është ajo e Italisë fqinje. Në këtë adresim, media italiane dhe përvojat e mishëruara në tregun multimedial italian janë qartazi një lloj “alter-ego” për sipërmarrësit mediatikë, reporterët, editorët dhe, në mënyrë të veçantë, për krejt sektorët e menaxhimit dhe marketimit të medias shqiptare në tri dekadat e fundit.

Mediat private në Shqipëri nisën në kapërcyell të viteteve ’90-të. Disa prej gazetave lokale partiake në vend, u konvertuan në fundvitin 1990 dhe fillimvitin 1991 në gazeta të pavarura dhe me pronësi të re, në kushte primitive, gati para-pronësore. Ishte një nismë dhe fillim lindjeje me strese, për shkak të vakumit ligjor dhe për arsye të ndikimit që kishte ende legjislacioni i diktaturës e cila ishte në shembje të pakthyeshme, por me hije të shumta gjalluese. Gazeta të tilla lokale brenda pak muajsh u shndërruan në mediat më me lexueshmëri dhe qarkullim në territorin administrativ të Republikës së Shqipërisë. Ndërkohë që tabunë më të rëndësishme dhe kurajon më të madhe e kishte dëshmuar në atë moment, e përditshmja “Rilindja Demokratike” e cila u pagëzua si e para e përditshme kombëtare opozitare.

Për një periudhë pasuese, prej pesë-gjashtë muajsh, gazeta si “Koha jonë”,”Java”, pak më vonë “Dita Informacion”, “Gazeta Shqiptare”, “Albania” etj., krijuan spektrin e parë plural, të pavarur, të të përditshmeve shqiptare. Gjatë këtyre gjashtë-tetë viteve të para pas shembjes së komunizmit, shtypi shqiptar ishte media më e rëndësishme në vend. Ndonëse përballej me kushtet më të prapambetura të teknologjisë së shtypshkrimit dhe sidomos të infrastrukturës mjerane të shpërndarjes dhe shitjes në krejt vendin. Rreth këtij shtypi dhe redaksive të reja, u bashkuan dhe u rekrutuan emocionalisht dhe profesionalisht pjesa më e rëndësishme e autoriteteve shkruese dhee autoriteteve e personaliteteve të mendimit publik në vend.

Për këtë arsye, pathosi dhe kredoja e lartë shoqërore në mbështetje të ndryshimit dhe të ikjes prej kthetrave të regjimit më të zymtë të historisë së vendit spikasnin dhe u bënë nxitës të një gare dhe kurajoje shkruese me vlera raportuese, analizuese dhe sidomos denoncuese. Përgjatë këtyre viteve nisi të shfaqej edhe klasa e parë e reporterëve pasionantë, sakrifikues dhe profesionalisht-vullnetarë, jo vetëm në qendrën metropolitane të vendit, në Tiranë, por edhe në qytetet të cilat kishin pasur traditë të rëndësishme dhe cilësore gazetarie dhe kontributi publicistik në periudhën para regjimit komunist.

Pas afërsisht dekadës së parë të periudhës së demokracisë dhe pluralizmit hibrid, vjen një vrull i ri zhvillues i mediave audiovizive private. Pjesa e gazetarëve dhe redaktorëve më aktivë dhe me përvojë spikatëse nëpër redaksitë e gazetave të përditshme iniciojnë drejtimin e redaksive të informacionit dhe të moderimit radioteleviziv. Ishin këto media rishtare që po pasuronin skenën mediatike të vendit. Kanale televizive si Koha TV, Arbëria TV, Klan, Shijak Tv, etj., formatuan në kushtet e një modestie teknologjike dhe infrastrukturore (sistemi teknologjik ishte primitiv VHS-SVHS) studiot dhe regjitë e atëhershme. Ky grup iniciatorësh dhe miksura amatoro-profesioniste formatuan programacionet e para dhe redaksitë e reja të profilit në spektrin e sapolindur të medias audiovizive private. Investimi, zgjerimi dhe shtimi i mediave audivizive solli një stad të ri të zhvillimit të medias dhe kulturës profesionale në tërësi. Kjo është një periudhë e ritmeve intensive për dijeni, ambicie dhe për kualifikim. Si dhe për brumosje profesionale të grupeve të gazetarëve, redaktorëve, reporterëve dhe punonjësve mediatikë të skenës lehonë në vend.

