Alfons Zeneli: Personalitetet e Sulltan vaksinës

Nga Alfons Zeneli-

Diskriminimi politik në Shqipëri si një fenomen i shëmtuar dhe primitiv, e ka zanafillën nga regjimi sockomunist. Të gjithë ata që e kanë jetuar atë periudhë, e mbajnë mend mirë sistemin dhe logjikën e shpërndarjes së ushqimeve speciale nëpër raste festash. Por, po ashtu e mbajnë mend mirë edhe se çfarë përfshihej në listën e ushqimeve speciale e të rralla, gati-gati egzotike: mollë, portokalle, mandarina, kafe, vaj ulliri, vezë, djath dhe mish. Natyrisht që këto ushqime bazike, në atë kohë varfërie ekstreme konsideroheshin ushqime luksi, ushqime që rrallë e tek ju binin në gojë familjeve proletarë të klasës punëtore dhe fshatarësisë kooperativiste. Kjo lloj situate mjaftonte për ta shkërrmoqur në themel madhështinë dhe triumfin idiotesk të socializmit fitimtar. Normalisht kjo do të duhej të shembte edhe fantazmagorinë që po ky sistem u kishte mbjellë njerëzve në kokë, por shqiptarët kanë probleme shumë të mëdha. Megjithatë, nuk është kjo pamja më e çuditshme dhe skandalizuese. Ajo që e shpallte përfundimisht absurdin shqiptar ishte kriterologjia e rastit që përdorej për shpërndarjen e ushqimeve. Në fillim merrnin vetëm familjet e dëshmorëve. Pastaj ata të heronjve të punës socialiste e nëse mbetej ndonjë gjë, atë e mernin me mik tarafet e shitëseve të ushqimores dhe fruta-perimeve. Por i gjithë ky operacion fillonte e kryhej vetëm pasi ishin furnizuar sekretari i parë i Komitetit të Partisë, kryetari i Komitetit Egzekutiv, kryetari i Këshillit Popullor, kryetarja e Gruas dhe kryetari i Frontit Demokratik. Arsyeja është e thjeshtë dhe e kuptueshme për të gjithë: ata ishin personalitetet e larta të kohës. Pjesa tjetër e popullsisë ose më saktë e gjithë popullsia e cila nuk ishte personalitet mjaftohej e ngopej me idenë se familjet e dëshmorëve dhe personalitetet ishin rehatuar. Por edhe vetë personalitetet ndjeheshin automatikisht të rehatuar pas këtij akti, të mikluar edhe nga ndjesia se populli ishte i lumtur që personalitetet ishin rehatuar, pra si i thonë fjalës kishte shkuar “haka te i zoti”. Personalitetet ishin të bindur se duke bërë kështu mendonin për popullin. Sepse detyra e tyre ishte që ta bënin popullin të lumtur. Dhe populli ishte i lumtur kur personalitetet mendonin për popullin në qetësi e pa stres. Me një fjalë, detyra e popullit ishte t`i linin personalitetet pra qeverinë të punojë, dmth të mendojë për të. Ky cikël absurd e shpërfytyrues që dominonte marrëdheniet e turmës me parinë, pra personalitetet, ishte me gjasë niveli i fundit teorik i ndërgjegjes ku mund të binte një humanoid. Për fatin tonë tragjik kjo e pabesueshme ndodhi vetëm tek ne.

Tani, vijmë tek bota paralele të cilën po e përjetojmë sot. Në vend të lajmërimit kriter se në fillim mollë do marrin vetëm familjet e dëshmorëve, “Sundimtari bamirës i Surrelit” ka lëshuar “iradenë” sipas të cilës, në fillim do të vaksinohen personalitetet. Ky vendim qoftë dhe në parim është kundër themelit të barazisë që na e sigurojnë kartat ndërkombëtare dhe evropiane të cilat ne i kemi nënshkruar. Dhe kjo, për pasojë shkakton nga pas një vazhdë të gjatë mundësish për spekulime, denigrim dhe diskriminim poltitik e ideologjik. Kjo edhe për shkak të natyrës despotike të vetë “Sundimtarit”. Pasi dihet që ai kurrë nuk pyet e as konsultohet me askënd. Madje as me shallmbajtësin entuziast Erion Braçe. Çka do të thotë se, edhe kush është e kush nuk është personalitet, e vendos vetë i madhi gjatë seancave meditative kur bën dush. Është tjetër histori që Rama ju ka drejtuar skeptrin perandorak dhe ka emëruar personalitetet me të drejtë për të mos vdekur, kriminelë të regjur të diktaturës. Në kohën e komunizmit, i madhi vendoste kush do hante mollë e kush jo, kush do hante bukë misri e kush gruri. Vendoste edhe se kush do e kalonte jetën në kushte ekstremisht mbijetese, vendoste se kush do jetonte e kush do vdiste. Edhe sot, Sulltan Vaksina vendos se kush do jetojë dhe kush jo. Kush do vdesë i pari e kush më pas, kush do i shpëtojë Covid-it e kush do lëngojë nën terrorin e tij. Nuk është çudi që sot a nesër të shpallë personalitete të paprekshme nga virusi edhe Bledi Çuçin, edhe gjyshen e Taulant Ballës, edhe mushkën e dr. Ulsit apo dhe italianët që u anëtarësuan dje në PS.

SHKARKO APP