Aleksandër Meksi: Shqipëria nuk bëhet me laro, bythecë e shkërdhatokratë

 

Së fundmi, ish-kryeministri Aleksandër Meksi ka botuar një libër me titullin “Rrugë e vështirë në dy vëllime”.

Në të ai flet edhe për zhvillimet politike, duke përfshirë ‘97-n, vitin 2011 dhe zgjedhjet e 2013-s, ndërsa në pushtet ishte ende PD-ja.

Një pjesë e këtij libri është botuar sot nga Shqiptarja.com

Komenti i Meksit në librin “Rrugë e vështirë”: Nuk bëhet Shqipëria me laro, bythecë e shkërdhatokratë

BYTHEC: djalë a burrë të cilin e merrte me vete një burrë a djalë i ftuar në një dasmë apo në një festë. (Po aty,fq.109). Ka dhe kuptimin që shet veten për një kockë.

SHKËRDHATOKRAT: fjalë e përdorur për herë të parë nga Dritëro Agolli që do të thotë pushtet i shkërdhatave. Në fjalor kjo fjalë mungon (me sa duket si tejmase e pistë). Në të gjehet vetëm Shkërdhec: tundës qumështi

(po aty fq.1859). Tragjedia e përhershme shqiptare qëndron në faktin se qeveris- ja e shtetit apo drejtimi i fisit bëhet me laro, bythecë e shkërdhata, me njerëz të pabesë e të paprinciptë, siç thotë populli : ”pa din e pa iman”. Nga të tillë njerëz nuk mund të presësh veç dhunë e zjarr, vrasje e vjedhje. Dhashë   në krye të shkrimit kuptimin që kanë këto fjalë në gjuhën shqipe, mundet që të ketë edhe të tjera.

Pa dyshim se përgjegjësia mbi çfarë po ndodh, bie mbi të gjithë klasën politike shqiptare pa përjashtime, ende e papjekur dhe e paemancipuar për të kuptuar se në një shtet të ekonomisë së tregut të lirë, qytetarët të vlerësojnë me shkallën e lirive që u siguron, e, mbi të gjitha, me faturën, d.m.th. çfarë merr më shumë sot se dje dhe çfarë perspektive i krijon, i siguron për nesër (premtimet kontrollohen dhe mjerë ai që i mashtron). Sigurisht, populli, ata që i shkojnë pas politikanëve, i brohorasin dhe nga zelli i madh djegin për ta, ka përgjegjësinë e vet, por pas 50 vjetësh errësirë, çdo rreze drite është rreze shprese. Në fund të fundit është detyrë po e politikanëve që të ndërgjegjësojnë popullin, dhe për këtë një rol luan dhe inteligjencia.

Këto vite zhvillimesh të vrullshme politike përfshijnë në vijën e parë të jetës politike një numër të madh individësh, të shtyrë nga brenda shpirtit të tyre, të etur për liri, të futur për llogari të të tjerëve, që ndoqën pas shokë e miq, të nxitur, pra, në shumicën e rasteve nga dëshira për një Shqipëri më të mirë, një Shqipëri si gjithë Evropa. Jo të gjithë ata janë të angazhuar sot aktivisht në politikë. Kjo është demokracia dhe shoqëria e lirë. Askush nuk mund të kritikojë ata që janë tërhequr, ata që nuk e përballuan dot, ata që u seleksionuan ( jo si pas kriterit të Dritëroit), ata që u futën sot.

Krahas këtyre njerëzve që duhen respektuar për devocionin, pavarësisht nga rezultati, për fatin e keq të shqiptarëve, në politikë po aktivizohen përherë e më tepër taborre të tëra larosh, bythecësh e shkërdhatokratësh në shërbim të politikave të gabuara (të mbrapshta) dhe politikanëve të pandershëm. Veprimtaria e tyre janë sharjet e shpifjet, kontrabanda, kërcënimet e dhuna, bërrylat dhe stërkëmbëset të ndershmëve. Ky është realiteti i sotëm në politikën shqiptare. Rrugaçëria politike po merr përmasa të pamenduara nga ne shtatë vjet më parë. Atyre u duhet treguar vendi. Këtë detyrë e kanë forcat politike që e meritojnë këtë emër. Në kohën e ekonomisë së tregut të lirë, të nismës së lirë, të nismës së lirë të individëve të lirë, politika nuk duhet të jetë biznes.

Një parantezë: Administrata publike ka një ligj të hartuar nga të huajt sipas modeleve më të mira. Kishte filluar zbatimi i tij. Qeveria e re demokratike duhej ta respektonte: të përcaktonte postet politike e të zbatonte ligjin, i cili ishte mjaft i qartë. Qeveria po zbaton të njëjtën re- formë; le të shkurtonte të paaftët, por jo t’i largonte të gjithë, dhe jo PD- istat, për t’i zëvendësuar çdo tre muaj duke i përzgjedhur sipas kriterit të Dritëroit apo për kallasho kontribut. Ata e dinë se deri sa u emëruan jashtë ligjit, do hiqen të gjithë nesër. Dhe nesër ka gjithnjë. Kjo nuk është aspak e dobishme për Shqipërinë.