Në periudhën 1998-2005 nis një fazë e re pasurimi për skenën mediatike në vend, sidomos për atë audiovizive. Në skenën e krejt medias ishin shfaqur nisma vetërregulluese prej kohësh. Forca e fjalës dhe shprehjes së lirë kishte shkaktuar ndjeshmëri të lartë publike dhe kishte tejkaluar sfida dhe risqe të shumta. Sikundër kishte lënë gjurmë dhe shkaktuar hematoma të ndryshme në ndërgjegjen dhe mjedisin publik shqiptar. Media private, plurale në vend ishte rritur duke krijuar bindshëm perceptimin dhe efektet e vlershme të të ashtuquajturit “pushtet i katërt” në arkitekturën dhe stilemat karakterizuese të demokracisë që po lexohej me vonesë teorikisht dhe po zbatohej ala-shqiptarçe në praktikë.

Madhimi dhe kurajoja e shtypit dhe medias gjatë kësaj periudhe i kishte shkaktuar kokëçarje dhe pengime të vyera ambicies autoritariste të protagonistëve qeverisës së kësaj periudhe. Duhet thënë se për shumë çështje madhore mbetet merita ndërhyrëse, raportuese dhe analizuese e gazetarëve dhe mediave të kësaj periudhe që vendi të mos devijonte dhe të mos shembej demokracia hibride në demokraturë gati orientale. Për mjaft orientime strategjike dhe përcaktuese për rrjedhat e zhvillimit të demokracisë në politikë dhe të shëndetit të asaj institucional mbetet përcaktues dhe kontribues i padiskutueshëm roli i shtypit dhe i medias së kësaj periudhe.

Pas vitit 2005, në skenën mediatike të vendit afirmohet edhe ndryshimi i strukturës së re të pronësisë mbi median dhe mbi kompanitë më të rëndësishme e me ndikim në vend. Në gati shumicën kohore të dekadës së parë, pronësia e shtypit të shkruar ishte në duar gazetarësh-pronarë. Por në fund të kësaj dekade, ky raport nisi të zhbëhej. Ishin disa biznesmenë të vetëndjerë si “kapitalistët e parë” të vendit që morën në hisenë e tyre pronësore edhe disa nga të përditshmet më të reja dhe më të rëndësishme dhe, vijueshmërisht, edhe mediat audiovizive private. Për këtë arsye, periudha pasuese evidentoi shuarjen e atij pasioni raportues, analizues, princip-ndjekës dhe parimor që karakterizoi gazetarët në dekadën e parë të demokracisë kur pronarët ishin kolegë të tyre.

Grupet e interesit, përdorimi i medias si mjet presioni për arsye interesash politike dhe influencash ekonomiko-financiare, shumë shpejt i sollën mediat, të hynin në dekadën e riskimit të besushmërisë së tyre publike dhe të krizës opinionbërëse.

Në fillim të dekadës së tretë, këtyre problemeve kaq evidente iu mbivendos edhe një rrjedhë shtimi inflacionist i mediave në vend. Në periudhën e viteve 2015-2020, Shqipëria renditet ndër vendet me numrin më të madh të llojshmërisë së mediave për numër banorësh në pothuajse krejt ish-Europën Juglindore. Në harkun e kësaj periudhe, skena mediatike kaotike e vendit regjistron rreth 17 gazeta të përditshme, 63 radio, 56 televizione, mbi 167 gazeta dhe revista periodike. Ndërkohë që pas vitit 2015, mediat online shënojnë fazën e tretë të zhvillimit – hyrjen në treg të rreth 800 mediave online me kapacitete dhe versione multimediale. Pas periudhës së vitit 2007, kur platformat e para digjitale në vend sollën risinë më të madhe teknologjike për mediat audiovizive, kjo e pas vitit 2015, është më intensivja për formësinë dhe shumëllojshmërinë e mediave të reja.

Por mediologë të shumtë, profesionistë të komunikimit dhe në mënyrë të veçantë gazetarë që ndajnë përvoja shumëvjeçare, anarkinë dhe kaosin inflacionist të mediave të reja në skenën mediatike shqiptare e konsiderojnë si një periudhë me plagë dhe deformime të shumta deontologjike. Përgjatë këtyre viteve të fundit, besueshmëria ndaj mediave dhe gazetarëve, si dhe ndaj raportimit dhe fjalës së lirë, hyri në një krizë dhe shpërfillje tronditëse. Grupet e interesit, burokracia e korruptuar, partitokracia me jetë në tri dekada, krimi i strukturuar dhe struktura të tjera të ndryshme, e shfrytëzuan ligsht dhe keqazi mundësinë media-pasëse të tregut shqiptar. Shumëkush që dëshiroi (fatkeqësisht edhe jo pak gazetarë dhe pronarë të rinj mediash online), hyri me dëshirë dhe diaboli në atë lloj regjimi informal, të cilin Gabriel Tarde e karaterizon si proces montimi dhe hyrjeje “në instalimin e stilit të një regjimi imitimi”.

