Alibia e Zaevit antishqiptar
Nga Mero Baze
Ka një vërshim të pritshëm kundër liderit të opozitës maqedonase, Zaev, në debatin publik rreth faktorit shqiptar në Maqedoni. Mbi të gjitha shquan teza se ai është njësoj antishqiptar si Gruevski dhe se mbështetja për të, është një betejë e çuar dëm. Ky debat ka shumë kurthe dhe detaje emocionale që mund t’i ndihmojnë shumë justifikimit të derisotshëm të faktorëve politik shqiptarë në Maqedoni, por ajo që duhet parë është vetëm një çështje: Si do të faktorizohen shqiptarët, duke vepruar si geto politike, apo duke u përfshirë në betejat politike të Maqedonisë?
Askush nuk thotë se Zaev është më pro shqiptar se Gruveski, edhe pse ky term ha shumë debat, se çfarë quhet proshqiptar për një maqedonas. Beteja nacionaliste e Gruveskit për të sunduar Maqedoninë, është betejë politike e një autoritaristi që kërkon të sundojë shtetin e tij. Si çdo horr në politikë dhe ai e ka gjetur nacionalizmin si streh të fundit të tij. Ai bëri thirrje të votohet masivisht që të mos varej prej shqiptarëve dhe përdori rastin e Kumanovës si një përpjekje për të shpëtuar nga kriza politike.
Zaevi nuk ka ndonjë detyrim të dashurojë shqiptarët, por si politikan ai matet me gjeste publike. Ai nuk mund tu lutet shqiptarëve të bashkohen me të, pasi ka betejën e tij për Maqedoninë dhe nuk shkoi në Kumanovë për të forcuar një fantazëm të UÇK-së, por për të dëmtuar imazhin nacionalist të kundërshtarit të tij.
Shqiptarët në Maqedoni, duhet të shfrytëzojnë rrethanat politike për të mos dalë jashtë loje dhe për të mos u bërë të parëndësishëm. Injorimi i protestave të opozitës ku valvitej dhe flamuri shqiptar, lë pa përfaqësim atë pjesë të shqiptarëve në Maqedoni, që mendojnë se beteja e tyre për të qenë faktor nuk bëhet nga politika e getos, por nga përfshirja në vorbullën e politikës së Maqedonisë.
Shqetësuese në këto momente nuk është se cili politikan është më antishqiptar, pasi Gruevski është problem për Maqedoninë, jo vetëm për shqiptarët. Problem real për ne, është sa dhe si mund të faktorizohen shqiptarët për të diktuar ndryshimin e pushtetit në Maqedoni.
Vetëizolimi për shkak të konsumit politik, i bën ata të parëndësishëm dhe ul peshën e faktorit shqiptar në Maqedoni.
Kumanova ishte një rast tipik, kur Gruevski përdori shqiptarët për të penalizuar aksionin politik të opozitës. Zaevi shkoi në Kumanovë jo për shqiptarët, por kundër Gruevskit dhe shqiptarët duhet t’i bashkohen opozitës, jo për Zaevin, por për të shtuar fuqinë e tyre politike në procesin e ndryshimit.
Alibitë se Gruevski dhe Zaevi janë njësoj, vlejnë për të ruajtur statuskuonë politike në Tetovë dhe për t’i bërë shqipatërt më të dobët në Shkup. Mes dy politikanëve që po i marrë apriori, të dy antishqiptarë dhe të dy me tendenca segregative ndaj shqiptarëve, njëri, pra Gruevski tenton të fitojë pikë duke vrarë shqiptarë, tjetri tenton të fitojë pikë duke u fotografuar me flamurin shqiptar. Sado antishqiptar të jetë ky i dyti në mendje apo shpirt, mua më duket më i pranueshëm, kur kërkon të bëjë politik paqeje formalisht me shqiptarët. Ky i dyti, me këto gjeste u jep shans shqiptarëve të bëhen faktor, pa iu lutur atyre. I pari iu jep shans të bëhen vetëm viktima.
Për qejf të tyre, çdo politikan i Maqedonisë nuk do t’i dëshironte fare shqiptarët nëpër këmbë, por ata janë aty dhe s’kanë çfarë të bëjnë. Beteja e shqiptarëve është si të bëhen të rëndësishëm dhe të vendosin mbi fatin e Maqedonisë dhe jo si të izolohen në Tetovë duke pirë çaj e duke ngrënë qebap, duke na treguar sa të këqinj janë të gjithë maqedonasit për shqiptarët. Nëse vazhdojnë kështu, problemi më serioz është se do kemi shqiptarët e Aliut, shqiptarët e Menduhit dhe shqiptarët e Zaevit, duke e ndarë nga dy në tre copë fuqinë e atyre që duhet të ishin bashkë.
Gazeta "Tema"