Në të tilla rrethana pati një vërshim të tre kategorive të më- sipërme në të gjitha nivelet e shtetit shqiptar. Sigurisht, parapëlqehen vendet për bodigardë (që janë dyfishuar si numër), shef komisariatesh, dogane, pika kufitare, tatime, PMU e PIU e tj. e tj. Siç thoshte Lame Senica, këta të gjithë “…janë gati të bien theror për lakror si arbëror…”. Mjerë Shqipëria e ne shqiptarët që nuk duam të largohemi prej këtej. Me metoda e njerëz të tillë nuk ndërtohet shteti. Shteti i ri po ngrihej, shteti ishte. Ata që lejuan të prishej duke mbajtur peng sektorët mbrojtës të tij, ata që e goditën me metoda antikushtetuese shtetin dhe e prishën, sot bashkërisht e mbajnë peng; arsyen e dinë ata. Kemi të drejtë të themi “deri kur?” e t’i përbuzim. Nuk duhet të jemi indiferentë. Nesër do të jetë vonë.

Larot shpërblehen me poste (kur janë të partive në pushtet), me celularë e radio dore, me drita të kaltra mbi veturat luksoze, krekosen e iu duket vetja trima; nuk e dinë se në demokraci jemi të përkohshëm dhe mund të jepet hesap. Mjaft prej tyre, për meritat sipas kriterit të Dritëroit, janë bërë shkërdhatopolitikanë e deri shkërdhatoliderë.

Bythecët politikë, si të pozitës e të opozitës, i shohim në poste nderi, shoqërues, në konferenca shtypi e në takime “gju me gju“ me popullin, në mitingje e deri në Strasburg e gjetiu. Kanë momentin e tyre të lavdisë që nuk mund të jetë i përjetshëm. Populli thotë: “me kohë çdo gurë zë vendin e vet”.

Kuptohet që më të vlerësuar janë ata që fitojnë më shumë pikë në përzgjedhjen sipas kriterit të Dritëroit. Aferim ju qoftë. Janë këta njerëz që, kur ikin nga postet bëhen mosmirënjohës e deri të pasjellshëm në marrëdhënie me të tjerët, mbase janë të bindur për “vlerat” e tyre dhe harrojnë se një ditë zhvishen nga vlerat e karriges dhe me karrige e pa të, populli, herët a vonë, i vlerëson realisht. Fatkeqësisht jetojnë në kohën e dështakëve politikë, e kufomave politike. Ata dinë vetëm të shajnë ata që nuk përfshihen në tri kategoritë e mësipërme, të shpifin për ta. Në atë kohë të shkurtër që iu shkon fjala e firma, ata lulëzojnë duke prishur gjithçka ose duke mos bërë asgjë. Ata mbajnë fjalime boshe duke shpi- kur terma në gjuhë të huaja që të mos i marri vesh askush; ata mburren për virtyte që nuk i kanë; ata të kujtojnë format e edukimit e mbledhjet e kolektivit. Atyre shpejt iu ikën koha.

“Republika” 3 Maj 1998

P.S.

Më duhet të shpjegoj rrënjët e fjalës të përdorur nga Dritëroi. Në Fjalorin etimologjik të gjuhës shqipe (1891) të albanologut të shquar Gustav Meyer jepet fjala shkërdhec për tundës qumështi në gegërisht me prejardhje nga italishtja scardasso, që do të thotë: me keqtrajtuar, me rrah, me godit, me nëpërkëmb, me u sjell ashpër. Pra kemi qartë përdorimin në forma të ndryshme të një veprimi, edhe me kuptime të tjera në shqipe, siç vëren dhe Meyer, të huazuar nga italishtja.

Ma ka qejfi të shtoj dhe një kategori tjetër individësh të pado- bishëm për demokracinë Burrecët.

BURREC:

  1. njeri frikacak e që nuk ka guxim, burracak
  2. burrë i pavlerë, burrë i keq e pa karakter, ligaç
  3. burrac-burrë i shkurtër. ( Fj.Gj.Shq. Fq.201)

Kur punët shkojnë keq e askush nuk flet, nuk proteston, nuk ankohet, do të thotë që kemi të bëjmë me burrecë. Ndër ta kategori më e ulët janë ata që kanë poste, që paguhen mirë e heshtin, që zbatojnë urdhra sheshit antiligjore, kur duhet ti thonë bosit të politikës jo e t’ia shpjegojnë. Mundet që nesër t’i largojë, por të jeni të sigurt se shumica e tyre janë vetë burrecë dhe do tremben e do ta marrin në konsideratë vërejtjen, në se janë normal.

Veç tyre, ka dhe grupe të tjera si puthadorët, sahanlëpirësit, laramanët, që shquhen si vemje duke lavdëruar bosët e duke ndërruar partitë sa herë që ndryshin qeveria. Për fat të keq ata shpërblehen, por dhe mbulohen me turp. Nuk nuk janë për t’i patur zili.

SHKARKO APP