Alfred Lela: Të mos na fyejnë duke e përdorur Henri Çilin si “ikonë të luftës kundër krimit”!

Nga Alfred Lela

Ndalimi i Henri Çilit, një personazh i njohur publik, me një varg akuzash, që shkojnë nga ‘mashtrimi’ deri te ‘ndikimi i organeve të drejtësisë’, u bë lajmi i madh i ditës sot në media. Sigurisht, Çili duhet të përgjigjet para ligjit për akuzat e ngritura ndaj tij dhe, sipas një parimi të shenjtë të drejtësisë, ai mbetet i pafajshëm derisa të provohet fajtor.

Policia e Shtetit, me anë të drejtuesve më të lartë dhe nëpërmjet operacioneve të shumëfishta, duke kryer kontrolle në UET dhe më pas në shtëpinë e botuesit, ka bërë gjithçka që të përdorë Çilin si ‘poster man’ të një rrjeti të dyshuar kriminal, për të ngritur një shtjellë komunikimi publik të cilën, të paktën ne gazetarët, duhet ta shohim vëngër dhe me dyshim.

Pas Ardi Veliut, drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, që doli në një konferencë speciale shtypi, u shpreh publikisht edhe ministri Lleshaj: me një status në rrjetet sociale ai foli për ‘organizatë të strukturuar kriminale’ dhe ‘efekte të reformës në drejtësi’.

Të bën të dyshosh një përkufizim i tillë i Henri Çilit si pjesë e një ‘strukture të krimit të organizuar’ ndërkohë që disa familje dhe disa personazhe famëkëqij të botës së krimit janë liruar nga kjo akuzë e rëndë për njëqind arsye e shumë ‘moskompetenca’. Të bën të shkulesh gazit ironik edhe frymëzimi që kërkon të ngjallë ministri Lleshaj te reforma në drejtësi, duke arrestuar një njeri të botës mediatike dhe universitare, një avokat dhe disa kontrabandistë hashashi ‘small time’, në kufirin Shqipëri- Greqi. A pret publiku, megjithë mend, dhe a do të shpërblehet me faktin se ‘peshku i madh’ i parë i reformës në drejtësi është Henri Çili?!

Është i kuptueshëm ngazëllimi dhe nxitimi, si i z. Veliu dhe i z. Lleshaj, si i policëve dhe prokurorëve të thjeshtë me publicitetin që u siguron emri i Henri Çilit. Eshtë shpagimi që ata kërkojnë dhe marrin të paktën për pak kohë (një ditë e ka edhe korbi, thoshte Camaj) nga njerëz që shkrujanë, botojnë, lobojnë, kanë një zë publik. Imagjinoni sa të lumtur do të ishin sikur të mund të arrestonin edhe Fatos Lubonjën, Andi Bushatin dhe kundërshtarë të tjerë të qeverisë apo të establishmentit. Kjo nuk do të thotë se Çili ishte anti-establishment, ai ishte në fakt përfaqësuesi par excellence i establishmentit; mbrojtës për disa vite i qeverisë; i heshtur përballë korrupsionit të saj, të policisë, të prokurorisë dhe gjykatave.

Megjithatë, si zë i njohur i agorës publike, dhe jo si përfaqësues puritan i interesit publik, ai dhe të ngjashmit e tij, pjesë e komentariatit politik, zgjojnë mllefe dhe presin shpagime.

Paradoksalisht, heshtja e Çilit nuk funksionoi për të. Siç as piruetat. Askush nuk i doli për zot sot botuesit të disa gazetave, pronarit të një universiteti, individit me shumë lidhje, të hapura dhe okulte. Gazetarët dhe analistët duhet ta bëjnë, ama. Goditja shproporcionale ndaj Henri Çilit është goditje për të gjithë ne. Ndalimi (apo arrestimi) i tij do t’i shërbejë kryeministrit dhe njerëzve të tij për ta përforcuar tezën e tyre të ‘analistëve dhe gazetarëve të lidhur me krimin’.

Çili duhet të paguajë për kundravajtjet e veta (nëse ka), por ne duhet të mbetemi syçelë ndaj kundravajtjeve të pushtetit. Çfarëdo të ketë bërë kolegu ynë, ai nuk besoj të jetë koka e krimit të organizuar në Shqipëri dhe as ‘peshku i madh’ i reformës në drejtësi.

Kush na shtyn drejt kësaj, ose është idiot vetë, ose na di neve dhe publikun për idiotë./Politiko

Lexoni edhe…

Arrestohet botuesi dhe pedagogu, Henri Çili. Detaje të tjera dalin në dritë

Erion Braçe për arrestimin e Henri Çilit: Bravo Policisë së Shtetit

Manjani: Në qoftë e vërtetë akuza nga Çilit, për “Ushtrim ndikimi të paligjshëm”, më duket muhabet kot

Arrestimi i Çilit/ Kryeprokurori Çela: Fryt i prokurorisë së pavarur, zbatim i reformës në drejtësi, këto janë rezultatet

Arrestimi i Henri Çilit, Ardi Veliu jep detajet e aksionit

Arrestimi i botuesit Henri Çili, reagon Profesorati i Universitetit Europian të Tiranës

 

SHKARKO APP