Alida
Nga Ilir Levonja
Intervista e Alida Hiskut është sot më e debatuara. Dhe njerëzit çuditërisht kanë zënë të grinden mes tyre. Disa i besojnë dhe u duken çnjerëzore, puna e torturave, përdhunimi me thes në kokë, gjilpërat etj. Madje shkojnë deri aty sa e quajnë të marrë, të shkalluar. Madje, madje harrojnë Alidën dhe shahen mbarë e mire me njëri-tjetrin. Sërish për hir të radhitjes, të atij rreshtimi shekujsh, unë me këtë dhe ti me atë. Por asnjëherë me vetveten, prezencën e qytetarit bashkëhor.
1)Pyetja më naïve është se përse, Alida Hisku i thotë këto tani? Ndërkohë kur këngëtarja pohon se libri i saj ''Marioneta të politikës së diktaturës së Enver Hoxhës”, ka disa vite që është botuar në Gjermani. Dhe në gjuhën gjermane. Punë e saj si autore përse vendosi ta shkruaj gjermanisht, apo edhe ta botojë gjermanisht.
Ashtu sikur është edhe puna e shtypit që I bie rruga nga Gjermania dhe takon Alidën. Ashtu sikur është dhe puna jonë të shqyhemi, për ditë, pa e kuptuar asnjëherë se sa tifozë të çmendurisë jemi. Ose të shfrenisë. ''Jena t'shfrenuem, s'jena t'lirë'', kumtonte vite më pare një poete shqiptare me emrin Ledia Dushi.
2)Intervista e Alida Hiskut nuk është tronditëse për një fakt që ia pohon vetë këngëtarja, gazetares. Kur i thotë se përse e tmerrshme, sa vite ke gazetare, nuk i ke dëgjuar ti këto?!
E vërteta është absurd tek ne. Sidomos kur flitet për të shkuarën jo të largët. Ose trajtohet me një delikatesë mosdije. Prej qelqi. Vërtet të kenë ndodhur këto në Shqipëri? Vërtetë t'i kenë bërë njerëzit tanë këto? Ngjajnë si në botën kineze. Ngjajnë si në botën e sovjetëve?! Ngjajnë si në botën e Kamboxhias së Pol Potës etj.
Të Koresë së Veriut, Vietnamit etj.
Por ne pjesë e tyre kemi qënë. E kampit, e kampeve që marshonin me plane solidariteti dy, tre, pesë vjeçarë. Jo vetëm për të shqyer malet, nëntokën. Por edhe veteveten, njëri-tjetrin pra.
Që pak a shumë po e bëjmë edhe tani. Por jo përmes kampeve apo gulagëve. Por në mënyrë moderne…, duke u verbuar pas liderëve. Në luftën e tyre plot shkëlqim kollaresh, faqesh edhe pse të parruara. Përballë atyre tonave, të vrara nga lodhja e nervave, të deformuar nga rakia, të bjerrur prej mungesës së ujit dhe të dritave. Apo mosushqimit të duhur etj. Duke e pranuar publikisht, që ata të flasin veten për veten, për njëri -tjetrin, në emrin tone. Dhe jo për hallet tona. Për hallet e tyre. Që janë apo nuk janë të vërteta kurvëritë e tyre me thes në kokë.
3)Çuditërisht shqiptarët grinden se, vërtetë i përdhunonin femrat duke i vendosur thesin në kokë…? Dhe harrojnë se burrat shqiptarë mburren duke përgojuar fytyrën e një gruaje. Me fjalët e kafshës që, mbuloji kokën me jastëk dhe shfryu. Këtë ma kanë thënë edhe ballkanas të tjerë. E kemi si shprehje lapidare. Por edhe ballkanasit pjesë e kampeve kanë qënë,
Kemi shumë ''padituri'' ndaj veprimeve që i bëjmë me ndërgjegje. Me devotshmëri. Edhe pse e dime fare mire që po bëjmë krim. Dhe po ashtu nuk e kemi për gjë të vritemi në emër të krimit.
Sepse vrasjet nuk ndodhin vetëm me plumba, por edhe me këto shqyerjet, habitjet, mos pranimin, mos pendesën etj.
4)Kurse Alidës dua t'i kushtoj pak radhë për zemrën e madhe.
Në botën tonë ka pak si ty…, që konsiderojnë si çmim të madh zemrën e popullit. Jo numrin e medaljeve të komisioneve dhe jurive. Dhe ti ke të drejtë mjeshtre. Je zemra e njerëzve, zëri i tyre.
Pak nga ata që dinë të falin. Që kërkojnë t'u tregojnë njerëzve se pendesa është hapja e shpirtit. Liria e tij. Dhe ikja një here e përgjithmonë nga burgu i vetvetes. Ka pak artistë apo intelektualë, krijesa apo gjallesa plot bukuri. Që afrojnë dlirësinë shpirtërore, si e si njerëzit të afrohen. Të mos e shqyejnë më njëri-tjetrin. Por ne kështu jemi. Engjujt i nëmin, i akuzojmë. Aty gjithçka është çorbëzuar. Dhe kjo na i mbush sytë me keqardhje.
Kurajo e jote duket shfaqje e huaj. Sepse ka me qindra të përdhunuara që jetojnë me turpin. Që heshtën, heshtin akoma. Që jetojnë duke e mbuluar dhunën, si macja pëgërjen e saj me hi. Ose nga ata që, përdhunimin e kanë kthyer medalje. Dhe përmes ideatorëve të dhunimit, kërkojnë shpërblim. Nga takati i këputur i popullit fytyrë rreshkur. Kjo është arsyeja e tranzicionit të përjetshëm shqiptar. Ne nuk u ndamë nga e kaluara, ndaj sot jemi në depresion. Pasi ideatorët vetëm se ndërruan kostumet, dietat. Kurse ne jemi akoma muhaxhirë.
Dhe kjo mungesa e përgjegjësisë qytetare, për të harruar, mbuluar, shqyer njëri-tjetrin. Do na lëri edhe ca dekada muhaxhirë.
Njerëz me thasë në kokë duke na palluar kafshërisht.