Pasojat e “regjimit të imitimit” janë të shumta dhe të ndryshme mbi pavarësinë si koncept mishërues në rolin klasik të medias, por edhe mbi derivatet e saj të përcaktuara në kodet dhe normat etike e deontologjike. Pavarësia e raportimit u bjerr. Pavarësia e editorit u bë gati e pa pretendueshme. Pronësia dhe autoriteti i pronarit janë verdikti sundues mbi të vërtetën raportuese dhe jo të dhënat që hulumton mëvetësishëm reporteri. Investigimi është qëllim “goditjeje” dhe jo mision zbardhjeje apo proces kërkimi dhe kurajoje për transparencë. Në këtë klimë dhe sidomos për shkak të “regjimit të imitimit”, politika dhe sidomos shumicat politike qeverisëse, herë pas here, kanë hyrë në nisma autoritariste si dhe kanë shtuar mundësinë influencuese e indulgjuese mbi entet rregulluese. Në këtë vazhdë, mbërritëm deri në nismën e dy viteve të fundit të qeverisjes socialiste për të ashtuquajturën “paketë antishpifje”. Një nismë kjo që u kontestua fuqimisht prej grupit më të madh të organizatave ndërkombëtare të gazetarëve dhe mbrojtjes së lirisë së shprehjes në botë dhe prej pothuajse gjithë aktorëve të skenës mediatike në vend. Duke përfshirë në këtë refuzim edhe interpretimin e Komisionit të Venecias të kërkuar nga Këshilli i Europës dhe BE.

Gazetaria në Shqipëri udhëton nëpër periudha sfiduese dhe, aktualisht, në një kohë edhe më të vështirë. Periudha e vitit 2020, e karakterizuar me efektet dhe pasojat e pandemisë COVID-19, i ka shumëfishuar risqet dhe dilemat. Këto të fundit, iu mbivendosën sëmundjeve, plagëve dhe ndikimeve negative tradicionale të mbartura dhe të pakuruara në këto tri dekada. Për këtë arsye, koncepti për “media të pavarur” tingëllon gati i pabesueshëm dhe thjesht si utopi, ndërsa forcën dhe pozitën rezistente për të arritur aty duket se i ka përditë e më të pakta.(!)

Megjithatë, filozofia na mëkon me maksimën e saj të optimizmit dialektik se “krizat janë përherë shtatzëna me zgjidhje”.

Në anarkinë inflacioniste të mediave të reja, gjatë pesë viteve të fundit spikasin disa projekte- redaksish të investuara si bashkime profesionale kolegësh dhe donatorësh inkurajues për mediat e lira dhe shprehjen e lirë. Të mbërritur si solidaritet dhe inkurajim profesional në përputhje me modelet më të mira të gazetarisë dhe mbështetjes globale, këto projekte po krijojnë dhe mishërojnë ishujt e “kontrastit profesional”. Media të reja dhe iniciativa kolegësh profesionistë, po fitojnë me ngadalësi, besueshmëri dhe ndjekje, ndjeshmëri dhe reagim për shkak të kredisë së fjalës raportuese dhe investiguese, për shkak të maturisë dhe kulturës profesionale. Disa të tilla po ofrojnë në kësi mjedisi produkte që i shquan thellësia, ftohtësia dhe logjika kërkimore e raportuese si dhe sharmi faktologjik, atë që na ka munguar dhe na mungon.

Kjo është një shpresë. Ky model i pakët, po guidon nëpër terrenin e vështirë të informalitetit mediatik shqiptar, duke formësuar një model të ri ku ndërgjegja rregulluese dhe ajo vetërregulluese janë në përkime dhe në solidaritet juridik e profesional. Në mënyrë të pamjaftueshme, ky është modeli imcak që kontraston me formën e shumëgjendur të marrëdhënieve informale të punës së gazetarëve shqiptarë në mediat e shumta në vend. Në këndvështrimin kronologjik, sëmundja e informalitetit jo vetëm që nuk është dobësuar, por fatkeqësisht, nuk është kuruar në asnjë periudhë kurajshëm dhe seriozisht prej institucioneve dhe nismave ligjore. Për këtë arsye, ndërsa kontestohet dhe refuzohet antagonisht cilësimi dhe etiketimi si media kazan prej udhëheqësit politik të shumicës aktuale qeverisëse në vend, maturisht dhe në emër të ndërgjegjes realiste, duhet thënë se “kuzhina jonë mediatike i ka të gjitha enët”, përfshi edhe “tiganin” multimedial të vetë kryeministrit.

SHKARKO APP